E Diel, 1 Nëntor 2026

Pango: Si ka ndryshuar jeta ime nëntë muaj pas videos së skandalit

Suplementi Panorama PLUS 

Ermira Shpetimi

Çfarë ndodh në jetën e ish-ministrit të Kulturës, e cila u trondit rëndë nëntë muaj më parë, kur në programin “Fiks Fare” u shfaq një video komprometuese për karrierën dhe jetën e tij? A e ka pranuar Pango kthesën e tmerrshme që mori e jeta e tij, nga një njeri që i kishte të gjitha, në një njeri që i humbi të gjitha? Cilat janë përpjekjet e tij për të na dhënë me prova versionin e tij, që natyrisht do të bindte gjithë opinionin publik për një tjetër të vërtetë. Si ka qenë jeta e tij këto nëntë muaj, larg syve të publikut? Çfarë faktesh që nuk dimë na ka rrëfyer tek libri i tij “Skandal”? Për këto dhe të tjera lexoni më poshtë intervistën e Pangos për “Panorama Plus”.
Pse vendosët që historinë tuaj të pazakontë, të ndodhur rreth nëntë muaj më parë, ta rrëfenit në një libër?
Libri është dëshmi që mbetet. Ata që sulmuan shkruan pafund, e lanë fjalën e tyre nëpër faqe gazetash, televizione etj. Për mua aso kohe, por edhe për mjaft miq të mi që donin të më mbështesnin publikisht, faqet e këtyre gazetave e dyert e televizioneve ishin të mbyllura. Pranoheshin e ftoheshin vetëm sharës e linçues. Kështu ishte dhënë urdhëri. Duhet të flisja, apo jo? Jemi në demokraci. Librin së paku nuk e pengojnë dot.
Në çdo germë të librit ndjehet nevoja e madhe që më në fund gjithkush të kuptojë versionin e vërtetë të ngjarjes, të vërtetën tuaj. Mendoni se nëntë muaj kanë qenë të mjaftueshëm që ata që ju luftuan, të ndërrojnë mendje, të reflektojnë?
Së pari, mjaft njerëz e kuptuan të vërtetën që natën e dytë, pasi u shfaqa në “Tv Klan”. Ata më telefononin, më dërgonin SMS, e-maile etj. E kini parë dhe në libër nga SMS-të, por edhe nga të tjerë më pas, që ka shumë mbështetës. Sulmi pa fre ka qenë më shumë nga analistët, politika, mediat, armiqtë personalë. E vërteta e librit dhe reflektimi për të, është le të themi për ata, "sulmuesit" që mund të mos e kenë kuptuar a njohur ende ngjarjen në detaj. Sa i takon atyre që duan të më shohin të rrëzuar, të depresuar, të vdekur, hakmarrësve, njerëzve mediokër a të vegjël, që më kanë sulmuar edhe në kulmin e suksesit të jetës time, nuk më interesojnë aspak. Në fund të fundit, cilido ka miqtë e armiqtë e vet.
Një thirrje të veçantë i bëni deputetëve të Parlamentit, ish-kolegëve tuaj që ata të mos e lënë në heshtje këtë që ju ndodhi. A mendoni se do gjeni përkrahje edhe prej tyre?
Sikur ta bënin së paku një herë, jo thjesht për mua, por kundër gjëmës që nëpërmjet një emisioni televiziv, mund të goditet e shkatërrohet në mënyrë të kundraligjshme jeta e çdo shqiptari.
Ndërkohë, në libër ju keni shprehur zhgënjimin e madh nga disa syresh, të cilët edhe pse ju kishin mik, përsëri u vunë kundër jush publikisht. Po këta a ka gjasa që më në fund të marrin guximin dhe të dalin publikisht në mbrojten tuaj?
Do të ishte goxha burrëri e kthesë në mentalitetin tonë ende tejet "burrëror" e pa kthim. Këtu ende quhet turp të kërkosh falje dhe po e pate thënë një herë diçka, nuk mund ta kthesh pas. Le që mes tyre ka dhe armiq personalë, që vazhdojnë të ngrenë dolli për atë që më ndodhi.
Për disa as nuk keni shpresë se mund të reflektojnë pasi në libër i keni quajtur katundarë, njerëz orgjish dhe masturbatorë. Pse kaq i ashpër?
