E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panariti-Kaur: Bashkëpunim të mëtejshëm mes dy vendeve

Ministri i jashtëm Edmond Panariti është takuar sot me ministren e shtetit të Indisë Peneet Kaur, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ministri Panariti pasi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Indisë, u ndal në mundësitë e mëdha të bashkëpunimit dypalësh.

Ai i kushtoi vëmendje të veçantë marrëdhënieve në fushën ekonomike, sidomos investimeve në vendin tonë në fushën e energjitikës, turizmit, teknologjisë, por dhe bashkëpunimit në fusha të tjera, si ato të arsimit, kulturës etj.
 

Në këtë kuadër, Ministri Panariti u ndal në nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor, duke vënë theksin në përfundimin e marrëveshjeve dypalëshe, të cilat janë në proces, si ato për liberalizimin e vizave, heqjen e taksimit të dyfishtë, mbrojtjen e investimeve etj.
 

Ai nënvizoi gjithashtu nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga India, gjë që do t`i shërbejë konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës, forcimit të paqes dhe stabilitetit të mëtejshëm në rajonin e Ballkanit.
 

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke ndërmjet dy vendeve në organizatat ndërkombëtare e veçanërisht në OKB.
 

Znj. Kaur, pasi shprehu gadishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat e lartpërmendura, i dorëzoi ndërkohë Ministrit të Jashtëm Edmond Panariti ftesën e Ministrit të Jashtëm të Indisë, Z.S.M.Krishna për vizitë zyrtare në Indi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›