E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pangalos-Arifi: Bashkëpunim për çka na bashkon

ATHINË- Greqia dhe Maqedonia duhet të përqendrohen në çështjet që i bashkojnë dhe jo që i ndajnë, ishte mesazhi që zëvendëskryeministrat e të dy vendeve, Theodhoros Pangalos dhe Teuta Arifi theksuan në përfundim të takimit të tyre në Athinë.

"Secili shprehu pikëpamjet e veta, por rezultuan kontatime të përbashkëta, që do të përpiqemi t'i vëmë në zbatim në të ardhmen e afërt", theksoi Pangalos.
"Dua të dërgoj një mesazh të fuqishëm në favor të bashkëpunimit të të dy vendeve, sepse bashkëpunimi përbën përgjigjjen ndaj gjithë problemeve që kanë të dyja vendet", deklaroi Teuta Arifi.

Dy ishin çështjet kryesore që u diskutuan në takim, bashkëpunimi ndërkufitar, me theks në zonat kufitare midis të dy shteteve dhe asistenca e Athinës në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në BE, me shërbime që do të lehtësojnë dialogun me Brukselin dhe do të kontribuojnë në reformimin e administratës publike të vendit fqinj.
Ndonëse Pangalos e Arifi nuk u prononcuan para gazetarëve, edhe çështja e emrit zuri vend në bisedimet e dy nënkryeministrave.

Arifi i dorëzoi Pangalosit një letër të kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski për homologun e tij grek, Lukas Papadhimos, ku Gruevski shpreh gatishmërinë e tij për një takim "në Athinë, Shkup apo kudoqoftë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të zhvilluar bisedime për çështjet dypalëshe dhe për procesin e integrimit euroatlantik" të Maqedonisë.
(m.a/amna/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›