Vërtet ju duken të goditur kaq rëndë këta njerëz që edhe pse me emër, janë ku e ku më poshtë se unë si karakter? Pastaj...a thua nuk kalova unë, që po tregohem kaq i ashpër, skëterrën ndoshta më të madhe të linçimit në këta 20 vjet tranzicion drejt demokracisë së dëshiruar? A thua nuk e patë xhunglën e tërbimin me të cilin ditë të tëra rrjesht u sulmova barbarisht? Dhe unë këta ende po i respektoj, pasi nuk po jua përmend emrat.
Një ish kolegut tuaj që iu sulmonte nga ekrani atë kohë, ju i kujtoni pazarin që bënte me prostitutat rrugëve të botës duke i pyetur “Hoë much”. Kjo për të treguar se nëse bëhej fjalë për 'moralin e pastër', nuk e kishit ju rradhën për tu “kryqëzuar”?
A e dini që duke mos qenë kurrë në pozitat e atij e mjaft të tjerëve, kam qenë në gjëndje t'i shoh e trajtoj me tallje meshkuj të tillë jo të paktë, edhe në situata të tjera si këto. Një miku im i vjetër më tha pas ngjarjes: "Gjëja më e paimagjinueshme. Të të gjykojnë ty për femra!" Ai më njihte dhe e dinte se kurrë nuk kam patur nevojë e as e kam patur në tip, të bëja atë që donin ata të bëja nëpërmjet provokimeve të shumta e që sërish nuk e arritën dot. Ndërkohë këta, si ai më sipër e mjaft të tjerë, e kanë bërë e po e bëjnë edhe sot e gjithë ditën. Unë sërish nuk do të bëja gjë të atij lloji e do të vazhdoja punën.
Kryeministri Berisha ju hoqi dy minuta mbasi pa videon edhe pse ju i treguat se ishte e montuar. Si ka mundësi që në libër nuk jeni treguar i ashpër edhe me të?
Mendoj se arsyeja e heqjes ishte më shumë politike. Opozita donte mish njeriu, zgjedhjet po vinin, efekti artistik i një shfaqjeje të montuar me mjeshtëri e të përpunuar një muaj rrjesht ishte i madh e sugjestionues. Thuhet se pati dhe nxitje... Kryeministri, në mjaft dalje të tjera, pjesën e të drejtave të njeriut të shkelura në rastin tim, të hyrjes e fotografimit në shtëpinë a kështjellën e tjetrit, i ka theksuar fort. Po kështu ka theksuar linçimin e mungesën e zërit të organizatave joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të shkelura rëndë në këtë rast. Në fund të fundit, marrëdhënia me të duhet gjykuar nga e shkuara para ngjarjes dhe e ardhmja, pas sqarimit në favorin tim të ngjarjes.
Në libër tregoni se tek ju vinin mjaft femra të rekomanduara nga Çakuli. Pse ishit kaq disponibël ndaj tij?
E pasaktë. Nuk kam qenë aspak disponibël. Asnjë nuk kam punësuar në ministri nga veglat e tij. Idea ka qenë që ai më ka dërguar më shumë provokatore se sa u pa në media, gjë që dëshmon se sa e gjatë dhe e ndyrë ka qenë intriga. Ndër to më ka ndërhyrë vetëm për dy. Njerën e kam nxjerrë jashtë me neveri se ishte shumë vulgare, e dyta është tërhequr duke deklaruar se ishte nxitur dhe se unë jam sjellë korrekt. Deponimin e saj e keni zyrtar.
Sa i takon kryeorganizatorit, duhet te dish se kisha vite pa u ulur me te per kafe a dreke dhe uljet e mia me te kohet para ngjarjes, ishin organizuar nga nje mik i tij e i imi dhe ai, per te realizuar me pas qellimin e tij. Ju mund të pyesni përse më adresohej mua ai dhe jo pse isha disponibël. Kjo sepse dihej që në ministri ishte shpallur vend pune për zëdhënës e juristë, dhe veç atij unë kam patur edhe rekomandime nga TV Klan, TV Alsat, ish pronari i Koha Jonë etj. Ai sic thashe, e shfrytëzoi dhe njohjen time të hershme me të, (jo miqësinë), të cilën e riaktivizoi kohët e fundit para ngjarjes nëpërmjet ftesave për drekë a kafe, kuptohet për të realizuar qëllimin e mëvonshëm "sublim".
