Sërish tërmet në Itali

Një tjetër tërmet i fortë, me fuqi prej 5.1 shkallë të Rihter goditi të dielën në mbrëmje Emilia Romanën, fatmirësisht pa shkaktuar viktima, por duke shkatërruar kullën simbol të Novit në Modena. I njëjti rajon është tronditur nga dy tërmete të mëparshme gjatë dy javëve të shkuara, duke shkaktuar shumë të vdekur.
Një dëshmitar deklaroi për tërmetin e mbrëmshëm se lëkundjet ngjasonin si një dallgë deti, ndërsa një tjetër tha se ndihej i lodhur fizikisht dhe psikologjikisht nga tërmetet e shumta që po godasin rajonin e Emilias.
Më herët, dy përfaqësues të Komisionit Evropian vizituan zonën e prekur, për të parë dëmet e shkaktuara në mënyrë që të jepet edhe ndihma e nevojshme. 24 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 16 mijë të tjerë janë detyruar t’i braktisin shtëpitë për shkak të lëkundjeve të shpeshta të tokës.