Basha: I përkushtuar për transformimin e qytetit, në çdo cep të tij
Përfundon ndërtimi i rrugës “Xhemal Tafaj”
Me një investim prej 23.8 milionë lekësh, ka përfunduar ndërtimi i rrugës “Xhemal Tafaj”, në njësinë bashkiake nr.8. Në këtë rrugë e cila prej vitesh ishte e mbuluar nga balta në dimër dhe pluhuri në verë, janë ndërtuar trotuaret, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, është realizuar ndriçimi rrugor, ku janë vendosur 16 shtylla si dhe janë mbjellë 50 fidanë pemë, përgjatë rrugës. Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur, se puna për transformimin e Tiranës po vijon me ritme të shpejta, në çdo cep të saj.
“Rikthimi tek blloku “Xhemal Tafaj” më jep kënaqësinë e vizitimit të një pune të kryer mirë, me cilësi dhe në një kohë të shkurtër, kënaqësi që sot e ndaj me të gjithë banorët e këtij blloku dhe që dua t’i siguroj, sikundër edhe banorët e blloqeve fqinj e në të gjithë Tiranën, se transformimi dhe puna për ndryshimin pozitiv në Tiranë vazhdon me ritme të shpejta dhe do të vijojë. Unë mbetem i përkushtuar, për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve të Tiranës, në çdo cep të qytetit të Tiranës, në çdo kohë dhe siç vizitojmë sot këtë bllok të përfunduar, do të kemi rastin gjatë javëve në vijim, të shohim të tjera punë të mira të përfunduara në qytet dhe të tjera punë të mira që po fillojnë anembanë qytetit. Bashkia e Tiranës mbetet e përkushtuar për transformimin e qytetit, për ndryshimin pozitiv në qytet, në dobi të qytetarëve të Tiranës, kudo ku ata jetojnë” , – deklaroi Basha.