Agimi i Artë luftë për Himarën, KSHH: I papranueshëm, policia të reagonte
Tiranë- Dy ditë pas incidentit në përkujtimoren e Aristotel Gumës në Himarë ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit duke shprehur se shfrytëzimi i rasteve të tilla “për qëllime të errëta dhe provokative nga disa përfaqësues të Agimit të Artë, janë jo vetëm të papranueshme por edhe ligjërisht të dënueshme”.
Ndaj “Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) e shikon me vend ti sugjerojë Ministrisë sonë të Jashtme, të ndërmarrë hapat përkatëse pranë autoriteteve greke, jo vetëm sepse veprime të tilla nuk i shërbejnë popujve dhe qeverive tona, por ato janë të dënueshme edhe nga legjislacionet përkatëse të vendeve demokratike. Kështu për shembull, nenet 265 dhe 266 të Kodit Penal të RSh dënojnë nxitjen e urrejtjes dhe grindjen ndërmjet kombeve, si dhe thirrjeve për urrejtje nacionale që vënë në rrezik paqen publike. Vlen të përmendet se, përfaqësuesit e ‘Agimit të Artë’ sulmuan edhe grupin e xhirimit të ‘Top Channel’ për të penguar filmimin e kësaj ngjarje, gjë që bie ndesh me lirinë e shtypit të sanksionuar në Kushtetutën tonë dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, thuhet në deklaratën e KShH.
KShH-ja, duke patur parasysh kushtet dhe rrethanat e zhvillimit të kësaj ngjarje, ka mendimin se “organet e rendit në përputhje me legjislacionin e vendit mund dhe duhet të reagonin sepse thirrje të tilla janë vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë publike”.
“Përfaqësuesi i Agimit të Artë, Kristoforos Tsankas, vijon mëe tej KSHH-ja, para varrit të të ndjerit, Aristotel Gumës, guxoi që publikisht të bënte deklarata ekstreme dhe të papërgjegjshme që indinjojnë dhe fyejnë popullin shqiptar, organet e tij vendore, madje edhe qeverinë shqiptare. Në deklaratat e tij, si përfaqësuesi i Agimit të Artë, Kristoforos Tsankas, veç të tjerave arriti të shprehej se, Agimi i Artë nuk vinte në Himarë për të ikur, por do të vazhdonte luftën deri në çlirimin e saj”.