E Diel, 1 Nëntor 2026

Panetta i telefonon Imamit: Vlerësoj gatishmërinë e trupave tuaj për të luftuar deri në sakrificën e fundit

Share

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leon Panetta, telefonoi sot pasdite ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami për ti shprehur ngushëllimet e tij dhe të qeverisë së SHBA për humbjen e jetës së Kapiten Feti Vogli gjatë një misioni të përbashkët të trupave speciale shqiptare dhe atyre amerikane në rajonin Shadizi Robat në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak në Kandahar, Afganistan, ku mbeten të plagosur gjithashtu dhe nëntetar Aleksandër Peci dhe një ushtarak amerikan.

Marrim pjesë në dhimbje dhe lutemi së bashku me familjen e kapiten Feti Vogli, u shpreh Sekretari i Mbrojtjes së SHBA, Leon Panetta.

Gatishmëria e trupave tuaja për të luftuar deri në sakrificën e fundit është për tu vlerësuar thellë, tha Panetta, ndërsa shtoi se SHBA dhe populli amerikan, vlerëson shumë mbështetjen e pandërprerë të qeverisë dhe popullit shqiptar.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami falënderoi Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e SHBA dhe populli amerikan ka dhënë për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura.

Jemi krenar që ushtarët tanë dhe amerikanë luftuan së bashku me kurajo dhe profesionalizëm të lartë, u shpreh Imami. Ministri Imami i konfirmoi z. Panetta angazhimin e palëkundshëm të qeverisë shqiptare për të vazhduar kontributin për paqen dhe sigurinë në Afganistan, përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›