Ju thoni se ju kërkohej të bënit Krishtin në shtëpinë tuaj duke e përligjur çdo veprim. Në fakt tani që ka kaluar kaq kohë, mendoni se kishte ndonjë fjalë apo gjest që mund ta kishit kursyer në ato momente gjithsesi shumë delikate?
Më lejoni t'ju them me shume delikatesë, siç e thashë edhe në emisionin ”Opinion”, se ishte e njohura ime. Mund ta shihni dhe në youtub në kasetat origjinale. Aty duket si më ndjek nga pas dhe më rikujton njohjen e vjetër. (Në një gazetë të nesërmen thuhej se unë gënjeja dhe se nuk njiheshim fare). Më pas këtë rol vazhdoi ta luajë edhe në shtëpi se ishte duke regjistruar poshtërsisht. A e kuptoni se i dhashë akses një njeriu të njohur? Dhe prandaj u zgjodh e tillë, se kishin dështuar tentativat e tjera. Prandaj u fut kjo në lojë që po dështonte disa herë, siç mund ta shihni dhe në youtube.
Diku në libër thoni kështu “mua nuk më hëngrën haqet që duhet të laja por ambiciet dhe xhelozitë e panumërta”. Për çfarë haqesh të pa lara e keni fjalën?
Nuk e keni kuptuar. Nuk kam qendër rëndese haqet e palara se nuk kam bërë dëme, veç heqjes nga puna të të paaftëve e intrigantëve. Pra dua të them, se dikush në vend tim, ndofta do të ikte sepse do të kishte haqe për të larë. Unë jo. Pa dyshim që janë gëzuar mjaft edhe disa të paaftë që janë pushuar sepse dridhnin zinxhirin në ministri. Por këta nuk kishin fuqi. Por unë i mëshoj më shumë xhelozive e ambicjeve, urrejtjeve të njerëzve që kishin lidhje e influenca por edhe të njerëzve të vegjël edhe pranë meje që me thashethemet, shpifjet e tyre, gërryen së bashku muret e ngrehinës time, ngritur me mund e punë prej vitesh.
Disa persona publikë që ju kanë sulmuar, ju i keni cituar në libër me emra e të tjerë me pseudonime si psh Pa-Boshti ose Dhelpra. Pse nuk iu përmendni të gjithëve emrat?
Le të themi për etikë. Le të themi për stil, a gusto, a për hir të formës. Le të themi edhe për të mos bërë atë që bënë ata me mua, pra të mos ju prish punë.
Në libër thoni që ndonjëherë keni menduar edhe vetvrasjen. Cila ishte ajo fuqi madhore që ju bëri të ndërroni mendje dhe të luftoni për të kërkuar të drejtën tuaj?
Vetvrasje? Depresion?.. siç është shprehur një palaço televiziv? Jo. Nuk jam nga ai fis. Ka qenë vetëm 24 orëshi i parë i gjithë asaj furtune kur ende nuk po kuptoja se si ishte e mundur gjithë ajo stuhi për një ngjarje aq banale(në kuptimin ngjarje e vockël, kot fare). U duk edhe sikur gjithë njerëzia më ishte vërsulur me sfurqe e sëpata në dorë, dhe kuptimi i jetës, çvendosur papritmas në errësirë mesjete, mu duk i kotë. Plus që disa mediabërës, nga ekrani ma rekomanduan me "dashamirësi" vetvrasjen . Por gjithsesi tek unë, edhe në atë fillim, ajo nuk ishte aspak e konceptuar si vetvrasje. Ishte thjesht një mendim, fluturimthi, që jeta mes njerëzve, ndonese kisha kryer aq punë për të mirën publike, humbiste kuptimin. Pastaj, siç thashë mu gjendën mjaft njerëz e miq, dhe lufta për jetën, rifilloi që ditën e dytë kur u shfaqa në tv Klan, dhe vazhdon e do të vazhdojë gjatë.
Gjatë këtyre muajve ju jeni tërhequr nga jeta publike, si ka qenë një ditë tipike e juaja (librat që keni lexuar, miqtë me të cilët keni ndenjur, familja, djali)?
Kam lexuar, kam shkruar, kam gati një libër tjetër, kam udhëtuar e kam takuar miq jashtë vendit, kam ndenjur me djalin, motrën, nënën, nipin, mbesën, të afërmit me të cilët banoj në një shtëpi, jam ulur me miqtë, jam marrë me çështjen time (padinë e avokatët), kam përpunuar ide mbi punë të ardhshme... kam jetuar.
