E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paolo Bonolis

Paolo Bonolis, në intervistën e marrë nga prezantuesi shqiptar, Adi Krasta, në studion e tij në “Cinecitta”, thotë se do të donte ta vizitonte Shqipërinë të cilën e konsideron tërheqëse, sepse është një kulturë e shtypur, ndryshe nga Italia që është një kulturë krejtësisht e mbizotëruar nga të tjerët. “Mbështetemi gjithnjë te qerrja më e rëndësishme që do të na mbajë në jetë...”, shprehet ai Shqipëria, e shtypur gjeografikisht dhe politikisht

Paolo Bonolis, drejtuesi i njohur televiziv italian, vjen në një rrëfim ekskluziv për emisionin “E Diell” në “Top Channel”. Gjatë intervistës dhënë për prezantuesin dhe gazetarin e njohur shqiptar, Adi Krasta, Bonolis, një nga prezentatorët më të njohur dhe më të diskutuar sot në Itali tregon detaje nga jeta personale dhe karriera, si dhe ofron mendimet dhe konceptet e tij jo vetëm për politikën dhe ngjarjet që zhvillohen në vendin e tij, Itali, por edhe mbi Shqipërinë e shqiptarët. Sipas Krastës, Paolo Bonolis, është një personazh i drejtpërdrejtë dhe me shpejtësinë më të madhe të batutës, e cila është zakonshmit inteligjente, lehtësisht cinike, ironike me masë, por sidoqoftë popullore e natyrisht simpatike...

Përshëndetje Paolo!

Nuk e di se çfarë the Adi.

Do të thotë përshëndetje, është kënaqësi që të gjejmë këtu në studion tënde.

Kënaqësia është e imja që takohemi për herë të parë.

E keni zgjidhur ju në Itali debatin se cili është drejtuesi më i mirë televiziv?

Jo, ne nuk e kemi zgjidhur fare këtë problem. Në Itali, ne nuk i zgjidhim problemet, i krijojmë. Për t’i zgjidhur zakonisht merren të tjerët, kur kanë mirësinë ta bëjnë. Vetëm nuk jemi në gjendje t’i zgjidhim.

I zgjidhëm ne. Publiku shqiptar, me konsensus të madh, me adhurim të madh për ty, ka vendosur që për ne je më i miri.

Faleminderit është vërtet kënaqësi.

Për një drejtues televiziv, pyetja e madhe është nëse ju keni bërë ngjitjen e karrierës që nga zeroja? Ke vuajtur?

Jo nuk kam, vuajtur sepse nuk kisha ambicien që të arrija nivelin fatlum që kam arritur. Kam punuar që 19 vjeç në televizion, sepse ishte një mundësi për të çuar para në shtëpi dhe për të paguar studimet. Por nuk mendoja të vazhdoja të bëja këtë zanat. Ky zanat u bë pjesë e jetës sime siç është tani, pas një sërë çështjesh të tjera, sepse gjërat në jetë ndodhin dhe duhet të vendosësh nëse duhet t’i ndjekësh apo t’i braktisësh. Vazhdova t’i ndjek. Më pëlqente të bëja këtë punë. Zbulova një forcë që nuk e dija që kisha brenda vetes dhe vazhdova. Por nuk kam pësuar atë lodhjen e nisjes nga zeroja, mundimet e pikësynimit që mund të ishte shumë larg, sepse nuk e kisha atë pikësynim. Në jetë do t’ia dish vetëm për gjërat që priten prej teje. Nëse i bën të thjeshta ose nuk i bën fare, mbase mund të jesh i kënaqur shpejt me atë që ndodh.

Edhe pse nuk jemi italianë, ne që të shohim në televizion, publiku, e kap menjëherë ndjesinë e madhe të humorit që mua më kujton diçka nga Totoja, një ndjenjë, një atmosferë... Mund të bëhet humori një armë e drejtuesit televiziv?

Ironia është antibiotiku i ekzistencës. Në kuptimin që nëse e merr seriozisht këtë jetë që ka prirje të jetë pa kuptim, përfundon i goditur nga mijëra thika. Nëse arrin të buzëqeshësh, arrin t’u shpëtosh shumë thikave dhe arrin të jesh pak më i kënaqur. Pavarësisht nga gjithçka, ajo që ndodh të bën të qeshësh mjaftueshëm. Besoj se jemi të gjithë të ulur sipër një pikëpyetjeje prandaj qëndrimi i trupit tonë është i përkulur. Nëse janë shumë ata që mendojnë se janë të ulur mbi një pikëçuditëse, ata i njeh që nga fytyra. Kanë një pamje si më me dhimbje. Pikëçuditësja shkon drejt.

