E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Françesko: Nuk di për kë të bëj tifo në ndeshjen Itali-Argjentinë

Papa Françesko duket në hall. Ai nuk di për kë të bëjë tifo në ndeshjen miqësore mes Italisë dhe Argjentinës, dedikuar pikërisht Papës, i zgjedhur para pak muajsh në krye të Vatikanit. Për të nderuar Papa Françeskon, të dyja kombëtaret, ajo italiane dhe ajo argjentinase, kanë vizituar Papën, duke i uruar më të mirën në krye të Vatikanit. Ndërsa Papa Françesko ka qenë tejet i emocionuar, teksa ka deklaruar: “Të nderuar miq, ju falënderoj për këtë vizitë. Për fat, është thjesht një ndeshje miqësore, por për mua është e vështirë të bëj tifozllëk. Ju futbollistët jeni popullorë dhe njerëzit ju ndjekin shumë. Niveli profesional që keni arritur nuk duhet t’ju bëjë të harroni edhe kur ishit amatorë, atëherë kur ju ëndërronit të bëheshit të mëdhenj. Përpara se të jeni kampionë, ju jeni njerëz, prandaj silluni si humanë. Ndërsa drejtuesve të futbollit në mbarë botë ju them: Mos e ngatërroni karakterin sportiv të kësaj loje me biznesin, pasi nëse ky sport magjik garanton që familjet të shkojnë në stadium dhe të largojë dhunën.”
Ndeshja miqësore Itali-Argjentinë do të luhet nesër në stadiumin “Olimpik” të Romës, pikërisht në orën 20:45, një ndeshje luksi që do të ndiqet me interes në mbarë botën. Papa Françesko është me origjinë nga Argjentina dhe njihet si adhurues i madh i futbollit. (Eduard.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›