Papa, për ndaljen e dhunës dhe gjakderdhjes në Siri
Situata në Siri vazhdon të jetë e vështirë. Pas thirrjeve për ndaljen e dhunës që kanë bërë liderët e shteteve më të fuqishme të botës nga Papa Ratzinger mbërrin një tjetër apel për Sirinë dhe ndaljen e dhunës të këtyre ditëve. “Një apel të vazhdueshëm për të ndalur dhunën dhe gjakderdhjen në Siri. I kërkoj të gjithëve por në mënyrë të veçantë auroriteteve politike në Siri që t’i përmbahen dialogut, dhe të angazhohen për paqen” – është shprehur Papa Benedikti, duke vazhduar se: “është urgjente t’u përgjigjesh aspiratave legjitime të të gjithë aktorëve të Kombit, {…} të shqetësuar për të mirën e të gjithëve dhe të gjithë shoqërisë dhe të Rajonit”. Ndërkaq lista e viktimave në Siri ka filluar të bëhet mjerisht tepër e gjatë. Regjimi i Bashar Asad ka filluar përsëri me krimet, siç bëjnë të ditur edhe anëtarët e Komitetit të përgjithshëm të revolucionit sirian, me vdekje të panumërta që kanë ndodhur sidomos në provincën “rebele” të Homs –it. Situata është me të vërtetë e vështirë madje është vështirësuar akoma sidomos pas dorëheqjes të gjeneralit sudanez Mohammed al Dabi i cili ishte edhe kreu i vëzhguesve të lidhjes arabe. Ndërkaq Arabia Saudite ka përgënjeshtruar lajmin sipas të cilit vetë Arabia Saudite kishte paraqitur një rezolutë mbi krizën siriane që do t’i paraqitej Asamblesë së përgjithshme të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Ky përgënjeshtrim është bërë nga agjensia zyrtare Spa madje një funksionar i ministrisë së Jashtme ka saktësuar se: “Nuk është paraqitur asnjë rezolutë në emër të mbretërisë në Asamblenë e përgjithshme”. Në të njëjtën kohë ka lëvizur edhe Al Kaeda dhe me liderin e saj Ajman al –Zavahiri i ka bërë thirrje sirianëve që mos të mbështeten tek Perëndimi, dhe as tek Lidhja Arabe. “Populli ynë në Siri mos të mbështetet tek Perëndimi, as tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as tek qeveritë arabe dhe as tek Turqia” – ka nënvizuar lideri i Al Kaedës në një video mesazh të përhapur në internet në faqet islamike.Por në të njëjtën kohë ish mjeku egjiptian që ka marrë vendin e Ozama bin Ladenit ka “këshilluar” sirianët që të vazhdojnë me revoltën e tyre kundër regjimit sirian në mënyrë që të ndërtojnë një qeveri islamike edhe në Siri. Nga ana tjetër një grup me emrin Anonymous ka zbuluar disa tekste të postës elektronike të cilat vënë në pah lidhjet e gazetës së majtë italiane la Repubblica me regjimin sirian të Bashar Assad. Këto lidhje kanë qenë të shumta mes gazetës në fjalë dhe Butaina Shaaban, shefe e komunikimit të diktatorit Bashar al Asad. Në këtë polemikë del në pah edhe emri i gazetarit të njohur italian Gad Lerner. Ky i fundit i njohur edhe për publikun shqiptar si një gazetar që zhvilloi një emision të tij të quajtur “Pinoku” drejtëpërdrejt nga kryqeqyteti shqiptar, në vitin 1997, ku mes të ftuarve të tjerë ishte edhe lideri historik i të majtës shqiptare Fatos Nano. Ndërkaq ky gazetar është shumë i njohur gjithashtu edhe për publikun italian sidomos kur ishte Drejtor i Rai –it dhe dha dorëheqjen pas disa videove skandaloze që u shfaqën në ekranin e Rai –it që sipas shumë analistëve italianë të asaj kohe më tepër kërkonin të bënin një reklamim të pedofilisë në Rusi sesa të dënonin në vetvete këtë fakt të dhimbshëm. Sidoqoftë emri i Gad Lerner –it po shfaqet përsëri sepse në këto mesazhe të marra nga posta elektronike del qartë se gazetarja e të përditshmes La Repubblica i kërkon me ngulm mikes së saj Shaaban për t’i krijuar Lerner - it një akses të privilegjuar me majat e pushtetit sirian për një intervistë. Gjithsesi sirianët nuk pranuan që të zhvillohej kjo interviste sepse sipas tyre gazetari ka origjinë izraelite dhe nuk ishte i mirëpritur në Siri. Më kot gazetarja u ka shpjeguar sirianëve se Lerner ka firmosur peticione edhe kundër Netanjahut. Kjo intervistë që do të ishte me të vërtetë interesante nuk arriti që të kryhej. Diktatori sirian nuk mund të lejonte kurrsesi të intervistohej nga një gazetar hebre.