E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballkani, Shqipëria shpenzimet më të ulëta për paga dhe pensione

SHKRUAN: Blerina Hoxha 11-12-2011 10:47

Për shkak të qeverisjes së vogël, Shqipëria shpenzon më pak nga buxheti i saj vjetor për rrogat e administratës publike në raport me 5 vende të tjera të rajonit të Ballkanit, sipas një raporti më të fundit të Bankës Botërore. Bosnja dhe Serbia, shpenzimet më të larta

Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta për pagat e administratës në raport me shpenzimet e buxhetit dhe me Prodhimin e Brendshëm Bruto, në krahasim me rajonin. Dhe kjo, jo pse Shqipëria ka pagë mesatare më të ulët se Bosnja dhe Maqedonia, por se ka një numër më të ulët punonjësish buxhetorë për të paguar. Analizën krahasimore të shpenzimeve për paga në raport me buxhetin për 6 vende të rajonit të Ballkanit e ka bërë Banka Botërore. “Madhësia e qeverive në ekonomi ndryshon shumë nga vendi në vend, ku shpenzimet arrijnë nga më pak se 30 për qind e PBB-së deri në afro 50 për qind. Duke përdorur qoftë të ardhurat apo shpenzimet si njësi matëse, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia mund të klasifikohen në grupin e vendeve me qeveri të mëdha, në krahasim kjo madje edhe me vendet e EU10-ës. Shqipëria dhe Kosova mund të klasifikohen në grupin e ekonomive me qeveri të vogël, ndërsa ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka një qeveri me masë të moderuar”, - vë në dukje BB në analizën e saj. Kështu, Shqipëria harxhon rreth 18 për qind të buxhetit vjetor të saj për paga, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit, ku përfshihet Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja, e kanë nga 22 për qind deri në 26 për qind. Ndërsa për pensionet ndryshon situata, ku Shqipëria harxhon pothuajse 29 për qind të të ardhurave buxhetore, pothuajse në të njëjtat raporte me vendet e tjera të rajonit. Banka Botërore në analizën e saj për këtë qëllim vëren se nga pikëpamja e shpenzimeve, qeveritë janë përpjekur të nxisin ekonominë këtë vit, por ndofta do t’u duhet të bëjnë përshtatje në të të ardhmen, në përputhje me kufizimet aktuale të financave. Kështu Maqedonia rriti shpenzimet me afërsisht 6 për qind në terma realë gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, gjë që reflekton në një farë mase edhe përshpejtimin e shpenzimeve që mund lidhen edhe me zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit 2011. Mali i Zi i rriti shpenzimet me afërsisht 3.8 për qind, duke reflektuar gjerësisht ndryshimet në rregulloret e punës, sipas të cilave u rritën pagat dhe pensionet. Këto ndryshime ka gjasa të ndikojnë shpenzimet për këto zëra gjatë periudhës afatmesme, si edhe kanë rritur përqindjen e rritjes së shpenzimeve gjatë tremujorit të tretë. Po kështu, Shqipëria rriti shpenzimet me 3.5 për qind në terma realë gjatë gjysmës së parë të vitit, ku transferat sociale përfaqësonin gjysmën e rritjes së shpenzimeve. Ndërsa Banka Botërore thekson se Shqipëria vendosi një kontroll më të fortë të shpenzimeve gjatë tremujorit të tretë për të garantuar përmbushjen e objektivit për deficitin vjetor. Megjithatë, në Kosovë shpenzimet në përgjithësi u rritën me 3.3 për qind në terma reale, gjë që reflekton shpenzime të ngadaltë në tremujorin e parë. Shpenzimet u rritën ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë, si edhe gjatë kohëve të fundit duke reflektuar një valë të përhapjes së kapitalit, por edhe shpenzime më të larta për pagat dhe borderotë. Shpenzimet buxhetore të Bosnje-Hercegovinës u ulën në terma realë, gjë që pasqyronte një ulje të shpenzimeve për mallrat, shërbimet dhe subvencionet. Po kështu, u konstatua rënie e shpenzimeve në terma realë në Serbi, ndonëse përfitimet nga kufizimet në paga dhe pensione ishin të pamjaftueshme për të kompensuar nënperformancën e të ardhurave duke rezultuar në një deficit më të lartë. Për më tepër, përfitimet mund të jenë afatshkurtra, në kontekstin e indeksimit të pritshëm të pensioneve dhe pagave në muajin tetor.

Pagat pensio. inves. paga në %/PBB pensio. në %/PBB

ALB 18.1 29.3 17.1 5.3 8.6

BIH 26.5 31.5 9.4 12.9 15.4

KOS 24.4 13.0 39.5 7.4 3.9

MKD 22.6 29.3 12.7 8.0 10.4

MZI 23.3 29.0 11.4 11.0 13.7

SRB 22.6 42.7 9.7 10 19.3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›