E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panteliq dyshohet për shmangie tatimi

Nga Express më 17 maj 2011 në ora 12:14

(E plotësuar) Kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, ka konfirmuar për gazetarët se nga EULEX-i është arrestuar Jevro Panteliq nga Veli Bregu i Zubin Potokut.

Ai shtoi se nëse është e vërtetë se arrestimi i tij ka të bëjë me shmangie të tatimit, atëherë kjo është e papranueshme.

“Për ne kriminelë janë ata të cilët shesin drogë e armë, dhe kërcënojnë sigurinë, ndërsa të tillë në Kollashinin e Ibrit nuk ka”, tha Ristiq, duke shtuar se për serbët është e papranueshme t’i paguajnë tatim shtetit të Kosovës.

Sipas tij, që nga viti 2008 është marrë qëndrim unik i qeverisjes lokale të komunave veriore, që taksat të mos i paguhen shtetit të cilin pushteti i Beogradit nuk e ka pranuar.

”Aksione të tilla të EULEX-it dhe KFOR-it kanë për qëllim t’i detyrojnë serbët të pranojnë Kosovën si shtet të pavarur, dhe nëse vazhdohet kështu, mund të ndodhë që një ditë të na arrestojnë edhe fshatarët nëpër arat e tyre për mos pagesë të tatimit të bujqësisë”, ka thënë Ristiq, transmeton KosovaPress, duke iu referuar mediave serbe.

Arrestim lidhur me krim të organizuar në veri

Policia ekzekutive e EULEX-it ka arrestuar një mashkull në pjesën veriore të Kosovës, i cili dyshohet të jetë përfshirë në krim të organizuar. Arrestimi u krye në mëngjesin e sotëm (17 maj) në rrugën mes Zubin Potokut dhe pjesës veriore të Mitrovicës.

Personi është arrestuar në kuadër të disa hetimeve rreth krimit të organizuar, pastrimit të parave, kontrabandës me karburante, shmangies së tatimit dhe shmangies mashtruese të taksave të importit dhe të akcizës, njofton EULEX-i, nëpërmes një komunikate shtypi.

“Pas autorizimit nga një gjykatës i procedurës paraprake, është bërë edhe bastisja e shtëpisë së të dyshuarit në Zubin Potok. Për sigurinë e përgjithshme gjatë operacionit është përkujdesur KFOR-i”.

Arrestimi është vazhdimësi e operacionit të EULEX-it për fuqizimin e ligjit që është kryer në Zubin Potok më 15 shkurt 2011, saktëson EULEX-i.

Hetimet janë nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›