E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panetta: Do i përgjigjemi Iranit, po bllokoi Ormuz-in

UASHINGTON- Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me forcë nëse Irani përpiqet të bllokojë ngushticën Ormuz, pikë strategjike kalimi për transportin detar të naftës, u shpreh sot shefi i Pentagonit Leon Panetta, duke theksuar se nuk duhen kaluar disa kufij.

"Kemi qenë shumë të qartë lidhur me faktin se Shtetet e Bashkuara nuk do ta tolerojnë mbylljen e ngushticës Ormuz. Kjo përbën një limit tjetër për ne dhe nuk do t'i kthehemi kësaj teme", deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes gjatë emisionit Face the Nation në televizionin CBS.

Tensioni është rritur mes Teheranit dhe Uashingtonit të martën pas paralajmërimeve të bëra nga Irani në përfundim të manovrave ushtarake kundër pranisë së marinës amerikane në Gjirin Persik, duke krijuar shqetësime lidhur me mbylljen e mundshme të nbushticës Ormuz, nga e cila kalon tranzit 35 për qind e naftës bruto që transportohet me rrugë detare në botë.

Pavarësisht këtyre kërcënimeve, Uashingtoni premtoi t'i mbajë anijet e tij të dislokuara në Gjirin Persik, pasi Shtëpia e Bardhë vlerësoi se paralajmërimet e Iranit tregojnë "dobësinë" e tij dhe efektshmërinë e sanksioneve kundër programit të tij të kundërshtuar bërthamor.

Oficeri më i lartë amerikan, gjenerali Martin Dempsey, u shpreh sot se Irani mendohet të jetë në gjendje të bllokojë ngushticën, një veprim, që, sipas tij, është i patolerueshëm".

"Ata kanë investuar në mjete me të cilat mund t'ia arrijnë të bllokojnë për një farë kohe ngushticën Ormuz. Ne kemi investuar në mjete për t'u siguruar që nëse ndodh kështu, ne do ta rihapim atë", bëri të ditur ai për CBS-në përkrah kreut të Pentagonit Panetta.

"Do të veprojmë dhe do ta rihapim ngushticën në rast mbylljeje", paralajmëroi gjenerali Dempsey.
(ma.ar/afp/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›