Paniku i PS, nxiton t’i mbyllë negociatat, pa përfshirë dialogun me LSI-në
E bindura e Edvinit, Valentina Leskaj ka mbyllur dje çdo perspektivë për rishikimin e Kodit Zgjedhor, për t’i dhënë një vend në KQZ edhe LSI-së, megjithatë Rregullorja e Kuvendit parashikon mundësinë që me kompromis, ndërhyrjet të bëhen edhe në nene të kodit, që s’janë kontestuar nga presidenti i republikës
TIRANE - Konferenca e kryetarëve vendosi ringritjen e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore pas mos dekretimit të kodit zgjedhor nga Presidenti i Republikës. Ndërsa PD-ja nuk shpreh asnjë rezervë apo kompleks për gjetjen e nj mundësie për përfaqësimin edhe të LSI-së në KQZ, PS-ja, këmbëngul që në diskutimet për ndryshimet në Kod, të përqendrohen vetëm në propozimet e Presidentit, duke përjashtuar mundësinë e një konsensusi me LSI-në.
Dje, në kushtet e një rasti të paprecedentë, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka mbledhur Konferencën e Kryetarëve lidhur me faktin se komisioni parlamentar i ligjeve nuk kishte legjitimitetin përkatës.
Konferenca e Kryetarëve ka pasur dy rrugë zgjidhjeje ose atë të ndryshimit të rregullores së parlamentit ose të ringritjes së komisionit.
Bazuar në nenin 86 të rregullores konferenca shprehu mbështetje për këtë të fundit.
Gjithashtu komisioni do të ketë në dispozicion një afat limit 8 javor për të kryer ndryshimet, por që nuk do të thotë se do të korrespondojë me mandatin e tij.
Astrit Patozi
Kryetari i grupit Parlamentar të PD-së Astrit Patozi, u shpreh se rimandatimi i komisionit të reformës zgjedhore u vendos pas një konsensusi të gjerë në konferencë dhe më respekt të plotë me rregulloren. Sipas tij, ligjet që kthehen nga Presidenti duhet të rishqyrtohen nga i njëjti komision i rregullores që i ka trajtuar ato paraprakisht.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, vuri në dukje se mandati i këtij komisioni është i përcaktuar nga vetë rregullorja e cila parashikon që ligji i kthyer nga presidenti i republikës në këtë rast kodi, nuk mund të shkojë më tepër se 8 javë, duke qëndruar brenda këtij mandati.
“Kemi qenë të detyruar që ta ringremë komisionin i cili brenda një afati sa më të shkurtër do të kalojë kodin Elektoral në seancën plenare. Mandati i këtij komisioni është i përcaktuar nga vetë rregullorja. Domethënë brenda 8 javësh duhen kaluar pikat ku nuk ishte dakord Presidenti”, deklaroi Patozi.
Për sa i takon negocimeve dhe bisedimeve, Patozi shtoi se kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me konferencën e kryetarëve.
“Është në vullnetin e lirë të forcave politike që do përfshihen në ritrajtimin e Kodit Elektoral”, theksoi Patozi.
Ai shtoi më tej se komisioni i ringritur i reformës do e trajtojë me shumë seriozitet, me shumë përgjegjësi dekretin në mënyrë që të jetë sa më shpejt në seancë.
Valentina Leskaj
Për kryetaren e grupit kuvendor socialist Valentina Leskaj, nuk do të ketë negociata për çështje të tjera për sa kohë që dekreti i Presidentit bën fjalë vetëm për një çështjen dhe komisioni do të shqyrtojë dekretin e Presidentit.
“Është një çështje që do të shqyrtohet dhe nuk ka nevojë për 8 javë”, deklaroi Leskaj.
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, Valentina Leskaj ka përjashtuar kategorikisht, mundësinë e gjetjes së konsensusit me LSI-në, për sa i përket kërkesave të kësaj partie, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Absolutisht që nuk ka negociata të tjera për sa kohë që Dekreti i Presidentit bën fjalë vetëm për një çështje dhe komisioni do të shqyrtojë këtë dekret. Pra, vendimi i konferencës është që komisioni ngrihet për të shqyrtuar Dekretin e Presidentit. Dekreti i presidentit ka të bëjë vetëm me një çështje”, është shprehur Leskaj.
Kodi Zgjedhor i cili kaloi me një shumicë të konsiderueshme votash në parlament, nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, pasi në të nuk ishte përcaktuar saktë shpallja e datës së zgjedhjeve nga Kreu i Shtetit. Në përgjigje të kërkesës së Presidentit të Republikës, Konferenca e Kryetarëve vendosi ringritjen e komisionit parlamentar për Reformën zgjedhore, e cila do të rishqyrtojë dhe njëherë nenet e kontestuara. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve u ra dakord që ditën e hënë të ngrihet komisioni “Ad Hoc” për të shqyrtuar dekretin e Presidentit të Republikës.