Lezha mbetet 4 me 3 për të djathtën. Përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso: PS vodhi dhe grabiti votat
Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PS, për pavlefshmërinë e rinumërimit të votave për Qarkun e Lezhës
Kolegji Zgjedhor pranoi dje shqyrtimin e kërkesës së PS-së, e cila kërkon shpalljen e pavlefshme të rinumërimit të votave për qarkun e Lezhës. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së PS, me pretendimin se PS i dorëhoqi anëtarët e saj nga KQZ, pasi kishte si qëllim bllokimin e procesit zgjedhor. Kaso akuzoi PS se “vodhi dhe grabiti votat” në Lezhë. Nënsekretari për çështje zgjedhore të PS-së, Koli Bele e cilësoi vendimin e KQZ të paligjshëm pasi nuk kishte kuorumin e nevojshëm për të rihapur dhe rinumëruar kutitë në qarkun e Lezhës. “Vendimi duhet me shumicë të cilësuar, pra me 5 anëtarë. Vendimi është i pavlefshëm, pasi është marrë me 4 anëtarë”, tha Bele. Vendimi i Kolegjit prek procesin e rinumërimit të votave në Lezhë, por nuk tjetërson shpërndarjen e mandateve, pasi rezultati i miratuar nga KQZ për Lezhë, është ai me 39 vota më shumë të koalicionit të djathtë. Kjo pranohet edhe nga socialistët.
Në orët e vona të ditës së diel KQZ ka mbyllur rinumërimin e votave për Qarkun e Lezhës. Pas numërimit të votave të 248 kutive të këtij qarku u vërejtën parregullsi të vogla, por pa ndikim në ndarjen e mandateve, i cili ishte i njëjtë me procesin e numërimit, PD me 4 deputetë, PS me 2 deputetë dhe LSI 1 deputet. Përfundimi i rinumërimit të votave u pasua me debat nga përfaqësuesit e dy partive. Përfaqësuesit e partisë Socialiste kërkuan kohë për verifikimin e tabelave të rezultateve dhe miratimin e tyre ditën e nesërme, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Demokratike deklaruan se kjo kërkesë ishte e pavend dhe KQZ miratoi me 4 vota tabelat e rezultateve për Qarkun e Lezhës.
Bylykbashi: Vendimi i Kolegjit rrënoi procesin zgjedhor/Nënsekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e cilësoi të paprecedentë vendimin e dhënë nga Kolegji Zgjedhor. Ai tha se është hera e parë që Kolegji jep një vendim të tillë në këto 12 vite. “Vendimi shkakton handikap të madh. Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PS për Lezhën, por ky vendim minon procesin e ankimimit, pasi i heq të drejtën partive të mëdha dhe të vogla të kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre në KQZ. Anulon mundësitë e çdo pale, ankimore që në kushtet e një bojkoti politik nga minoranca bën të jetë e pamundur që të bëjë një kërkesë dhe ajo të marrë zgjidhje nga KQZ. Lidhur me këtë duhet të reagojnë legjislatorët dhe t’i jepet zgjidhje këtij handikapi”, theksoi Bylykbashi. Sipas tij, është parë një vjedhje e madhe dhe e hapur e bërë nga Partia Socialiste. Ai paralajmëroi se nuk do të përfundojë këtu, pasi PD do të dorëzojë një kërkesë ankimore në Kolegj. “Në sytë e të gjithë shqiptarëve është një vjedhje e hapur nga PS me 1200 vota, PD-së i është vjedhur një mandat. Ky vendim ka anuluar një kapitull të tërë të Kodit Zgjedhor. Po ky Kolegj Zgjedhor do të duhet të shqyrtojë çfarë është bërë sot. Ne të gjithë e dimë, ujku ishte aty, dhe është e kotë të kërkohen gjurmë të tjera. Askush nuk mund të errësojë atë vjedhje që doli në dritë të diellit”, u shpreh Bylykbashi. Lidhur me qarkun e Shkodrës, Bylykbashi theksoi se ajo është një çështje tjetër, për të cilën do të ketë një shqyrtim tjetër.