Shqiptarësia postmoderne
Nga Ilir Yzeiri
Përveç marrëzive të qeverisë në ikje dhe të një kryeministri që nxjerr para mediave rioshë pa tru që recitojnë akuza ma fletë votimi e drogë, përveç një fushate karikaturore që bëjnë dy nëpunës të PD-së për të vijuar punën e atij që bëri të vetmen gjë në këta njëzetë vjet, pra zhduku PD-në nga skena politike, përve lajmit për tejkalim të normës së ndenjtjes në ujë të kryministrit tonë të lagur prej kohësh, muaji korrik risolli edhe njëherë në vëmendje krizën e shqiptarësisë. Një debat që ka filluar mes prof. Rahmi Memushajt dhe « qarkut katolik të Shkodrës » po të përdornim një stilemë të Çabejt dhe deligjitimimi i heroit ose përdorimi i determinizmit psikik për të interpretuar aktin heroik të vrasjes ose rasti Haradinaj, risollën edhe njëherë në vëmendje të opinionit publik krizën e shqiptarësisë. Në të dyja këto nuk dëshiroj të marr pjesë dhe nuk do të përmend me emër asnjë prej protagonistëve që e nxitën këtë debat. Është e drejtë e gjithkujt që të vërë në pikëpyetje gjithçka, jo vetëm historinë vertikale, por edhe atë horizontale apo transhistorinë. Monopolin e së vërtetës nuk e ka askush, megjithëse në këto debate nuk është vështirë të dallosh një lloj determinizmi absolut që të kujton herë Marksin e herë Frojdin. Ndërsa në rastin e parë, pra në debatin mes pedagogut të gjuhës, prof. Rahmi Memushajt dhe qarkut katolik të Shkodrës, mu duk se po vijonte një debat i nisur më herët që kishte në qendër përsëri një katolik. E kam fjalën për debatin e gjeneral Lleshit më një nëpunës të presidentit të Republikës. Në herën e parë, në debatin që u hap për gjeneral Lleshin, kishte më shumë vend për polemikë, kishte më shumë fushë për të debatuar sepse, jo vetëm gjeneralit, por katolikët në përgjithësi, po paragjykoheshin e po fyheshin me të padrejtë. Mirëpo, si në rastin e parë edhe në të dytin (me ndonjë rezervë në të dytin), kam çmuar vetëm ndërhyrjet e A. Ndrecës, i cili, dallon shumë me debatuesit e tjerë që identifikohen si përfaqësues të qarkut katolik. Përveç tij, ata të tjerët, që në shumë raste mbajnë edhe veladonin e nderuar të klerikut, më ngjajnë me agjitatorët komunistë të inatosur që përpiqen të imitojnë modelet e paarritshme të polemikave të gjeniut Fishta, por, nga që e imitojnë keq, na sjellin në sy një imazh të vrazhdë të njeriut të inatosur që në vend të argumentit sjell degradim e mllefosje. Pavarësisht nga këto, debati për gjuhën shqipe dhe për standartin e saj është mirë që të vijohet, por më parë është mirë që të vijmë të gjithë të përgatitur në këtë debat dhe të mos ngatërrojmë gjuhën shqipe me standartin.
1.
