Papadakis: AMC Fiks, telefoni me teknologji mobile
Menaxheri i Departamentit të Produkteve dhe Shërbimeve në AMC, tregon arsyet që e shtynë këtë operator të telefonisë së lëvizshme të zhvillojë një produkt fiks. George Papadakis rrëfen se çfarë fshihet pas AMC Fix, sipërmarrja më e re e kompanisë së telefonisë së lëvizshme. Çfarë synohet me hedhjen në treg të këtij produkti, në një kohë kur telefonia fikse po performon dobët krahasuar me shërbimet e lëvizshme.
Në një kohë kur shumica e investimeve në fushën e telekomunikimeve po orientohen drejt teknologjive të lëvizshme, AMC duket se ka marrë një tjetër drejtim, duke zhvilluar një sipërmarrje në telefoninë fikse. Pse ky vendim?
AMC Fiks ishte sfidë për ne në disa aspekte, pasi kërkonte jo vetëm të ofronim shërbim me teknologji të re, por edhe të sillnim novacion në treg. Ne plotësuam kërkesën për të ndërthurur shërbimin celular me atë fiks, me tarifat më të mira në treg, ashtu siç u jemi angazhuar abonentëve. Vlen të përmendet se vetëm para pak ditësh, AMC Fiks mori “Çmimin për Produktin më të Mirë” të vitit, në Forumin e 3-të Shqiptar të Telekomunikacionit “InfoCom”.
A mos do të thotë kjo se në thelb ju po rinovoni e përditësoni një shërbim tradicional, duke i shtuar aplikime dhe karakteristika të reja?
Ne po ofrojmë përfitimet e telefonisë fikse dhe celulare si një përvojë të vetme. Përparësitë e telefonisë celulare ndahen me linjën fikse, po ashtu veçoritë karakteristike të telefonisë fikse janë bërë të lëvizshme. Pa dyshim, që bëhet fjalë për një përvojë që nuk është përjetuar më parë në këtë treg telekomunikimi.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, lidhjet fikse në Shqipëri kanë pasur një performancë të dobët krahasuar me shërbime të tjera më të reja. Çfarë do të bëni për këtë?
Telefonia fikse mund të konsiderohet tradicionale dhe mund të ketë hasur pengesa të ndryshme. Ekspertizën tonë të gjatë e të suksesshme si operator celular ne e kemi shtrirë në segmentin e telefonisë fikse, të cilën do ta bëjmë aq të përditësuar, sa edhe komunikimi celular. AMC Fiks i shtohet portofolit të kompanisë tonë si ofrues i disa shërbimeve.
Përveç thirrjeve drejt telefonave të tjerë, çfarë të reje sjell AMC Fiks?
AMC Fiks aktivizohet në çast në çdo dyqan AMC, pa qenë nevoja për tela, pagesë instalimi apo kosto të tjera. Abonentët e tij mund të përfitojnë kohë bisede falas mes numrave AMC Fiks dhe drejt numrave kombëtarë ose ndërkombëtarë, në varësi të planit tarifor që zgjedhin. Abonentët mund të zgjedhin edhe modelin e aparatit telefonik, të cilin mund ta marrin edhe falas nëse zgjedhin planin tarifor AMC Fiks Ekstra. Abonentët e AMC Fiks kanë mundësi të kontrollojnë trafikun e kryer vetëm me një SMS; Kujdesi ynë i Abonentit është i gatshëm t’u ofrojë mbështetjen e duhur.
A ka shërbime dhe aplikime të reja që do t’i shtohen AMC Fiks në të ardhmen, të cilat mund t’i ndani me ne?
AMC Fiks sapo ka filluar. Shumë shpejt do t’i shtohen përparësi të tjera. Në lidhje me AMC Fiks, mund të pohoj vetëm se do të sjellim trendet e reja që zhvillohen në tregun europian, ashtu siç kemi bërë me të gjitha produktet dhe shërbimet tona. Abonentët tanë i presin përvoja dhe mundësi të reja, të cilat do t’i zbulojmë së shpejti.