A e keni menduar ndonjëherë opsionin e largimit nga Shqipëria, si një vend që nuk mund t’ju ofrojë më mundësira për të rifilluar?
Mundësi për të rifilluar gjënden gjithnjë edhe këtu. Sado që është turp që një njeriu me atributet, eksperiencën, punët e mëdha të bëra për këtë vend, t'i diskutohet mundësia, jo më të lihet pa punë. Gjithsesi këtu çdo gjë ndodh. Opsioni i largimit mund të jetë shfaqur ndofta në muajt e parë pas ngjarjes, por jo nga mundësitë e punësimit, por nga neveria që më shkaktoi ajo pjesë e njerëzve, të transformuar në hiena e çakej, ulëritës mbi një pre të vetme të goditur keqas e të flakur për tokë. Kjo ishte turp e neveri bashkë. Burracakëri. Këta vërtet të bëjnë të largohesh. Por siç e kam shkruar, ka mjaft të tjerë, miq e njerëz të vërtetë, që të bëjnë të mendosh se shpresa në këtë vend nuk humbet kurrë. Jo, nuk duhen gjykuar kurrë keq gjithë shqiptarët, sado keq të ndjehesh. Shumë shumë duhet neveritur ajo pjesë e tyre që  si kudo mund të quhet plehu i shoqërisë. Herë herë edhe i ambalazhuar bukur.
Pak javë më parë historia juaj rierdhi në vëmendje pasi në “you tube” u publikua videoja e pacencuruar e kurthit tuaj, ku tregohet çdo moment i përgatitjes së kësaj videoje. Një kuriozitet, si e siguruat?
Nuk e sigurova unë. E siguruan të tjerë. Ju thashë që kam miq. Këtu e jashtë vendi.
Ndërkohë gazeta jonë publikoi fotot aktuale të vajzës që organizoi kurthin, ku tregohej se ajo jetonte në Francë dhe ia kalonte si mos më mirë. Si u ndjetë kur i patë ato foto?
Nuk do më besoni po tu them se nuk i kam parë fare. E di që janë, se më thanë, por kam neveri. Megjithatë ajo vajzë, është gjëja më e fundit, më mjerane e më e pavlerë e kësaj historie turpi për ata që e bënë e për ata që e nxitën. Ju natyrisht si mbarë gazetaria jonë, mund ta bëni edhe personazh. Por në një aspekt, ajo është për të ardhur keq. A e kuptoni, të jesh vegël, aq më shumë kur je femër. Përgjithësisht këto nuk kanë jetë të mirë, dhe e keqja u vjen gjithnjë nga ustallarët a padronët e tyre.
Ju në libër thoni se vajza u shpërblye me 2 milion lekë të reja, ka blerë me to edhe një makinë dhe me të bredh nëpër Tiranë. Çfarë do t’i thoshin nëse rastësia do t’ju përballte diku me të?
Ca thonë që edhe ato para nuk i ka marrë. Gjithsesi me këto nuk jam marrë e nuk më interesojnë, por vinë e mi thonë ndonjëherë njerëz të zellshëm për thashetheme... Më falni po pjesa e dytë e pyetjes të bën të vesh buzën në gaz. Ju përfytyroni pa dyshim një dramë midis një niveli të lartë karakterial, kulturor e intelektual si ai i asaj vajze dhe meje? O zot ç'përfytyrim i ndezur! 
Në libër ju keni publikuar shumë SMS mbështetjeje, madje kemi vënë re se shumë prej tyre janë vajza, të njohura dhe të panjohura për ju. Ndonjëra ju shpreh edhe simpati personale. Keni pranuar ftesën e ndonjërës për kafe apo tani keni vendosur të mos i besoni më askujt?
O Zot sa dramë edhe këtu?! "Keni vendosur të mos i besoni më askujt"... e pas kësaj duhet të vijë pa tjetër: "Ai u mbyll në një manastir të largët murgjish në Kalkidiki" apo "kurrë nuk i pa më femrat me sy". Më lejoni ju lutem të qesh me gjithë zemër. Nuk e kam me ju, por me një mentalitet të tërë që synon të bëhet evropian.
Dhe së fundi çfarë do të bëhet me jetën tuaj, cilat do të jenë angazhimet tuaja; përsëri në politikë, në fakultet, apo një intelektual i lirë, i paangazhuar?
Le t'ia lëmë jetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›