Ndoka: "PD-ja, përgjegjësi për dështimin e ligjit të dosjeve"
Kryetari i PDK-së tha se është pikërisht PD-ja ajo që pengoi ligjin e lustracionit
TIRANË- Partia Demokratike është përgjegjësja kryesore e dështimit të ligjit për dosjet. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, se nuk është Gjykata Kushtetuese ajo që pengoi ligjin e lustracionit, dhe as presioni i institucioneve ndërkombëtare, por lidershipi i Partisë Demokratike, që hartoi një ligj jokushtetues. "Shqiptarët e dinë tashmë se Partia Demokratike është përgjegjësja kryesore dhe e vetme për mosdënimin e krimeve të komunizmit, është përgjegjësja kryesore për mosmbajtjen e premtimit elektoral për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, për dënimet dhe vuajtjet e tyre të padrejta, është përgjegjësja kryesore për kaosin e krijuar me pronësinë në Shqipëri dhe moskthimin e pronës tek pronarët e ligjshëm dhe moskompensimin e ish-pronarëve, kur kthimi i pronës nuk është i mundur",- tha Ndoka. Kryetari i PDK-së theksoi se lidershipi i PD-së po mban peng të djathtën, ndërkohë që kërkon të manipulojë sërish shtresat e ish-të dënuarve politikë, ish-pronarët dhe elektoratin e djathtë shqiptar, me demagogjinë e saj antikomuniste."Unë jam i bindur se me 28 qershor votuesit e djathtë shqiptarë, do të rrëzojnë me votën e tyre edhe ato mbetje të së shkuarës që, duke manipuluar me të djathtën, i kanë shërbyer të majtës gjatë gjithë këtyre viteve", - tha Ndoka.