Paneli që liroi të dënuarin për vrasje

Kushtrim Haziraj nga Llausha e Skenderajt është dënuar në tetor të vitit 2010 me 13 vjet burg. Me aktvendim të plotë të ish-Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, ai u gjet fajtor për veprat penale të vrasjes, tentim vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Por në prill 2013, Haziraj arriti të lirohej me kusht me aktvendim të Panelit të Lirimit me Kusht.
Dyshohet se duke shkelur ligjin dhe keqpërdorur pozitën zyrtare, lirinë atij ia mundësuan Elmaze Fazliu, gjyqtare në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njëkohësisht edhe kryetare e Panelit për Lirim me Kusht, Irfane Buçinca-Rizvanolli e Fidaije Zogaj, gjyqtare porote në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Bedri Duraku, koordinator i Panelit për Lirim me Kusht.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 6 shtator 2013, ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve, kurse katër ditë më vonë, më 10 shtator 2013, KGjK-ja në seancë të jashtëzakonshme, njoftoi zyrtarisht se i ka pezulluar nga detyra tri gjyqtaret deri në përfundim të procesit gjyqësor, shkruan Tribuna.
Gazeta Tribuna ka siguruar aktakuzën sipas së cilës organi i akuzës është i bindur se katër zyrtaret bashkërisht kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar./Indeksonline/