Historia e themelimit të PD-së 18 vjet më parë
Nismëtarët dhe programi i parë i partisë së parë pluraliste
TIRANE - Një vit pas rrëzimit të Murit të Berlinit, më 12 dhjetor të vitit 1990, sipas takimit të lënë në mesnatën e një ditë me parë, u mblodhën në një dhomë të shtëpisë së Gramoz Pashkos, Sali Berisha, Azem Hajdari, Arben Imami, Preç Zogaj, Mitro Çela Arben Lika, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Blendi Gonxhja, Alma Bendo, Sokrat Nesturi, Ilir Myftari Merita Zaloshnja dhe Zenel Hoxha, me qëllim themelimin e partisë së parë opozitare.
Një ditë më parë (më 11 dhjetor 1990), Byroja Politike e PPSH, pranoi publikisht pluralizmin politik. Zyrtarisht kjo e drejtë u bë e mundshme, pas dekretit të datës 17 nëntor të vitit 1990, që lejonte partitë politike. Fillimisht studenteve ishin këshilluar të krijonin një parti të studenteve dhe intelektualëve të rinj.
Mëngjesin e 12 dhjetorit, intelektualë e studentë, diskutuan për krijimin e një partie opozitare, e cila do të luftonte për shembjen e komunizmit. Në këtë takim mbizotëroi ideja për krijimin e një Partie Demokratike, siç edhe kishin kërkuar pjesëmarrës të shumtë në mitingun e organizuar një natë më parë.
Të pranishmit në këtë takim arritën konsensusin për emrin PD rreth orës 10.00 të paradites së 12 dhjetorit të vitit 1990.
Pas mirëpritjes së kësaj partie edhe nga ana e studentëve, nismëtarët për themelimin e PD vendosën që pasditen e datës 12 dhjetor, në orën 16.30, të bëhej mitingu, ku do të shpallej themelimi i PD.
Shpallja e themelimit të PD-së, u pasua me punën e themeluesve të PD-së për hartimin e programit të partisë, i cili do t’i paraqitej publikut.
Programi u hartua brenda disa orësh në një nga dhomat e shtëpisë së Gramoz Pashkos.
Më pas grupi nismëtar iu bashkuan edhe Aleksandër Meksi, Arben Demeti, Genc Ruli, Eduart Selami, Bardhyl Reso, Petrit Dodbiba, Edmond Budina
Grupi nismëtar përzgjodhi grupet e punës për strukturave të partisë dhe në mbledhjen e 13 dhjetorit 1990, u miratua edhe rezoluta e parë politike në vend.
Në 14 dhjetor 1990 u ngritën grupet e punës, sikurse ishte Grupi Politik, Grupi Organizativ, Grupi i Shtypit, Grupi i Financave, Grupi i Sekretarëve, Grupi i Shërbimeve, etj.