Sot gegërishtja letrare po gjallon ndër vepra të Camajt, të Fishtës e Koliqit që kanë hyrë më në fund në qarkullimin letrar dhe i kanë dhënë shqipes vitalitet e zhdërvjellësi. Askush nuk e pengon askënd që të botojë në dialektin e tij, ndërsa standarti është një model që tashmë ka ndodhur. Unë i pranoj të gjitha akuzat që mund të bëhen për këtë standart, por jam i lumtur që ne kemi një kod, një sisetm shenjash të përbashkëta me anë të të cilave mund të kryejmë komunkimin zyrtar, shkencor, administrativ, ushtarak. Ndërsa në liturgji, në letërsi është krijuar një hapësirë e tillë që nuk detyron askënd që të respektojë standartin. E gjithë kjo varet nga marrëdhënia që krijonë folësi apo autori me të destinuarin apo publikun dhe me lexuesin. Gjuha letrare shqipe e kohës së komunizmit po të përdornim karakterizimin që i bëjnë priftërinjtë e nderuar që janë futur në këtë debat, nuk e pengoi një gjeni të letrave si Ismail Kadare që të bëhet një ndër dhjetë shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit. Unë mendoj se standarti është vetëm njëri nga modelet e gjuhës shqipe që është i detyrueshëm në një sferë të caktuar përdormi që është ligjërimi administrativ zyrtar dhe ai publik shkencor. Në të gjitha rastet e tjera dhe në letërsi e liturgji sidomos secili është i lirë ta ushtrojë shqipen sipas variantit letrar që dëshiron. E kam përmendur edhe njëherë tjetër, unë e lexoj me shumë kënaqësi gëgërishten perëndimore të Ndrecajt dhe e shijoj atë. Ndaj hushtat e kallashnikovët që përdorin priftërinjtë e nderuar kundër standarit, kundër atyre që kanë komunizmin në tru e plot të tjera, le ti kthejnë ato në bronc e të derdhin me to pena të arta e të nisin të lëvrojnë në variantin e mrekullueshëm të gegërishtes perëndimore tekstet liturgjike apo letërsi. Jam i sigurtë që në këtë rast, Rahmi Memushaj nuk do ju vijë te dritarja e tu hedhë ndoj guralec. Në një debat të para do kohëve që u hap pikërisht për problemin e gjuhës shqipe, kam theksuar se te ne krimi më i madh që ka ndodhur nuk është standarti, përkundrazi, standarti është një proces horizontal i mpleksur me atë vertikal por që do kryhej një ditë. Fati i mirë apo i keq ishte se ai u krye në kohën e diktaturës. Diktatura nuk kreu këtu një krim, krimin e kreu diku tjetër. Ajo përjashtoi nga kodi gjuhësor, nga shenjueshmëria dhe nga pragmatika e shqipes gjithë lëndën fetare, i hoqi shqipes me përdhunë shenjat që e kishin mbajtur gjallë dhe që e kishin shpëtuar nga hordhitë barabare otomane. Punën vigane të 4B-ve të mëdhenj që e ruajtën shqipen përmes modelit të teksteve liturgjike, komunizmi i vuri dinamitin dhe përjashtoi me përdhunë nga sfera e qarkullimit gjuhësor shenjueshmërinë liturgjike. Ky po që është një krim, ashtu siç ishte përsëri një krim i rëndë edhe revizionimi i memories kolektive duke fshirë që andej faqe të tëra të historisë së ndritur të shqiptarëve. Unë u përkas atyre që mendojnë se historia e klerit katolik në Shqipëri është faqja më e ndritur e historisë shqiptare. Unë kam vetëm një kult dhe një idhull dhe ai është Pjetër Bogdani.
2.
Në rastin e dytë, pra në rastin Haradinaj unë mendoj se jemi përballë një debati që ka vënë në diskutim shqiptarësinë si fe, si ideologji me tendecat postomderniste që shfaqen aty-këtu në mendimin publik shqiptar. Ka një teori që thotë se karakteristikë e kohës së sotme është vdekja e historisë, sepse ajo bëhet në media dhe për ta bërë atë mjafton një gazetar, një dëshmitar dhe një ekspert. Të tjerë përmendin një thënie të Çurçillit i cili thoshte që Perandoria e Britanisë së Madhe do të marrë fund kur flota jonë detare që ka ndërtuar historinë tonë, viti pas viti, do të shpërndahet. Epoka moderne shenjoi disa karakteristika themelore të bashkëjetëses paqësore dhe të demokracisë, por një nga themelt e saj është se problemet e së ardhmes nuk mund të zgjidhen me luftë. Postmodernismi ka vënë në pikëpyetje edhe modalitetet e jetës totale si demokracinë parlamenatre, partitizmin, krenarinë kombëtare. Në themel të qëndrimit postmodern është uni dhe kriza apo dyshimi për gjithçka të arritur nga periudha moderne. Po në shqiptarët në cilën periudhë jetojmë? Po grekët, serb
