E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pano: “Besa e meritoi, Tirana e papërgatitur”

Panajot Pano, legjenda e futbollit shqiptar, nuk mund të ndahet dot nga fusha e blertë, edhe pse prej vitesh si një spektator "VIP" i stadiumeve tona. Edhe të enjten në mbrëmje, ish-futbollisti i famshëm i Partizanit ishte i pranishëm në kualifikimin historik të Besës në Kupën UEFA. I njohur me kundërshtarin e ri të Beses ne turin e dyte te Kupes UEFA, Pano tha: "Bullgaria, si një vend ballkanik, ka një futboll të këtij stili. Unë mendoj se ekipi i Liteksit nuk është i pathyeshëm. Shpresat për një rezultat pozitiv janë reale". Pano eshte futbollisti më i madh shqiptar, njëherësh edhe një nga 52 fituesit e cmimit "Lojtari i artë" (nga një për cdo vend) dhënë nga UEFA në vitin 2003 dhe "Lojtari i shekullit" i shpallur nga FIFA në vitin 2005. Panajoti ka realizuar disa gola të mrekullueshëm në ndeshjet ndërkombëtare me Partizanin.

Pano, një kualifikim i merituar i Besës në turin e dytë të Kupës UEFA, për më tepër ndaj një skuadre serbe
Më shumë se i tillë. Besa ishte e motivuar për ta arritur kualifikimin, kjo edhe për shkak se kavajasit kishin gati 35 vjet që nuk luanin në arenën ndërkombëtare. Takimi Besa-Bezanija pati dy tablo gjatë 90 minutave. Në pjesën e parë Besa luajti jashtëzakonisht bukur me kombinacione të mira, sidomos në 25 minutat e para të pjesës së parë, ku pati edhe disa raste të mira shënimi, kulmi i të cilave ishte dhe gjuajtja e shkëlqyer e Xhihanit nga 25 metra. Gjatë pjesës tjetër të lojës, Besa ra nga kondicioni fizik dhe mendoi më shumë për mbrojtjen dhe kundërsulmin e shpejtë. Në tërësinë e lojës, kryesorja është që Besa e meritoi kualifikimin pasi zhvilloi një lojë të mirë në Serbi (2-2), që diktoi edhe ndeshjen e kthimit dhe me një rezultat 0-0 apo 1-1
Ju ndoqët edhe Tiranën, që dështoi në turin e parë të Ligës së Kampioneve kundër sllovenëve të Domzhales. Cfarë i mungoi kampionëve të Shqipërisë?
I kam parë thuajse të gjitha ndeshjet, si të Vllaznisë, Tiranës dhe Besës, me përjashtim të Teutës, që e zhvilloi ndeshjen në të njëjtën ditë me skuadrën kavajase. Për mendimin tim, Tirana m'u duk e papërgatitur nga ana fizike dhe jo shumë e motivuar për lojën. Skuadra kundërshtare (Domzhale) që nga minuta e parë dëshmoi se kishte ardhur për të fituar në Shqipëri. Luajti me një temp jashtëzakonisht të lartë dhe nga pikëpamja fizike ishte shumë më lart se Tirana. Unë mendoj se nëse disa lojtarë të Tiranës do të ishin më të motivuar, do të kishin marrë një rezultat pozitiv, që mund të sillte edhe kualifikimin.
Tirana me një trajner shqiptar, Besa me një të huaj. A konstatuat ndonjë ndryshim?
Po. Trajneri rumun ndërtoi një strategji loje shumë efikase. Edhe zëvendësimet i bëri mjaft të goditura dhe mënyra si e udhëzoi ekipin para dhe gjatë zhvillimit të takimit solli dhe kualifikimin. Një trajner i huaj duhet në Shqipëri, por stafi tjetër duhet të jetë shqiptar.
Pano, ju jeni një nga futbollistët shqiptarë me më shumë përvojë ndërkombëtare në nivelin e klubeve. A keni pasur rast të luanit për ekipe të tjera, përfshirë edhe Besën?
Me Besën nuk kam luajtur pasi Partizani merrte pjesë vazhdimisht në kompeticionet ndërkombëtare. Por, kam luajtur për fanellën e Dinamos në vitin 1962 në Kupën Ballkanike dhe më Tiranën kundër Standard Liezhit në Ligën e Kampioneve në vitin 1969.
Cili ka qenë niveli i skuadrave me të cilat je ndeshur si lojtar?
Për të thënë të vërtetën, kundërshtarët tanë kanë qenë në një nivel më të lartë se këto që po shohim tani. Emra të mëdhenj si Norkepingu, Advitaberg, Austria e Vienës, Vakerin i Insbrukut, Këlni, Torino, Fenerbahce, Bajerni i Munihut, Ajaksi i Amsterdamit, ndër më të mirënjohurit të atyre viteve. Sot edhe për shkak të zonave gjeografike që aplikon UEFA, ekipet me të cilat përballemi janë të përafërt me nivelin tonë.
Le të kalojmë te eliminatoret e Euro 2008. Cili është mendimi i Panos?
Të them të drejtën, nëse Brigeli do të kishte bërë ripërtëritjen e ekipit qysh kur mori drejtimin e ekipit para pesë vjetësh, me atë që po bën Barici jam i bindur se do të ndodheshim në një pozicion më të mirë në grup. Për mendimin tim, Baric ka punuar më mirë se Brigeli, që më duket se erdhi për të marrë më shumë famë se bëri një punë që do t'i shërbente së ardhmes.
A ka talente që premtojnë shumë në Shqipëri?
Pa dyshim që ka, por ata prishen nga presidentët me mënyrat se i trajtojnë. Akademia e Partizanit ka prodhuar shumë talente dhe po ndihmon Partizanin. Shkodrani Salihi është një talent që po rritet dita-ditës, por unë mendoj se ai duhet shfrytëzuar shumë me Kombëtaren dhe jo të rrijë në stol
Duke njohur ekipet dhe zhvillimin e merkatos së tyre, kush mund të jetë pretendenti kryesor në Kategorinë Superiore?
Kur të shohim të paktën pesë ndeshjet e para të tyre, do të vlerësojmë se cilët janë favoritët për titull. Fillimi i mirë, gjysma e punës, - thoshim ne atëherë.
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›