Panik në PS pas nismës për imunitetet - Rama del në ilegalitet, ndërkohë që të tremburit flasin për instalim regjimi
Nisma e PD për heqjen e imunitetit ka zënë në befasi PS-në. Edi Rama është zhdukur nga tribunat politike, ndërkohë që fjalët pa përgjegjësi, ia ka deleguar Erion Braçes, i cili përmes facebook-ut ka guxuar të flasë për “qëndresë” dhe “instalim regjimi”
Partia Socialiste s’ka shprehur asnjë reagim lidhur me propozimin e mazhorancës për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë me Kushtetutë. Heqja e imunitetit është një nga rekomandimet bazë të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti dhe mazhoranca ka shprehur të gjithë zotimin e saj për t’iu përgjigjur pozitivisht kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian. Edhe pse ka qenë ndër tematikat që ka prodhuar gjithmonë debat, akuza dhe kundërakuza duke filluar nga viti 2008, heqja e imunitetit duket se s’është më prioritet i Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj, Edi Rama. Një sërë deputetësh të forcës më të madhe opozitare të kontaktuar, nuk dinë të thonë se cili do të jetë qëndrimi i PS-së në këtë rast, të gjendur të papërgatitur, pasi demokratët kanë bërë hapin e parët për çështjen e shumëpërfolur të imunitetit.
Një ditë pas propozimit të mazhorancës për të kufizuar me Kushtetutë mbrojtjen që ligji iu jep zyrtarëve të lartë, selia rozë hesht. Socialistët pohojnë se PS do të ketë qëndrim zyrtar për këtë çështje. Ndërhyrja në Kushtetutë për imunitetin, siç demokratët propozojnë, po mendohet nga socialistët për tu zgjeruar edhe për çështje të tjera. Ata pohojnë se mundësia e një tjetër propozimi nga ana e socialistëve për mënyrën sesi duhet të kufizohet imuniteti nga ana e zyrtarëve të lartë, por nuk bëhet e qartë nëse edhe propozimi i socialistëve e parashikon ndryshimin kushtetues për këtë çështje. PS thotë se po punohet nga grupi i punës për një nismë që u paralajmërua pak kohë më parë nga kryetari i selisë rozë, Edi Rama. I vetmi deputet i opozitës, që ka komentuar në profilin e tij në Facebook, propozimin e demokratëve, është deputeti Erjon Braçe. Deputeti i PS-së thotë se me këto amendamente PD po përgatit grusht shteti në Kuvend. Më shumë se një arsyetim politik, Braçe përcolli ndjenjë paniku dhe frike duke u alarmuar se tash e tutje do arrestohen pa dallim deputetët e opozitës. “Po propozon ndryshime që i jep vetes të drejtë të arrestojë deputetë edhe brenda sallës së Parlamentit”- tha Braçe në reagimin e tij panik-ndjellës. Dhe kjo tregon jo pak, por të gjithë trysninë dhe tensionin e grupit parlamentar socialist nëse u “zhvishet” imuniteti. Vetë kryesocialisti s’ka kurrfarë imunitetit dhe s’i kanoset asnjë rrezik padije apo ndjekje penale për ndonjë akuzë të mundshme. Sa ishte kryetar bashkie, me gjithë abuzimet marramendëse ia hodhi paq, duke mos mbajtur përgjegjësi për masakrën urbane, lejet e ndërtimit në këmbim të 20%-shit dhe abuzimet partiake (në favor të fushatës së PS), të taksave të qytetarëve. Ndaj, gjithçka shkon në funksion të përgjegjësive të anëtarëve të grupit parlamentar socialist, të cilët të shumtë në numër biznesmenë, s’e lejojnë PS-në të shkojë drejt një konsensusi me mazhorancën për të kufizuar imunitetin dhe përmbushur një nga rekomandimet bazë të Bashkimit Evropian.
Neni 73/Ishte
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura ne Kuvend dhe per votat e dhëna prej tij. Kjo dispozite nuk zbatohet ne
rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund te ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kerkohet edhe ne rastin kur ai do te arrestohet.
3. Deputeti mund te ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet ne kryerje e siper ose menjëherë pas kryerjes se një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
Neni 73/ Bëhet
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj tjetër përgjegjësie për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrim të detyrave dhe të drejtave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale e tij në ndonjë formë, dhe ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij/saj në qoftë se dhe për sa kohë, Kuvendi (ose një organ i caktuar i tij) kërkon zbatimin e imunitetit te deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund ta kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të njoftohet menjëherë sapo që nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme.