E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku: “Jezusi na do të lirë; ta dëgjojmë ndërgjegjen në bashkim me Atin, si bëri Benedikti XVI”

01-07-2013 / Gazeta 55

“Jezusi na fton ta dëgjojmë ndërgjegjen tonë, në bashkim të plotë me Atin qiellor. Kështu do të jemi të krishterë të lirë e jo të “telekomanduar”. E nënvizoi këtë Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë e paraqiti Benediktin XVI si “shembull të madh” në këtë drejtim, sepse ndoqi me arsye e guxim vullnetin e Zotit, që i fliste zemrës së tij. Në ditën e bamirësisë së Papës, u shprehu mirënjohjen e thellë gjithë atyre, që i mbështesin nismat e tij të bamirësisë. “Jezusi mori vendimin e prerë të vihej për udhë kah Jeruzalemi”. Papa Françesku e zhvilloi meditimin e tij duke u nisur nga ky fragment i Ungjillit të së dielës, për të vërejtur se, pasi e mori vendimin, Jezusi i porositi dishepujt të mos u kërkonin asgjë atyre, që do të takonin gjatë udhës: “Jezusi nuk detyron kurrë; Jezusi fton. Po të duash, eja! Kështu është përvujtëria e Jezusit: Ai fton gjithnjë, nuk detyron”.
E gjithë kjo, vijoi Papa, na bën të mendojmë, na kujton rëndësinë që kishte edhe për Jezusin ndërgjegjja; kishte rëndësi të dëgjonte zërin e Atit e edhe ta ndiqte: “Jezusi, në jetën e tij tokësore, nuk ishte, thënë figurativisht, i telekomanduar: ishte Fjala e mishëruar, Biri i Hyjit i bërë njeri që, në një farë pike, mori vendimin e pakundërshtueshëm të ngjitej në Jeruzalem për herë të fundit: vendim i marrë në ndërgjegjen e vet, por jo vetëm: së bashku me Atin, në bashkim të plotë me Të”.
Jezusi, vazhdoi, vendosi duke iu bindur Atit, në dëgjim të thellë e në lidhje të ngushtë me vullnetin e tij. Prandaj vendimi ishte i prerë, sepse u mor së bashku me Atin: “Jezusi ishte i lirë: në këtë vendim ishte i lirë! Jezusi ne, të krishterët, na do të lirë, siç është Ai vetë. Me këtë liri, që buron nga dialogu me Atin, nga dialogu me Hyjin. Nuk do, Jezusi, as të krishterë egoistë, që ndjekin vetveten e nuk flasin kurrë me Zotin, e as të krishterë të ligshtë, pa pikë vullneti, të krishterë të telekomanduar, pa frymë krijuese, që kërkojnë gjithnjë t’i nënshtrohen vullnetit të tjetrit, që s’e njohin shijen e lirisë. Jezusi na do të lirë. Po kjo liri, ku gjendet? Gjindet në dialog me Zotin, në ndërgjegjen tonë”.
Nëse i krishteri nuk di të flasë me Zotin, nuk di ta dëgjojë Zotin në ndërgjegjen e vet, vërejti Papa, nuk është i lirë. Edhe ne, shtoi, duhet të mësohemi për ta dëgjuar më shumë ndërgjegjen tonë: “Por, vëmendje! Kjo nuk do të thotë të ndjek vetveten, të bëj atë, që më intereson, që më leverdis, që më pëlqen... Jo! Nuk është kjo. Ndërgjegjja është hapësira shpirtërore e dëgjimit, e së vërtetës, së mirës, e dëgjimit të zërit të vetë Zotit”.
