E Shtunë, 31 Tetor 2026

LUSTRACIONI, POLITIKA DHE NDERKOMBETARET

Ka disa kohë që sytë dhe veshët e publikut po shqyhen para gazetave dhe televizioneve, të cilët kanë krijuar një kakofoni të parimuar në lidhje me çështjen e lustracionit apo ligjit të votuar në Kuvend, para dy muajsh dhe të saporrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, të quajtur "Mbi figurën e personit zyrtar të zgjedhur apo të emëruar", ligj që nuk gjeti mbështetjen e opozitës e që u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të saj.

Në fakt, çështja që trajtonte ky ligj është rrahur dhe trajtuar disa herë nga institucionet shqiptare. Ky ligj ka pretendime të besueshme, sepse u trajtua në formën e vet të parë në kohën e qeverisjes së parë blu, pas ‘90-ës, në mënyrë selektive dhe politike prej ish-presidentit të atëhershëm, zotit Sali Berisha. Më pas, me ardhjen e PS-së në pushtet, pas vitit 1997, ky ligj u ndryshua dhe, madje edhe u abrogua prej shumicës së saj, e cila nuk kishte vullnet ta trajtonte në mënyrë efikase çështjen e ndarjes nga demoni i komunizmit, për shkak se shumica e tyre nuk përfaqësonin një rrymë politike të majtë moderne, por një parti që ndryshimin e sistemit e kishte pranuar pa vullnetin e saj, por edhe për shkak të lëvizjeve shtrënguese nga poshtë, prej ngjarjeve të vrullshme të rebelimit studentor e mbarëpopullor në lëvizjet e viteve 1989-1991. Lëvizje të tilla erdhën si rezultat i efektit domino në zonën e kuqe të perdes së hekurt, ku në vende të tilla, si Rumania, rezultatet ishin të përgjakshme dhe përfunduan me eliminimin fizik të atyre që drejtonin Rumaninë (kujtoni çiftin Çaushesku). Nën shembullin e tij, klasa politike udhëheqëse në Shqipëri, e nën drejtimin dinak të zotit Ramiz Alia zgjodhi rrugën e tërheqjes dhe lëshimeve hap pas hapi me dy pikësynime përkatësisht afatshkurtër dhe afatgjatë: Së pari, shpëtimin e lëkurës edhe prej dënimeve afatgjata, për shkak të krimeve 45-vjeçare nga mundësia e shpagimit të tyre ndaj shqiptarëve dhe, së dyti, marrjen e pushtetit politik dhe ekonomik, në një fazë kur tallazi i rebelimit të kishte rënë.

Dhe të dyja këto projeksione të saj duket se dolën të suksesshme në këto 18 vjet, edhe në sajë të mbështetjes së ndërkombëtarëve, të cilët në politikë duket se, më shumë se nga parimet, udhëhiqen nga shprehja e vjetër pragmatiste e Lord Palmerstonit: "Në politikë nuk ka miq dhe armiq të përjetshëm, por ka interesa të përjetshme". Kjo politikë ndaj vendeve të vogla dhe satelite, sidomos atyre që vijnë nga golgota e komunizmit të pas Luftës së Dytë Botërore, zakonisht shoqërohet nga ndërkombëtarët me parimin e ekuilibrit të brendshëm të forcave. Madje, ata udhëhiqen nga parimi hegelian tezë-antitezë-sintezë, por me kuptimin problem-kundërveprim-zgjidhje. Kështu duket se është vepruar prej tyre me rastin e problemit të lustracionit. Pasi elita perëndimore pezulloi Luftën e Ftohtë dhe bëri që, me arritjet e saj në sferën ekonomike e ushtarake, ta falimentonte sferën komuniste, u krijua bindja e gabuar se ata do ta çrrënjosnin komunizmin dhe njerëzit kryesorë të makinerisë së tij do ta shpaguanin. Në fillim u krijua një iluzion i tillë, por më pas u kuptua dhe u zbulua stratagjema e tyre në raport me klasat përgjegjëse të masakrave e aparatit të zellshëm represiv të diktaturës në vendet ish-komuniste. Aq sa të krijohet mendimi se komunistët kanë qenë që nga viti 1917 në Rusi, veçse "petsy" (syleshë) të vendosur në pushtet dhe të komanduar gjatë gjithë kohës prej tyre.

Zakonisht në Perëndim, sulltan Abdyl Hamiti konsiderohet, me të drejtë nga studiuesit, si sulltani i kuq, për shkak të krimeve të tij të mëdha në afro 35 vjet (dhe e dini se sa vrau në të njëjtën periudhë kohore, në një perandori të paanë, ku, ndërsa në dimër në veri të saj binte borë, në jug të përvëlonte dielli dhe me një popullatë prej rreth 100 milionë banorësh dhe në një kohë kur qeveriste pa Kushtetutë dhe që s‘ekzistonte Lidhja e Kombeve dhe të drejtat e njeriut? Dhe në një territor ku populli i perandorisë përbëhej nga dhjetëra kombe të ndryshme që aspironin për liri? Vetëm 30 mijë njerëz. Më pak viktima dhe të burgosur nga sa shkaktoi junta hoxhiste në Shqipërinë tonë të vogël dhe me një dominim absolut në numër të shqiptarëve brenda saj).

