Poeti suedez Tomas Transtromer fitoi çmimin Nobel për letërsi

Akademia Suedeze tha se e ka njohur poetin 80 vjeçar “sepse, nëpërmes imazheve të tejdukshme, të përmbledhura, ai na jep akses të freskët ndaj realitetit”.
Në vitin 1990, Transtromer vuajti nga një sulm, që e la atë gjysmë të paralizuar dhe të paaftë për të folur, por ai vazhdoi të shkruajë dhe botoi, në vitin 2004, një përmbledhje me poema "The Great Enigma".
Transtromer ka qenë favorit shumëvjeçar për shpërblimin në vlerë prej 1o milionë krona suedeze (1.5 milion dollarë) dhe në vitet e fundit gazetarët suedezë kanë pritur para apartamentit të tij në Stockholm atë ditë kur është shpallur çmimi Nobel për letërsi.
Në mesin e veprave më të njohura të poetit Transtromer përfshihen "Windows and Stones", e botuar në vitin 1966, në të cilën ai përshkruan tema nga udhëtimet e tij të shumta dhe vepra tjetër "Baltics", e botuar në vitin 1974.
Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë dhe kanë ndikuar te poetët tjerë nëpër botë, në veçanti në Amerikën Veriore.
Që nga vitet pesëdhjeta, Transtromer ka pasur një miqësi të afërt me poetin amerikan Robert Bly, i cili i përktheu në gjuhën angleze shumicën e veprave të tij. Në vitin 2001, shtëpia botuese suedeze e Transtromer-it ‘Bonniers’ e botoi në një libër korrespondencën ndërmjet dy shkrimtarëve, e cila u titullua "Air Mail".
Në fillim të këtij viti, shtëpia botuese ‘Bonniers’ e lëshoi në qarkullim përmbledhjen e veprave të tij ndërmjet viteve 1954 dhe 2004, për të festuar ditëlindjen e tetëdhjetë të autorit.
I lindur në Stockholm në vitin 1931, Transtromer u rrit i vetëm bashkë me nënën e tij mësuese pasi ajo u shkurorëzua nga babai i tij gazetar. Ai filloi të shkruajë poezi derisa studionte në shkollën Sodra Latin në Stockholm dhe debutoi me përmbledhjen “Seventeen Poems” (Shtatëmbëdhjetë poema) në moshën 23 vjeçare.
Ai e mori një diplomë në psikologji nga Universiteti i Stokholmit dhe më vonë e ndau kohën e tij ndërmjet poezisë dhe punës së tij si psikolog.