Ndërgjegjja, shtoi Papa, është caku shpirtëror i lidhjes sime me Zotin, që m’i flet zemrës e më ndihmon ta dalloj, ta kuptoj e ta zgjedh rrugën, që duhet të ndjek. E, si ta kem marrë vendimin, më ndihmon edhe të ec përpara, të mbetem gjithnjë besnik:“Ne kemi pasur një shembull të mrekullueshëm, që na tregon sesi është kjo lidhje me Hyjin në ndërgjegje, një shembull të freskët, të mrekullueshëm: Papa Benedikti XVI na e dha këtë shembull të madh, kur Zoti e bëri të kuptojë në lutje, cili ishte hapi, që duhej të bënte. Ndoqi, me arsye e guxim, ndërgjegjen e vet, domethënë, vullnetin e Zotit, që i fliste zemrës së tij”.
E ky shembull, shtoi, që ne të gjithëve na bën shumë mirë, duhet ndjekur. Zoja, me thjeshtësi të madhe, pohoi më pas Papa, e dëgjonte dhe e meditonte në thellësitë e shpirtit Fjalën e Zotit dhe gjithçka i ndodhte Jezusit, Birit të saj, me bindje të plotë e shpresë të patundur.
Papa Bergoglio, pjesëmarrësve në Ditën e të rinjve lituanë: “Ta ndjeni veten gjymtyrë e gjallë e Kishës”/“Mos kini frikë ta jetoni fenë, duhet ta ndjeni veten gjymtyrë e gjallë e Kishës”- kështu u shkruan Papa Françesku të rinjve, që morën pjesë në “Ditën VI të Rinisë lituane” me temë : “Ju quajta miq”, kremtimet e së cilës vijojnë në Kaunas. Në një mesazh, për këtë rast, Papa nënvizon se dashuria e krishterë dhe miqësia e Jezusit nuk janë shpresë e kotë dhe i fton të rinjtë e krishterë të jenë dëshmitarë të Krishtit në gji të bashkëmoshatarëve. “Jezusi dëshiron t’ju dojë ashtu si jeni, edhe në ligështinë e brishtësinë tuaj që, të prekur nga dashuria e tij, të mund të përtëriheni në korp e në shpirt”. Kështu shkruan Papa Françseku në mesazhin për “Ditën VI të Rinisë së Lituanisë”. Dashuria e Krishtit e miqësia e Tij, nënvizon Papa, nuk janë ëndërr e as nuk i përkasin vetëm pak vetëve. Krishti në kryq e dëshmon se janë shumë konkrete. Ju, vijon mesazhi, do të mund ta provoni këtë miqësi në të gjithë bukurinë e saj, vetëm nëse do ta kërkoni me sinqeritet, në se do t’ia hapni me besim zemrat Zotit, duke e kultivuar me impenjim jetën tuaj shpirtërore. Ati i Shenjtë kujton, në mënyrë të posaçme, rëndësinë e sakramenteve, të meditimit të Shkrimit Shenjt, të lutjes së vazhdueshme e të jetës në gjirin e bashkësisë së krishterë. Më pas i nxit të rinjtë ta ndjejnë veten gjymtyrë të gjalla të Kishës, të impenjuar në ungjillëzim, përkrah me vëllezërit në fe e në bashkim me barinjtë. Mos kini frikë ta jetoni fenë, i nxit Papa të rinjtë lituanë! Jini dëshmitarë të Krishtit në mjediset tuaja të përditshme, me thjeshtësi e guxim. E kërkojuni të rinjve të krishterë t’ua tregojnë bashkëmoshtarëve Fytyrën e mëshirës e të dashurisë së Zotit, që fal, që jep zemër e dhuron shpresë. Të jeni gjithnjë të vëmendshëm ndaj tjetrit, porosit Papa, posaçërisht ndaj më të varfërve e më të ligshtëve, duke e jetuar e duke e dëshmuar dashurinë vëllazërore, larg çdo egoizmi e mbylljeje në vetvete. Papa i fton të rinjtë ta thonë vazhdimisht Rruzaren Shenjte, duke iu lutur Marisë t’u prijë drejt bashkimit gjithnjë më të ngushtë me Jezusin. Pajtori juaj, Shën Kazimiri, përfundon mesazhi, ju ndihmoftë ta kërkoni e ta çoni në botë Krishtin, pa u lodhur kurrë!”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›