Por kush fitoi dhe kush humbi nga anulimi i këtij ligji në raport me objektivat që palët kërkonin të arrinin:

- pozita e dominuar nga lideri i saj (lojtar që i kupton si askush tjetër stratagjemat dhe strategjitë e palëve të sofistikuara), Berisha, synonte që me këtë ligj "elektoral" të blinte pa kosto, në prag të zgjedhjeve të këtij qershori, mbështetjen e ish-"klasave të përmbysura" dhe ish-pronarëve të masakruar nga komunistët, por edhe të shtresave të gjera racionale, që kishin mbështetur ndryshimin e regjimit më 1990, të nisur nga studentët e dhjetorit dhe nga PD-ja. Ai, si pragmatist, ka bërë shumë pak për ta dhe kërkon t‘i mashtrojë edhe një herë për t‘u marrë votën. Kjo sjellje u duk edhe me veprimet e tij me rastin e 20 shkurtit, ku dy paradokset më të mëdha të Berishës dhe Topallit ishin ministrat shoqërues që kishin në krah, biografia personale e familjare e të cilëve nuk kishte asnjë lidhje me këtë datë historike. Duke u rikthyer te çështja, ka pasur supozime se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Lustracionit mund të jetë një skemë perverse edhe e vetë PD-së, me objektiv për të krijuar atraksionin për mbështetjen në zgjedhje të shqiptarëve të shumtë e të ndershëm, që e simpatizonin këtë ligj. Por gjithashtu, Berisha akuzohet, ndoshta me të drejtë, se ai, më së shumti ka gjasa ta ketë kërkuar këtë ligj edhe për të shkatërruar darën e prokurorëve të vjetër, të cilët si njerëz me eksperiencë dhe që duan t‘i lajnë hesapet me radiologun rebel ndaj ish-klasës së tij të komunistëve të PPSH-së më 1990-ën. Pra, qëndrimi i Berishës për Lustracionin në këtë rast është më tepër pragmatist se sa parimor. Sidomos kjo do t‘i vlente për të larguar vëmendjen e publikut në këtë kohë, kur figura e qeverisë dhe e rrethit të familjes së tij, duket se ka arritur të njolloset nga opozita dhe një pjesë e mediave. Dhe në të vërtetë, nepotizmi dhe krahinarizmi i tij duken ashiqare, ndonëse modelin e ka marrë nga "ansambli labëria" i qeverisjeve akoma më lokaliste të PS-së në vitet 1997-2005. Dhe kjo është një fatkeqësi për integrimin kombëtar. Ndoshta Berisha mund t‘i realizonte qëllimet berishiste më 2009-2013 me një rinovim parazgjedhor të strukturave të PD-së, ashtu siç bëri me KOP-in para katër vjetësh. Madje, berishizmi i tij mund të ishte më komod nëse edhe vetë Berisha do të premtonte të lëshonte një nga dy pozicionet e tij partiake a kryeministrore, po qe se do të fitonte zgjedhjet dhe të tregonte para publikut, madje, edhe kandidatin që do ta zëvendësonte në postin e lënë vakant;

- opozita, e cila kujton se fitoi me rrëzimin e Lustracionit, në përgjithësi nuk e kupton taktikën hegeliane të ndërkombëtarëve (të cilët synojnë që këtu të mos ketë asnjë gjel për të kakarisur);

- publiku shqiptar gjithashtu duket se humbi, pasi shoqëria shqiptare, nëpërmjet shtetit ligjor nuk arriti të krijonte modelin e politikanit dhe administratorit profan e t‘u linte brezave të rinj një shembull se, çdo akt dhune masive vjen një moment dhe shpaguhet në forma të ndryshme prej inkuizitorëve, dhe t‘i mësojë gjeneratat e reja si të veprojnë kur në krye të shtetit, për shkak të rrethanave, mund të sundojnë diktaturat;

- ndërkombëtarët duket se fituan me hegelianizmin e tyre dhe ngjasin si me fabulën e ujit të gomarit: i kanë zënë politikanët tanë "puppet strings" (kukulla me tela) për veshi dhe i pyesin se ç‘ujë i kanë dhënë gomarit, të ngrohtë apo të ftohtë. Merret me mend se atyre u tërhiqet veshi sa herë që thonë një nga dy zgjedhjet e ujit.

A ka një rrugëzgjidhje nga mazhoranca e sotme, e cila është paraqitur si e përvëluar për kalimin e këtij ligji? Ka njerëz specialistë që mendojnë se po! Por në këtë rast, ky ligj do të ishte vetëm për të emëruarit dhe jo për të zgjedhurit, e do të ishte gjysma e së keqes. PD mund të kërkonte që, bashkë me zgjedhjet, të kishte edhe referendum për këtë ligj. Dhe kjo do t‘i vlente asaj edhe si një tonik për ta nxjerrë nga përgjumja e nokdaunit të shkaktuar nga filozofia hegeliane e ndërkombëtarëve (jo e Gjykatës Kushtetuese, siç besohet nga naivët), në rast se PD vërtet e do Ligjin e Lustracionit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›