Energjia, rritja e prodhimit kërkon siguri
Shqipëria duhet të rrisë prodhimin e energjisë dhe të garantojë sigurinë e burimeve energjetike, në mënyrë që zhvillimi ekonomik të jetë i vazhdueshëm. Gjatë konferencës shkencore “Gjeopolitika energjetike dhe siguria kombëtare, qasje ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë,” të organizuar në ambientet e Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu,” koloneli Perikli Koliçi tha se vendet e botës po bëhen gjithnjë e më të varura nga burimet energjetike. Sipas tij, Shqipëria mund të luajë një rol të rëndësishëm në Ballkan, por nevojitet një mbrojtje më e gjerë, pasi burimet energjetike janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve. Specialistë të tjerë nga fusha e energjetikës thanë gjatë konferencës se nevojitet hartimi i strategjive energjetike për të rritur rolin e Shqipërisë në rajon. Sipas studimeve, varësia e vendeve europiane ndaj energjisë do të rritet në masën 70% brenda vitit 2030.