E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku: “Nuk mund të flemë të qetë, ndërsa fëmijët vdesin nga uria e pleqtë nga mungesa e kujdesit”

18-08-2013 / Gazeta 55

“Nuk mund të flejmë të qetë, ndërsa fëmijët vdesin nga uria e pleqtë, nga mungesa e kujdesit”. Është Tweet i ri i Papës, që u duk dje në faqen e internetit @pontifex, lexuar nga 8,5 milionë ndjekës. Në shumë raste Papa ka vënë theksin mbi mbrojtjen e njerëzve të ligshtë, duke kritikuar thellësisht kulturën e përjashtimit. T’i kujtojmë disa nga fjalët e Atit të Shenjtë në mbrojtje të atyre, që nuk kanë mbrojtje, as zë.Të ndihmohen më të ligshtit, më të varfërit, sepse ata janë ‘korpi i munduar i Krishtit”. Papa Françesku, me fjalë, e edhe më shumë me gjeste, siç është vizita në Lampeduzë e në favelën Varghinha, po dëshmon sa rëndësi ka të mos i ndjekësh me indiferencë vuajtjet e atyre, që pësojnë sot mundimet e Krishtit në kryq. Vëmendja e Papës përqendrohet posaçërisht mbi fëmijët e të moshuarit, aq të ndryshëm në moshë, aq të afërt në brishtësi. Plaku, si fëmija, ka të njëjtën nevojë për pak dashuri e për shumë kujdes. Janë plaku e fëmija, thekson Papa Françesku, viktimat e para të ‘kulturës së përjashtimit e të flakjes”. Shoqëria, që llogarit vetëm sasinë e prodhimit e të fitimit, nuk merret fare me fëmijët e varfër, me ferishtet e palindura, me pleqtë, me njerëzit e gjymtë. Ata enden si hije, të padukshëm, në vise të varfëra e të pasura, ku jeta vlen më pak se një titull në Bursë: “Nëse një natë të akullt dimri, këtu, fare pranë nesh, në Otaviano, për shembull, vdes një i pastrehë, ky nuk është lajm. Nëse në të katër anët e botës mijëra fëmijë nuk kanë të hanë, as ky nuk është lajm, duket diçka normale. Po nuk mund të jetë kështu!(...). Përkundrazi, ulja prej dhjetë pikash e bursave të disa qyteteve, përbën një tragjedi. Vdekja e njeriut nuk është lajm, po dhjetë pika më pak në bursë shikohen si tragjedi. Kështu njerëzit hidhen jashtë shoqërisë, si të ishin fundërrina! (Audienca e përgjithshme, 5 qershor).
Por njerëzit, porosit Papa, nuk janë kurrë fundërrina! Prandaj duhen kujdesur gjithnjë, nuk duhen flakur kurrë. E në DBR-së së Rios, Papa shfrytëzoi rastin t’i kujtojë botës, nga tribuna planetare e të rinjve, se i riu ka shumë nevojë për plakun. Françesku, që citon gjithnjë nënëdajën, si model urtie, u kërkon të rinjve të mos i përjashtojnë pleqtë, sepse janë tepër të nevojshëm për transmetimin e fesë, të vlerave, të kujtesës njerëzore e historike: “Ndokush, vërejti Papa, duke u folur të rinjve argjentinas, në katedralen e Rios, mund të mendojë se ekziston një eutanazi e fshehur. Është mungesa e kujdesit për të moshuarit. Por, denoncon, ekziston edhe eutanazia kulturore kundër pleqve, të cilëve nuk u krijohen kushtet e nevojshme të flasin e të veprojnë. Atëhere, të rinjtë duhet t’i ndihmojnë me të gjitha forcat, duhet t’i vlerësojnë, ndërsa pleqtë duhet të hapin gojën e t’i mësojnë, t’u transmetojnë urtinë e popujve”.
