Hapet Panairi i Verës, Basha: Mbështetje prodhuesve shqiptarë
Kryebashkiaku mbledh ministrin Bode, Olldashi dhe Ruli për një gotë verë
në “Qytezën e festave të fundvitit”, ku janë shtuar 12 shtëpiza të reja prej druri, që do të tregojnë verërat më të mira shqiptare me çmimet më të lira
“Qytezës së festave të fundvitit” në rrugën pedonale i janë shtuar edhe 12 shtëpiza të tjera prej druri, që do të tregtojnë verërat më të mira shqiptare, si dhe me çmimet më të lira. Sommelierët, njohësit e thellë të artit të kulinarisë dhe të verës, nderuan me çmime cilësie kantinat shqiptare të prodhimit të verës në “Panairin e Verës dhe Kuzhinës Shqiptare”, që është hapur dje në “Qytezën e festave të fundvitit”, në rrugën pedonale “Murat Toptani”. Në këtë event promovues për zhvillimin e prodhimit të verës në Shqipëri dhe eksportin e saj, konkurruan 12 kompani shqiptare prodhuese të verës. Panairi, i pari i këtij lloji në Tiranë, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë, me mbështetjen e Bashkisë Tiranës, e ktheu kryeqytetin në qendrën e degustimit të verës, produkt me traditë të hershme në vendin tonë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha shprehu vendosmërinë për të përkrahur veprimtari të tilla, të cilat jo vetëm janë një mbështetje për prodhimtarinë shqiptare të verës, por edhe për rritjen e punësimit. Ndonëse Tirana nuk ka vreshta, sipas Bashës, “Tirana është tregu më i madh i verës në Shqipëri dhe ka shijuesit më të mirë të saj”. “Vreshta Tirana nuk ka, por Tirana është pa dyshim tregu më i madh i verës dhe qyteti me shijuesit më të mirë të verës. Dua të besojmë, ndonëse pak herët paradite, ajo që na ka bashkuar është shpirti i bakusit, shpirti i festave që përfaqësohet kaq mirë, në kulturën dhe traditën europiane, veçanërisht në atë kulturë europiane që bën pjesë në civilizmin e verës dhe jo të birrës, ndonëse dhe kjo ka tashmë një traditë në Shqipëri, por për atë do flasim kur të vijë dita e panairit të birrës. Sot, me të gjithë qytetarët na bashkon dëshira për të shijuar jetën me një gotë dhe kjo është një gotë verë shqiptare, e bërë nga rrush shqiptar, i rritur në vreshtat shqiptare dhe që konsumohet në kryeqendrën e konsumit të verës në Shqipëri, në Tiranë dhe jam i kënaqur që na jepet mundësia të mbështesim këtë aktivitet, të mbështesim prodhuesit shqiptarë të verës, të cilët kanë nisur jo pa vështirësi prej dhjetëra vitesh, që shpesh e kujtonim të pamundur, të porosisnim verë shqiptare në parametrat e cilësisë së pranueshme, jo vetëm për konsumin e brendshëm, por edhe për eksport, një rrugë që nuk do të jetë e shkurtër, por pa dyshim si të gjitha rrugët që i nisim me pasion dhe dëshirë e besim, do të japë rezultatet e veta”, - tha kryebashkiaku. Ndër të tjera, ai theksoi nevojën për të mbështetur prodhimtarinë shqiptare të verës, prodhuesit e saj, të cilët janë punësues, punëdhënës, kreditor. “Ne duhet t’i bashkëngjitemi kësaj përpjekjeje në të gjitha mundësitë, duke mbështetur prodhimtarinë shqiptare të verës, prodhuesit shqiptarë të verës, të cilët janë punëdhënës, kreditorë, tregtues të verës, sigurisht pas vendosjes së pullës së akcizës. Ky është një aktivitet, që me shumë dashuri ngërthen të gjithë zinxhirin ekonomik, një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar potencialet e pazhvilluara të vendit tonë, për ta marketuar vendin tone, si një vend prodhues i verës, si një vend i hershëm i civilizimit të verës, vend me potenciale të mëdha turistike dhe për të bërë të mundur që nga rrushi të mos nxjerrim vetëm mushtin, që pastaj të bëhet verë, por sa më shumë dinamizëm ekonomik dhe vende pune për qytetarët”, - u shpreh kreu i Bashkisë, i cili i akordoi çmimin e parë të cilësisë së verës kantinës “Çobo” të Beratit. Kjo kantinë që gjendet përballë Malit të Tomorrit, në kodrat që rrethojnë qytetin e Beratit, u nderua për kategorinë e verës së bardhë dhe asaj të kuqe. “Çobo” ka tërhequr tashmë vëmendjen e gjerë brenda dhe jashtë vendit, duke u prezantuar në një sërë panairesh si dhe në Atlasin Botëror të Verërave. Pas ceremonisë së ndarjeve të çmimeve për verërat më të mira shqiptare, kreu i Bashkisë së Tiranës, bashkë me tre ministra të kabinetit qeveritar, ai i Financave, Ridvan Bode, i Transporteve, Sokol Olldashi, si dhe i Bujqësisë, Genc Ruli kanë vizituar nga afër panairin, duke shijuar së bashku verën e çdo kantine nga i gjithë vendi. Duke e promovuar këtë prodhim që mund të jetë konkurrues në Europë, ministrat dhe kreu i Bashkisë kanë shijuar pak nga pak cilësinë e verës shqiptare.
