Papa Benedikti XVI, ipeshkvijve europianë në Tiranë: Gjeni rrugë të reja për ungjillëzimin e brezit të ri
Speciale/ Episcoporum Europae 2011
Dita e dytë e punimeve të Asamblesë plenare të Konferencave Ipeshkvore Katolike të Europës hapi diskutimet mbi Ungjillëzimin e Ri, me një mesazh inkurajues të Benedikti të XVI-të drejtuar Ipeshkvijve Europianë në Tiranë të lexuar nga Nunci Apostolik në Shqipëri, imzot Ramiro Moliner Inglés, në hapje të mbledhjes së Këshillit, që po zhvillohet në Tiranë deri më 2 tetor. Me një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone drejtuar kreut të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, kardinalit Peter Erdo, Papa Benedikti XVI i inkurajon ipeshkvijtë e kontinentit të vjetër “të gjejnë me guxim misionar rrugë të reja për ungjillëzimin, sidomos në shërbim të brezave të rinj”. Ati i Shenjtë përkufizoi rëndësinë e kësaj Konferenca me fjalët “CCEE-ja, është një strukturë ndërlidhëse midis Ipeshkvijve Europiane, dhe për më shumë se 40 vjet promovon një bashkëpunim baritor dhe ekumenik”. Nga ana e tij, presidenti i CCEE-së Kardinali Peter Erdo, pikërisht në 40 vjetorin e thekson misionin e kësaj strukture që “të mbështesë Kishën me të gjithë mënyrat në Kontinent, dhe të këtë një vëmendje për Kishat që në shekullin e fundit kanë vuajtur nga regjimet diktatoriale dhe ateiste”. Ai shtoi se “sot në mund të themi se rilindja e Kishave në këto vende është për vullnet të dorës së Perëndisë dhe mirësisë së Jezu Krishtit, të kryqëzuar dhe të ringjallur”. Më tej Kardinali Erdo u shpreh “nëse Europa e popujve ende po kërkon të mësojë sesi të marr frymë me dy mushkëri – duke nënvizuar një shprehje të Papa Gjon Palit II - ne jemi të bindur që, qysh në themelim Këshilli jonë ka qenë një hapësirë për të parë të gjithë Europën me vështirësitë e dhe dobësitë e saj, por edhe me shumë fryte të mirësisë së Zotit”.
Kuptohet vetiu pastaj një fjalë “për situatën e rëndë ekonomike që po kalon Europa” përballë se cilës – nënvizon Kardinal Erdo – Kisha “ po përpiqet të tregojë një shteg të sigurt daljeje. Për të dalë në këtë shteg – shpjegon – është bazike hapje e arsye dhe zemrës Perëndisë, pra një perspektive tjetër të jetës sociale të bazuar një solidaritet. Presidenti i Këshillit të Ipeshkvijve Europiane paralajmëron “ një nga simptomat më të dukshme të krizës në Europë është patjetër recesioni ekonomik, por me e thellë është kriza etike dhe antropologjike që po prek jetën e përditshme të familjeve, të strukturave edukative, të media….”.
Sakaq gjatë fjalës së tij, Kardinal Erdo u shpreh edhe për situatën e Kishës në Shqipëri “po shikojmë me vlerësim të veçantë shumë shenja të rritjes ekonomike dhe të përforcimit shoqëror në Shqipëri. Për këtë arsye, urojmë që edhe rastet e ndryshme që kanë të bëjnë me pronat kishtare të konfiskuara në kohën e komunizmit, të zgjidhen, sikurse në vendet e ndryshme të Lindjes Evropiane, në mënyrë që ta lejojnë Kishën të zhvillojë misionin e saj të përkujdesjes për të mirën shpirtërore dhe për veprat e bamirësisë në mbështetje të më të varfërve”.
Presidenti i CCEE-së theksoi fort e mi të gjitha se “Shqiptarët e kanë pranuar Ungjillin që nga fillimi i Krishterimit, prandaj Kisha është e pranishme në Shqipëri prej më shumë se 1800 vjetësh dhe është pjesë gjithëpërfshirëse e kulturës së këtij populli, sikurse shihet, për shembull, përmes dëshmisë së shenjtërve të mëdhenj dhe personazheve të besimit. Më lejoni të kujtoj në veçanti të Lumen Terezë të Kalkutës, që shumë prej nesh kanë pasur rastin ta takojnë personalisht dhe që ka qenë gjithmonë shumë krenare për popullin e vet. Nëse ndahen lavditë dhe gëzimet, nuk mund të harrohen as vuajtjet: gjatë pesëqind vjetëve të pushtimit osman dhe në të shkuarën e afërt, nën regjimin komunist, të gjithë, katolike e jokatolikë kanë përjetuar frikën, mungesën e lirisë dhe të shpresës”.
Kreu i Ipeshkvijve Europianë sinjalizoi një fakt të pamohueshëm se “Shqipëria vlerësohet nga bota e krishterë si tokë martirësh. Besojmë se edhe për këtë arsye populli shqiptar sot dëshmojnë hapje ndaj vlerave të mëdha që kanë në themel Zotin dhe që përbëjnë, pastaj, truallin e një shoqërie të barabartë dhe të kujdesshme ndaj atyre që janë më në nevojë... Urojmë që ky zhvillim zemërdhënës të mund të vijojë të jetë i dukshëm edhe në vende të tjera të Evropës e të mbarë botës. Vendet e Evropës së Lindjes, veçanërisht Shqipëria, e njohin mirë nevojën dhe vlerën e madhe të respektit të sinqertë”.