Ati i Shenjtë, në Engjëllin e Tënzot u lut për paqen në Egjipt dhe kujtoi se “feja nuk është stoli e nuk pajtohet me dhunën”/Fe nuk do të thotë ta hijeshosh jetën me pakëz besim: janë fjalët e Papës Françesku që, në Lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot shpjegoi fragmentin e Ungjillit, në të cilin Jezusi thotë: “Nuk erdha të sjell paqe!”. Ati i Shenjtë nënvizoi sidomos, se “feja është e papajtueshme me dhunën, por edhe se të besosh, nuk do të thotë të mbash qëndrim asnjanës”. Pastaj, një mendim për viktimat e tragetit mbytur në Filipine dhe një lutje të njëzëshme, për paqen në Egjipt. Feja kërkon të zgjedhësh Zotin si kriter bazë të jetës, e Zoti nuk është i zbrazët, nuk është asnjanës, Zoti është dashuri! Papa Françesku i shkundi ndërgjegjet e të krishterëve, duke pohuar se “Jezusi u kërkon të heqin dorë nga e keqja, nga egoizmi e i fton të zgjedhin të mirën, të vërtetën, drejtësinë, edhe kur kjo kërkon flijime, larg interesave vetjake”. U ndalua tek një shprehje e Jezusit, Papa: “na vë në krizë”, e cila duhet shpjeguar, përndryshe mund të shkaktojë keqkuptime. Jezusi u thotë dishepujve të vet: “Kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, unë po jo them, nuk erdha të sjell paqen, por ndasinë”. E Françesku shpjegon:
“Do të thotë se feja nuk është stoli, ornament. Fe nuk do të thotë ta zbukurosh jetën me pakëz besim, si të ishte tortë, që stoliset me ajkë. Jo! Feja na kërkon ta zgjedhim Zotin si kriter bazë të jetës, e Zoti nuk është i zbrazët, Zoti nuk është asnjanës, Zoti është gjithnjë pozitiv, Zoti është dashuri e dashuria është pozitive”. Zoti ka fytyrë, ka emër: Zoti është mëshirë, është besnikëri, është jetë, që dhurohet, kujtoi Papa Françesku, e shtoi: Pasi Jezusi erdhi në botë, nuk mund të sillemi si të mos e njihnim, si të ishte diçka abstrakte, e zbrazët, vetëm një emër e asgjë më:
“Jezusi është paqja jonë, është pajtimi ynë! Po kjo paqe nuk është paqe varrezash, nuk është asnjanësi. Jezusi nuk sjell asnjanësi. Ta ndjekësh Jezusin, do të thotë të heqësh dorë nga e keqja, nga egoizimi e të zgjedhësh të mirën, të vërtetën, drejtësinë, edhe kur duhet të flijohesh e të heqësh dorë nga interesat vetjake. E kjo shkakton ndasi, e dimë, krijon edhe rrezikun e këputjes së lidhjeve më të forta. Por, kujdes, nuk është Jezusi, Ai që ndan. Krishti cakton kriterin; të jetosh për vetveten ose të jetosh për Zotin e për të tjerët; të shërbesh ose të shërbehesh; t’i bindesh vetvetes ose t’i bindesh Zotit. E ky është edhe kuptimi i shprehjes: ‘Jezusi është shenjë kundërshtie”.
Në vijim Papa Françesku nënvizoi se kjo shembëlltyrë e Ungjillit nuk e lejon, në asnjë rast e në asnjë mënyrë, përdorimin e forcës për mbrojtjen e fesë. Përkundrazi, shpjegoi, forca e vërtetë e të krishterit është forca e së vërtetës, e dashurisë. Kërkon të heqësh dorë nga çdo tip dhune. Feja e dhuna janë të papajtueshme: “Nësa feja e qëndresa shkojnë bashkë. I krishteri nuk është njeri i dhunshëm, por i fortë. E me çfarë force? Me atë të butësisë. Me forcën e ëmbëlsisë e të dashurisë”.
Ati i Shenjtë kujtoi se edhe në farefisin e Jezusit kishte nga ata, që nuk ishin një mendjeje me mënyrën si jetonte e si predikonte Zoti. Na e thotë Ungjilli. Por, në fund, për virtyt të fesë së Marisë, familjarët e Jezusit i gjejmë në radhët e bashkësisë së parë të krishterë.
Më pas Papa i ftoi të gjithë: “T’i lutemi Marisë të na ndihmojë t’i mbajmë sytë ngulur mbi Jezusin e ta ndjekim gjithnjë, edhe kur kjo kushton shtrenjtë”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›