Nis puna për pastrimin e kanaleve për ujitje
Bordi i Kullimit në Berat ka nisur nga puna për pastrimin e kanaleve të ujitjes në tri bashkitë e këtij rrethi. Ndonëse puna duhet të kishte nisur që me afrimin e stinës së verës, lëvrimi jo në kohë i fondit të emergjencave ka bërë që pastrimi i kanaleve vaditëse të niste gjatë këtyre ditëve. Drejtori i Bordit të Kullimit, Nesim Spahiu, tha se fermerët do të kenë mundësi që të përdorin kanalet vaditëse për të ujitur prodhimit e tyre gjatë stinës së nxehtë të verës. Puna ka nisur me pastrimin e kanalit kryesor Berat-Ura e Kuçit, nga i cili fermerët e shumë fshatrave do të përfitojnë vaditjen për prodhimet e tyre të stinës. Me një fond prej rreth 16 milionë lekësh të vjetra, akorduar nga qeveria, investim i fondit të emergjencave për stinën e verës, sipas Spahiut do të mundësohet pastrimi i kanaleve vaditëse në bashkitë e Kuçovës dhe Skraparit. Me mjetet e bordit të kullimit mësohet se do të pastrohen kanalet e të gjithë fshatrave, të cilët duhet të ishin vënë në punë që në fillim të muajit maj. Por, edhe pas kësaj vonese, specialistët shprehen optimistë se këtë verë fermerët e qarkut nuk do të kenë më probleme për vaditjen e prodhimeve të tyre.
#