PS: Në Kuvend, kur të pranohen dy nismat

Socialistët nuk do të hedhin asnjë hap për t’u rikthyer në Kuvend për aq kohë sa mazhoranca nuk shprehet qartë se është “pro” nismave ligjore të dorëzuara prej tyre. Në momentin që do të konstatohet një qëndrim i tillë, selia rozë do të nxitojë t’u japë fund gjithë detyrimeve të saj për të bërë pjesë të procedurës së Kuvendit diskutimin e këtyre dy nismave. Duke qenë e vendosur për të mos lëshuar në asnjë moment, duket se edhe këtë herë nisma ligjore për Gjykatën Administrative që kërkon 84 vota nuk do të votohet as ditën e enjte, edhe pse ajo pas disa muajsh është përfshirë në axhendën dyjavore.
Deputeti socialist, Eduard Shalsi, sqaroi në një prononcim për gazetën “Shqip” gjithë hapat e mëtejshëm të opozitës përballë mazhorancës, e cila, sipas tij, po zvarrit zgjidhjen. Shalsi tha se mazhoranca po tenton ta fusë nismën ligjore brenda një procedure rutinë, por nuk janë shprehur ende politikisht se cili është qëndrimi i tyre. “Deri atëherë, tha ai, ne nuk hedhim asnjë hap, pasi jemi në pritje që mazhoranca të shprehë vullnetin e saj pro miratimit të këtyre dy nismave”. Sa u përket procedurave, si vendimmarrja e konferencës së kryetarëve, ku natyrshëm duhet të marrë pjesë edhe kryetari i grupit socialist, Shalsi vërejti se nëse ka vullnet çdo gjë zgjidhet shumë shpejt. “Se kush shkoi dhe mbajti fjalim në Parlament dhe në çfarë cilësie, kjo është e parëndësishme përballë shprehjes së mazhorancës për t’i dhënë fund krizës”, nënvizoi deputeti socialist. Madje, ia theksoi se edhe çështja e rrogës së deputetëve socialistë apo përfshirjes së nismës për Gjykatën Administrative në rendin e ditës të seancës së ditës së enjte kanë një tentativë për të tërhequr vëmendjen nga problemi i vërtetë që mbetet kërkesa e opozitës për hapjen e kutive.
“Sfida jonë është kutia e Ruzhdies, është hapja e kutive të dyshuara”, tha deputeti socialist. Edhe kryetari socialist, Edi Rama, shprehu ditën e premte zhgënjimin dhe keqardhjen për qëndrimin e mazhorancës, pasi PS-ja ofroi zgjidhjen për krizën politike. “Ne prisnim një lëvizje për të vënë në funksion mekanizmin e debatit lidhur me ofertën tonë, në instancën e duhur të Parlamentit dhe ndërkohë, jo vetëm që asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim, që është drejtimi i duhur, por përkundrazi, vëmë re me keqardhje dhe me shqetësim përpjekjen për ta trajtuar ofertën tonë si një nga pikat e kalendarit të rutinës parlamentare. Ky është një gabim infantil, fëminor, i një pushteti që vazhdon të tregojë arsyen e forcës, ndërkohë që ne vazhdojmë të përpiqemi me forcën e arsyes”, tha Rama. S’ka dyshim, vijoi ai, që cilido që mendon se ne shkuam në Kuvend për të futur në një kanal zvarritës kauzën tonë, jo vetëm mendon gabim, por në rastin e vetë pushtetit që kështu mendon, merr një përgjegjësi të madhe për të gjitha pasojat e kësaj sjelljeje të papërshtatshme. Ndërkohë që socialistët pritet që brenda kësaj jave të marrin vendime në lidhje me programin dhe strukturimin e grupit parlamentar. Pritet zgjedhja e kryetarit të grupit, ndërsa emri më i përfolur është ai i kryetarit të Asamblesë Kombëtare të selisë rozë, Gramoz Ruçi. Ideja u përforcua edhe më tej në seancën e datës 25 shkurt. Ruçi mbajti një fjalim në seancë dhe shprehu qëndrimin e PS-së në lidhje me krizën. Ndërkohë, emri i Pandeli Majkos flitet se do të jetë kandidat për nënkryetar grupi në mos për kryetar. Javën e shkuar pati dy mbledhje të njëpasnjëshme të grupit, por në asnjërën prej tyre nuk është folur për drejtuesit e grupit. Vetëm deputeti Arben Malaj ka kërkuar që të organizohet dhe të strukturohet grupi parlamentar, por deri më tani nuk ka ende asgjë konkrete. Burimet nga selia rozë përcaktuan se mund të ketë një vendimmarrje brenda kësaj jave.
#