Ruli: Të jemi krenarë për cilësinë e verës
Prodhimi verës është një traditë e hershme për shqiptarët dhe tashmë ka ardhur koha që vendi ynë ta ketë pjesë të identitetit të tij këtë prodhim, sikurse edhe të ndihet krenarë për cilësinë. Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Genc Ruli në ceremoninë e hapjes së Panairit të Verës, duke uruar pjesëmarrjen e të gjithë publikut të Tiranës për të shijuar verën shqiptare në sonatet ku ajo është prezantuar.
“Duhet ta pranojmë sinqerisht që prodhimi i verës cilësore tek ne nuk është traditë e kohëve të fundit, e kështu që të dalim sot me verën shqiptare, do të thotë t’i rikthehemi vetë historisë dhe traditës, dhe një identiteti kulturor të caktuar”, - u shpreh Ruli. Ndërkaq, ai ka përshëndetur në mënyrë të veçantë 12 prodhuesit e përzgjedhur ndër më të mirët, në konkursin dhe Panairin e Verës, të cilët kanë arritur të sjellin një verë të provuar cilësore. “Vera sigurisht që të ketë suksesin dhe identitetin e saj duhet dhe konsumatori cilësor. Dhe unë, i jam mirënjohës për pjesëmarrjen duke ju parë të gjithëve si konsumatorë cilësorë dhe sqimatarë të kësaj pije të mrekullueshme. Dhe natyrshëm duhet të themi që në këtë panair modest dhe të parë do të donim të tentonim atë që tashmë është arritur nëpërmjet punës, artit dhe pasionit të këtyre njerëzve, që deri më sot kanë arritur të prodhojnë një verë cilësore shqiptare, por të mundohemi të krijojmë një verë shqiptare, ose një verë të identitetit shqiptar, e cila të jetë prezente siç po bëhet faktikisht gjithmonë e më shumë në tavolinat tona, pse jo në jetën tonë mondane, në jetën e restoranteve dhe gjithmonë e më shumë jo vetëm ta konsumojmë një verë cilësore, të prodhuar këtu tek ne, por të kemi mundësi atë ta kemi dhe si një pjesë prezantuese dhe të kulturës dhe identitetit tonë”, - pohoi ministri i Bujqësisë. Në fund të fjalës së tij, ai është shprehur se i bashkëngjitet pasionit dhe mundit që kanë prodhuesit e verës, për të mundur shumë shpejt që të jemi krenarë për atë që është cilësia e verës.
Çmimet variojnë nga 200-900 lekë
Verërat më të mira shqiptare kanë zbritur në “Qytezën e festave të fundvitit” me çmime nga më të lirat. Aty gjenden verëra nga më të vjetrat e deri tek ato më të rejat që janë prodhuar së fundi në kantinat anekënd vendit. Nuk mungojnë as llojet më të preferuara të verës, siç është ajo “Merlot Mediterran” e kantinës “Luani” Berat, që eksportohet edhe jashtë vendit në Amerikë. Kantina “Luani”, që u vlerësua me çmimin e dytë për verën më të mirë të bardhë, si verën më të vjetër ka servirur në panair ‘Kabërnetin’ e vitit 2004, që kushton 800 lekë, ndërsa çmimet e tjera variojnë nga 200-800 lekë. Ndërsa kantina “Çobo”, që ka marrë çmimin e parë, si për verën e bardhë ashtu edhe për të kuqen, verën më të vjetër e ka të vitit 2005. Produktet e kësaj kantine në panair nisin nga 500 lekë më i liri deri në 900 lekë më i larti. Fituesi i çmimit të parë, Petrit Çobo thotë se vera e prodhuar në vend është më cilësore se ato që importohen. Por veç qytetit të Beratit, të njohur tashmë për traditën e verës së mirë, kantinat pjesëmarrëse në panair vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, si Lezha, Vlora, Përmeti, Elbasani, Durrësi.