Papa në Pompei nxit motorin e ripërtëritjes fetare në botën moderne
Në Meshën e kremtuar dje paradite në ora 10.30 në sheshin para Shenjtërores së Pompeit, Papa e tregon në lutjen marijane të Rruzares, burimin shpirtëror për familjet e të gjithë besimtarët. Pas dite, Ati i Shenjtë Jozef Racinger, bashkë me qindra mijëra besimtarë e shtegtarë të ardhur në këtë vend të shenjtë, e luti uratën e Rruzares shoqëruar me meditime. Gjatë shtegtimit marjan, Benedikti XVI ia besoi Kishën e botën mbarë Virgjërës së Rruzares së Pompeit, e po kështu e kujtoi në mënyrë të veçantë edhe Sinodin e Ipeshkvijve që po zhvillohet në Vatikan mbi Fjalën e Zotit, pastaj i kujtoi familjet e, në Ditën e sotme Botërore Misionare kujtoi edhe të gjitha ata persona që anë e mbanë botës janë të angazhuar në kumtimin e Ungjillit. Nga Shenjtorja e Zojës së Rruzare në Pompei, Papa u bëri thirrje të krishterëve të jenë motori i ripërtëritjes fetare e sociale para rreziqeve e mos vlerave të shumta që dominojnë në shoqërinë e sotme bashkëkohore. Papa bëri thirrje t’u themi jo kompromiseve, e ta mbrojmë familjen e rolin e saj themelor në shoqëri.“Këtu, tek këmbët e Marisë, familjet le ta gjejnë e përforcojnë gëzimin e dashurisë që i mban të bashkuara”. “Ky qytet, është pra një demonstrim historik se si Zoti e shndërron botën: duke mbushur përplot me dashuri zemrën e njeriun e duke e bërë një “motor” të ripërtëritjes fetare e sociale. Pompei është një shembull se si feja mund të veproj në qytetin e njeriut, duke nxitur apostuj të bamirësisë që vihen në shërbim të më të vegjëlve e më të varfërve, dhe veprojnë në mënyrë që edhe më të fundit të shoqërisë të respektohen në dinjitetin e tyre e të gjejnë mikpritje".
5-vjetori i lumnimit të Nënë Terezës: Festë kombëtare e mbarë shqiptarëve/Dje kalendari kishtar përkujton 5-vjetorin e lartimit në nderimet e elterit të së Lumes Nënë Terezë, misionares së madhe të Indisë e të mbarë botës. 19 tetor 2003-19 tetor 2008: kaluan pesë vjet nga dita e lumnimit të Nënë Terezës, Bijës më të madhe të popullit shqiptar, që na la trashëgim këtë autoportret: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme: "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore". Nuk na çudit, prandaj, fakti se, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit pa u mbushur ende dy vjet pas vdekjes së Rregulltares shqiptare. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj, ndërsa më 19 tetor 2003, pesë vjet më parë, nga Sheshi i Shën Pjetrit përplot me shqiptarë të ardhur nga të katër anët e botës, shqiptoi formulën që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës në nderimet e eletrit:
Formula e Lumnimit - shqiptuar nga Papa Gjon Pali II/Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas regullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator. Sot, pra, nuk është festa liturgjike e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga qielli.
Në përfundim të këtij përkujtimi, bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumnimit të saj: “Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e së Lumes”.
...