E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngutuni me ligje

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe anëtarë të Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për shpejtimin e aprovimit të ligjeve. Ai ka thënë se tetë projektligje janë me prioritet sepse ndërlidhen me Raportin e Progresit. Aprovimin e shpejtë të tyre e ka kërkuar edhe kryeministri Hashim Thaçi Nga Express më 17 maj 2011 në ora 10:45

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka biseduar të hënën me udhëheqësit e komisioneve parlamentare dhe shefat e grupeve parlamentare për ta parë mundësinë se si të bëhet procedimi më i shpejtë i projektligjeve.

Sipas Krasniqit, në procedurë të shqyrtimit në komisione parlamentare janë 13 projektligje të miratuara në parim dhe tri projektligje që presin për shqyrtim të parë. Ndërkohë, më 13 maj janë proceduar nga Qeveria në Kuvend edhe pesë projektligje, duke theksuar se tetë projektligje që janë në procedurën e shqyrtimit, janë me prioritet dhe ndikojnë në përmirësimin e mjedisit biznesor në Kosovë.

Krasniqi ka pohuar se kryeministri Hashim Thaçi, përmes një shkrese, ka kërkuar që këto projektligje të trajtohen me prioritet dhe të përshpejtohet miratimi i tyre.
Kryeparlamentari ka thënë se janë disa projektligje të ndërlidhura me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën dhe Planin e veprimit të Kuvendit për integrime europiane, për vitin 2011, që janë në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare dhe që duhet të miratohen deri më 30 qershor të këtij viti.

Kryetarët e komisioneve, duke raportuar për gjendjen e projektligjeve në procedurat e shqyrtimit te komisionet që i drejtojnë, kanë premtuar punë efektive për shqyrtim me kohë të projektligjeve që u arrijnë nga Qeveria dhe sponsorues të tjerë që i parasheh ligji.

Po ashtu, në takim është biseduar edhe për punët e kryera deri më tash për hartimin e Rregullores së re të Kuvendit, që do t’i shërbente kësaj legjislature. Nënkryetari i Komisionit për legjislacion, Behar Selimi ka premtuar se Rregullorja e re e Kuvendit do të jetë e gatshme për miratim në qershor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›