E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paneta vazhdon turneun aziatik

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta pritet të arrijë në Indi të nartën, për të zhvilluar bisedime, që pritet të fokusohen në forcimin e lidhjeve ushtarake në mes të dy vendeve.

Gjatë vizitës së tij dy-ditore, Paneta po ashtu pritet të diskutojë përpjekjet ushtarake të NATO-s në Afganistan dhe ekonominë në rritje dhe fuqinë ushtarake të Kinës në rajonin e Paqësorit Aziatik.

Zyrtarët thanë se Paneta do të takojë kryeministrin Manmohan Sing dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare Shiv Shankar Menon.

Paneta gjendet në një turne nëntë-ditor në Azi, ndërsa do të vizitojë edhe Vietnamin dhe Singaporin.

Turneu shihet si një përpjekje për të rritur fuqinë e SHBA-së në këtë rajon, pasi presidenti Barak Obama tha në nëntorin e kaluar se ky rajon është “prioritet kryesor” për politikën amerikane të sigurisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›