Duhet të të pyes, ti ke bërë një larmi programesh. A ka pasur ndonjë program që të ka dhënë kënaqësi më të madhe, që ka qenë vërtet Paolo Bonolis?

është e vështirë, sepse një pjesë e madhe e gjërave që kam bërë, përveçse shumë pak prej tyre, janë të gjitha frytet e diçkaje që kisha për të reaguar që më përkiste. është spektër drite që del nga një prizëm. Të gjithë kemi shumë fytyra të vogla, duhet të dish t’i njohësh dhe të dish t’i tregosh. Gjithçka që kam bërë ka qenë pjesë e imja në thellësi. Dendësia e “Il senso della vita”, lehtësia e plotë “Affari tuoi” apo i “Ciao Darwin”, përkushtimi elegant i “Sanremove” dhe i “Domenica In”, pjesa fëminore që bëhet film vizatimor, por film vizatimor i bërë nga një prind gjatë Piter Panit, apo Bim Bum Bamit... Janë bërë shumë gjëra dhe asgjë nga ato nuk ka qenë pasqyrim i diçkaje ndryshe nga unë. Sikur të gjithë të ishim ata që jemi vërtet (ua them edhe studentëve këtë), të tregojmë atë që jemi në të vërtetë, nuk ka asgjë që mund të na kopjohet, apo edhe që mund të kopjojnë, sepse unë ashtu si ti dhe kushdo që po na dëgjon, jemi të gjithë unikë dhe të papërsëritshëm. Të gjithë ne në veçantinë dhe në papërsëritshmërinë tonë jemi në gjendje të tregojmë diçka që asnjë nuk e ka dëgjuar më parë, pra diçka mahnitëse. Por duhet të jetë diçka që të përket.

Je i ndjeshëm ndaj politikës italiane?

Cilës politikë?

Mirë, Berluskoni...

Berluskoni është fryt i të gjithëve ne. E kemi votuar ne, shumica dhe kryesisht na përfaqëson... Tha një gjë të bukur për ju ai...

Më mirë mos e përmend... Më thuaj diçka më shumë për Luca Laurentin.

Luca Laurenti është në kuptimin e mirë, ana e errët e hënës. Në kuptimin që ai është fytyra tjetër. Ai thotë gjithçka që unë do të doja ta thosha. Por nëse kam një rol që nuk e them dot, ia lë atij ta thotë që është më i lirshëm në krahasim me mua. Ai është si të thuash Pasquino i Romës, Pulcinella e Napolit, është gjithçka që thuhet nëpërmjet shakasë dhe të qeshurës. Pulcinella duke bërë shaka thoshte të vërtetën. Luca Laurenti zhvillon këtë funksion duke theksuar atë që mendoj edhe unë e që mbi të gjitha e mendon edhe ai, sepse nuk është se thotë gjëra që i mendoj vetëm unë, janë gjëra që i mendojmë bashkërisht, shërben të na bëjë të kuptojmë se një pjesë e mirë e asaj që na rrethon është një hipokrizi e mrekullueshme, argëtuese dhe e çuditshme. Këtë bën Luca.

Si publik menduam që ti ke bërë Sanremon më të mirë të këtyre dhjetë viteve të fundit. Kam lexuar që “Bonolisi e ringjalli mrekullisht Sanremon e vdekur”, që e ktheve Sanremon në jetë. Nëse Sanremo i këtij viti, do të kishte qenë bir i një babai, një pjesë e inercisë që ke krijuar ti, çfarë komenti ke për faktin që ky Sanremo ka pasur shikueshmëri më të lartë?

Asnjë koment, sepse kanë punuar me shumë njerëz. Ajo që thua ti është e vërtetë, në kuptimin e krahasimit me një punë të mëparshme. Mund të them vetëm se kur spektatorët e mi janë shumë ose pak, pyetja që i bëj vetes nuk është kjo. Pyes gjithmonë veten se në çfarëdolloj shifre që të jenë shikuesit rëndësi nuk ka se sa janë, por se çfarë mendojnë kur shohin. Nuk e di nëse ia bëjnë të gjithë vetes këtë pyetje.

The që një fjali që si një drejtues televiziv më bën kureshtar dhe më pëlqen: “Unë martohem me një projekt, jo me një televizion”.

Sigurisht, do të ishte surreale...

Po hajde e shpjegoja publikut tim se edhe unë e mendoj njësoj.

