Panetta: Largimi i Assadit, i pashmangshëm

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, deklaroi se largimi i Bashar al-Assad nga pushteti është i afërt dhe i pashmangshëm, ndërsa kryengritësit janë duke fituar gjithmonë e më shumë terren në Siri.
Duke komentuar zhvillimet e fundit dhe betejën madhore urbane që po zhvillohet në qytetin e Aleppos, dikur shtëpi e dy milionë banorëve, Panetta deklaroi në CNN: “Assad duhet detyrimisht të largohet dhe ju garantoj se do të largohet. Vetëm atëherë mund të rikthehet stabiliteti në vend”.
Sipas sekretarit të Mbrojtjes, pasi Presidenti i Sirisë të braktisë vendin, nuk do të jetë e vështirë që të rikthehet qetësia në vend.
”Mënyra më e mirë për të ruajtur qëndrueshmërinë është duke mbajtur një forcë të madhe ushtarake, policore e sigurie në vend, diçka të cilën Siria e ka. Rrëzimi i kësaj qeverie është thelbësor për të realizuar tranzicionin drejt një vendi demokratik”, tha Panetta.