Rruga e bllokimit po i shtron Ramës disfatën e 2013-s

Pa ndonjë joshje për t’u përfshirë në debatin politik të ofruar nga opozita, kryeministri Sali Berisha i përgjigjet provokimit të Paktit të Edvinit, i cili po mban peng statusin e kandidatit të Shqipërisë për në BE, duke kujtuar se rruga e bllokimit po i shtron opozitës trasenë e humbjes historike të 2013-s. Mazhoranca konfirmon politikën e saj të ndërtimit të veprave me rëndësi publike, duke refuzuar prerë politikën e pazareve për titullarët e institucioneve
Nga qyteti i Elbasanit kryeministri Sali Berisha sulmon kundërshtarin politik, Edi Rama, duke e akuzuar se me rolin e tij bllokues po dëmton interesat e shqiptarëve, ndërsa i bën thirrje për të gjetur konsensus për të punuar për zbatimin rekomandimeve të ndërkombëtarëve. I pranishëm në përurimin e rrugës Gjinar - Elbasan, kryeministri tha se “Rama është i famshëm për dështimet” dhe në 2013, (që përkon me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, “po shkon drejt disfatës historike”. “Imagjinoni ju se çfarë propozon. Reforma elektorale, mirë se të vish, urdhëro zoti Rama të ulemi, të punojmë me konsensus. Kemi 52 rekomandime, t’i adresojmë ato një nga një, që të gjitha, pa asnjë hezitim. Ai kërkon rregullore parlamenti, të shkuarën, me të shkuarën, me të djeshmen, jo të shkuarën e largët, por edhe e djeshmja na duket e largët. Ne shohim përpara. Urdhëro të marrim rregulloren e parlamentit evropian dhe në qoftë se rregullorja e këtij parlamenti ka qoftë edhe një nen që nuk përputhet me rregulloren e tempullit të demokracisë evropian, urdhëro ta ndryshojmë, por ai nuk i do këto. Këto i ka thjesht farsë. Njëlloj si në vjeshtën e vitit 2009. Ai i kërkon këto vetëm e vetëm që të shkojë drejt Kongresit dhe të marrë vendimet e tij, vendime të cilat do i japin në 2013 disfatën më të thellë që ka njohur në tërë historinë e vet. Nuk do reformë zgjedhore, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë, nuk do reformë të rregullores së parlamentit, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë. Njeriu që ka shndërruar bllokimin në parzmore të tij dhe kujton se nuk e sheh kush. Të gjithë e shohin. Me bllokimin, zoti Rama ke shkuar nga disfata në disfatë. Je i bërë i famshëm në Shqipëri dhe në Evropë për disfatat e njëpasnjëshme që ke përjetuar nga e para, tek e fundit që ishte disfata personale”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se, “dështimi i Edi Ramës nisi që më 8 maj të këtij viti, kur qytetarët e Tiranës ia dhanë shuplakën atij me 10 mijë e 907 vota më shumë për ‘Aleancën për Qytetarin’. Në Tiranë qytetarët të ndëshkuan me 10 mijë e 907 vota më shumë për koalicionin e ‘Aleancës për qytetarin’. Duke parë veten në këto rrethana përpiqet me çdo kusht se si të dëmtojë interesin personal të secilit prej jush, të çdo shqiptari. Ju garantoj se interesi juaj më i madh është ligji dhe zbatimi i tij dhe kjo qeveri do të qëndrojë fuqishëm në zbatimin e çdo ligji të vendit. Interesi juaj jetik dhe i çdo qytetari është kushtetuta dhe zbatimi i saj. Ju garantoj se çdo qytetar në këtë vend, çdo zyrtar i këtij vendi do të qëndrojë nën ligjet e saj”. Më tej, Berisha e vuri theksin te fakti se Shqipëria ka realizuar objektiva të mëdha në rrugën e integrimit, ku përveç liberalizimit të vizave (të cilin opozita e kundërshtoi), sheh aspiratën e integrimit në Bashkimin Evropian, perspektivë të cilën s’do ta ndalë askush, as Edi Rama. “Ne së bashku kemi arritur objektiva të mëdha, kemi realizuar ëndrra shekullore. Ëndrra e fundit e madhe ishte liberalizimi i vizave. Sot ju lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Ju lëvizni të lirë, sepse qeveria me reformat e saj bëri gjithçka në mënyrë që ju të meritoni lëvizjen e lirë. Pagoi çdo çmim të nevojshëm dhe ia doli të realizojë liberalizimin e vizave. Por duhet të jemi të sinqertë, vizat u liberalizuan gjithashtu dhe për faktin, sepse ata që përdorin pushtetin për bllokimin e vendit nuk i bllokuan dot, ndonëse bënë fushatë të fuqishme kundra tyre, brenda dhe jashtë vendit. Unë dua t’ju shtroj një pyetje atyre që kanë votuar për ta, se sa e moralshme, sa e drejtë, sa e ndershme është përpjekja për të bllokuar lëvizjen tuaj të lirë dhe të mbarë shqiptarëve. Këtë nuk e ka bërë asnjë forcë politike në Evropë. Këtë e ka bërë vetëm lidershipi i Partisë Socialiste. Dhe e ka bërë, sepse disfatat e tij personale do me çdo kusht t’i shndërrojë në një të keqe për secilin prej jush. Si mund të pranohet vota kundër për çdo gjë? Vizat nuk ishin për Sali Berishën, sepse ai lëviz me pasaportë diplomatike. Vizat nuk ishin as për deputetët e Partisë Demokratike, sepse deputetët e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste lëvizin. Vizat ishin për ju që robtoheshit për t’i marrë. Vizat ishin për qindra e mijëra nëna e baballarë që u përvëlohej shpirti për të takuar fëmijët e tyre, nipërit dhe mbesat e tyre në ekzil. Por vizat u morën. Erdhi problemi i tunelit të Elbasanit dhe autostradës Tiranë – Elbasan. I ftoni ata deputetët tuaj socialistë dhe i pyesni se me çfarë motivi e çfarë morali votuan kundër tunelit dhe autostradës? Cila është arsyeja njerëzore që mund të bënin një veprim i tillë? Cilëve nga qytetarët e kësaj krahine, të këtij rrethi, të Beratit, të Dumresë, të Korçës, të Leskovikut, të Ersekës, të Pogradecit u intereson mos ndërtimi i autostradës Tiranë- Elbasan? Asnjërit prej tyre. Dhe pse duhej votuar kundër, sepse kjo do regjistrohej si një sukses i qeverisë Berisha”, tha kryeministri. Nga ana tjetër, Berisha i ka bërë ftesë Ramës për bashkëpunim, por me kusht që të hiqet dorë nga rruga e bllokimit. “Unë ju siguroj se pavarësisht nga këto qëndroj më i vendosur se kurrë të bëj gjithçka për ju, për interesat tuaja, duke pasur vetëdijen e thellë se sado që të bëjmë ne për ju, ju bëni shumë herë më tepër për vete dhe këtë vend. Sikundër garantoj të gjithë zgjedhësit, elektoratin e opozitës se kam pasur dhe kam respektin më të palëkundur ndaj saj dhe asgjë s’do më lëkundë nga qëndrimi për të respektuar vendin dhe rolin e saj, por e vërteta është se rruga e zgjedhur është kryekëput rruga e bllokimit”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
...