E vërtetë është se këtë zanat e bën, sepse ka diçka për të thënë. është. Jam i kënaqur të has njerëz që të ofrojnë hapësirën televizive për ta thënë këtë. Por këta njerëz ndryshojnë, ajo ti ke për të thënë mbetet e njëjta gjë. Pra ti punon me projektin që ndërton, punon mbi gjërat që ke për të treguar. Nëse i tregon këtu apo atje apo andej nuk ndryshon asgjë. Je ti që zhvendosesh në funksion të një personi që të ofron një vend ku të mundesh ta tregosh. Sepse nëse ndalon gjithnjë në të njëjtin vend nuk tregon më atë që ti ke për të treguar, por atë që duan ata të tregojnë dhe s’ka më kuptim.

Do të vije po të të bënim një ftesë për të ardhur në Tiranë...?

Shpresoj që po, sepse nuk kam qenë asnjëherë. Shpresoj që po.

Udhëton, ke frikë nga avionët?

Nuk kam frikë nga asgjë dhe mendoj se Shqipëria mund të jetë tërheqëse, sepse është një kulturë e shtypur, është midis kulturave të ndryshme që historikisht kanë pasur guximin, ose paturpësinë edhe mungesën e ndërgjegjes për të imponuar veten e tyre. Kushedi si është një kulturë e shtypur kështu. Ndryshe nga Italia që është një kulturë krejtësisht e mbizotëruar nga të tjerët, një kulturë klientelare. Mbështetemi gjithnjë te qerrja më e rëndësishme që do të na mbajë në jetë dhe që na jep oksigjen. Njëherë ishin Burbonët, njëherë francezët, njëherë austriakët dhe pastaj pas planit “Marshall” ishin amerikanët. Jemi gjithnjë të mbështetur te dikush. Unë nuk besoj se e keni gjithnjë këtë mungesë dinjiteti. Nuk jeni të mbështetur pingul te dikush, por është një pozicion gjeografik që ju detyroheni që të pësoni sistematikisht si pasojë e forcave të mëdha të jashtme. është pak e shtypur Shqipëria, gjeografikisht dhe politikisht. Edhe kur vijnë shqiptarët në Itali e shohin se edhe këtu ka njerëz të këqij. është normale. Por njerëzit e këqij në Itali ashtu si edhe në Shqipëri nuk besoj se janë italianë apo shqiptarë, janë gjini më vete, që ekziston në të gjithë botën dhe që quhen parazitë. Njerëz që jetojnë mbi lodhjen dhe punën e të tjerëve duke u mburrur pastaj sikur e kanë bëra ata vetë. është pjesa e mjerueshme e natyrës njerëzore.

Dua të të bëj një pyetje: këtu jemi në studion e “Ciao Darwin” një program me sukses të madh, por është sezoni i gjashtë. Nuk do të bësh gjithë jetën këtë program, apo jo?

Jo, ky është sezoni i fundit.

Cili është programi që ëndërron, programi që do të shënojë dhjetëvjeçarin e ardhshëm?

Nuk e di, nuk e kam menduar.

Një ëndërr?

Unë kam pak ëndrra, por do të më pëlqente të mbaj të pacenuar lirinë time, lirinë e të menduarit, e të qeshurit me atë që mendoj se është për të qeshur. Më pëlqen të kem mundësi të imagjinoj se kam hapësirë për të vepruar, është një ëndërr e madhe, por nuk besoj që është e tepruar. E mban mend që e nisëm bisedën duke folur për pikësynimet? Mbase nuk duhet ta sforcoj një ëndërr të tillë, sepse rrezikon të shndërrohet në makth.

Shumë faleminderit që na prite, shumë njerëz do ta kishin zili. Jam shumë i kënaqur.

Mua më ka bërë shumë për të qeshur një batutë që bëri një humorist i yni, Antonio Albanese. Erdhi në spektaklin tim. është simpatik dhe shumë i zoti. Hyri në një sallë me shumë njerëz, pati një duartrokitje të madhe dhe ai tha: “Jam i lumtur, sepse jam i pari Albanese që vij e pritem me duartrokitje!”.

Do ta përshëndesje publikun në shqip?

Me shumë kënaqësi! Më sugjero ti. Mos më bëj të them ndonjë gjë të vështirë...

Përshëndetje!

Përshëndetje. Përshëndetje të gjithëve. Përshëndetje për të gjithë vitin!

Faleminderit!

Marrë me shkurtime nga “E Diell” në “Top Channel”

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›