Ndër të tjera flet për diskriminim e Kristianëve “mjafton të shikojmë fakteve të dala nga raporti I Observatorit mbi Jo-tolerancën kundër të Krishterëve në Europë – thotë – për të ngelur me gojë hapur përballë shifrave dhe rasteve në Europë të personave të diskriminuar, në mënyrë të hapur apo të fshehtë”. Pikërisht mbi këtë çështje foli edhe koordinatori i misioneve qytetareve të kryeqyteteve evropiane Jean Luc Moens, që prezantoi një sintezë të përgjigjeve të anketës të dërguar në Konferencat Ipeshkvore. Aty doli një sintezë të një “situate të njëllojtë si ajo e apostujve, të zhytur në një kulturë të huaj”. Del një ndryshim midis vendeve, por edhe një element i përbashkët: nevoja për të ndihmuar shumë kristianë, për të shkuar përtej profesionin të besimit, për të zbuluar një lidhje personale me Krishtin. Po dje Kisha mori në shqyrtim kërkesën e monsinjor Milan Shashik, ipeshkëv erparkial i Mukashevu të Rutenëve, të ritit bizantin, për t’u pjesë e këshillit të CCEE-së, sipas formulës të Kongregatave të Kishave Orientale.
Imzot Rino Fizikela për fjalët e Papës drejtuar ipeshkvijve europianë në Tiranë/Benedikti XVI pra, u flet ipeshkvijve evropianë për “guxim misionar”. Pikërisht për një koment të këtyre fjalëve, morëm në telefon imzot Rino Fizikelën, pas ndërhyrjes së tij në konferencën e Tiranës: Është një shprehje e bukur, sepse guxim do të thotë aftësi për t’i besuar e për ta lënë veten në dorë të dikujt. Unë mendoj se ne duhet ta rigjejmë këtë guxim e të bëhemi misionarë, të jemi sidomos, bashkësi misionare. Ungjillëzimi i ri nuk mund të jetë vetëm një dëshirë e besimtarëve të veçantë, por e gjithë Kisha duhet të jetë e ndërgjegjshme për këtë, madje të gjitha Kishat e krishtera, që duhet të përshkojnë rrugë e shtigje të reja, por gjithnjë së bashku. Jam i bindur se është e nevojshme ta përforcojmë identitetin e krishterë, por brenda bashkësisë, brenda Kishës, së cilës i përkasim si besimtarë. Dikur thoshim se po shkojmë me mision tek populli, sot, i gjithë populli duhet të bëhet misionar, e gjithë bashkësia bëhet ungjillëzuese.
Nunci Apostolik Inglés : Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur prej përndjekjes së ashpër dhe të zgjatur, por e pasuruar prej dëshmisë së martirëve të saj/Ky shtator përkon jo vetëm në dyzet vjetorin e themelimit të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Europës, por dhe në njëzet vjetorin e rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan. Nunci Apostalik në Shqipëri, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglés, gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksoi se “Vendimi për ta zhvilluar në Shqipëri këtë Asamble të madhe Plenare të Konferencave Ipeshkvnore të Europës, në edicionin e dyzetë të saj, qe me të vërtetë provanore”. Gjithashtu i dërguari me punë i Papës në Shqipëri kujtoi me mall “ vizitën historike në Shqipëri të Papa Gjon Palit II, më 25 prill 1993, ai u shfaq pikërisht si Lajmëtari i shpresës, i pajtimit dhe i paqes. Ai deshi t’i kujtojë ato “vite mundimesh të mirëfillta... vite privimi prej lirive themelore të njeriut, përfshirë ato të shprehjes, të shoqatave dhe të fesë, që kanë shkaktuar çarje të mëdha në strukturën e shoqërisë, duke lënë gjurmë të thellë në sjelljet dhe ndërgjegjet... dhe që, sidoqoftë, Europa dhe bota nuk duhet t’i harrojnë. Në atë rast Gjon Pali II deshi gjithashtu të nënvizonte besnikërinë dhe heroizmin e Kishës dhe të nderonte dëshminë e guximshme të martirëve të saj: “Në një dimër kaq të egër dhe të mundimshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur prej përndjekjes së ashpër dhe të zgjatur, por e pasuruar prej dëshmisë së martirëve të saj... ka bashkëndarë deri në fund vuajtjet dhe shpresat e kombit, duke mbajtur gjallë edhe përmes sakrificës vetjake të anëtarëve të saj të shumtë, traditën tejet të lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të patjetërsueshme të identitetit të mirëfilltë shqiptar”. Ndër të tjera Nunci i shtetit të Vatikani, spanjolli Ramiro Moliner Ingles përmendi faktin që “Një vit më parë, më 21 shtator 2010, Benedikti XVI, me Letrën Apostolike në formën e “Motu Proprio” “Ubidumque et Semper” (Gjithmonë dhe kudo) themelonte Këshillin Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri”.
Lavdrim Lita