E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papadhimos: Greqia përjashtohet nga rregullat për tre vjet

BRUKSEL - Në konferencën për shtyp, pas samitit të BE, kryeministri grek Lukas Papadhimos shprehu mendimin se në Samit u bënë hapa të rëndësishëm në adresimin e krizës. 

Kryeministri Papadhimos pohoi se ajo që u ra dakord në samit, nuk do të aplikohet në Greqi për tre vitet e ardhshme. 

“Greqia do të ushtrojë politika fiskale sipas rregullave të reja, kur të ketë plotësuar planin financiar për eleminimin e deficitit, gjë që pritet të ndodhë në 3 vjet”, sqaroi ai. 

Papadhimos i përshkroi objektivat e buxhetit grek të vitit 2012 si ambiciozë, por të arritshëm dhe shprehu shpresën se ata do të hedhin themelet për “shërim”. 

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e masave të reja, kur tha se “shtetet që kanë deficit të madh duhet të paraqesin planet strukturore me masa shtesë”. 

Shprehimisht dhe pa mëdyshje, kryeministri grek tha se "zgjedhjet në Greqi do të mbahen pasi qeveria të ketë përfunduar detyrimet e saj", duke përjashtuar kështu mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve në 19 Shkurt, sic ishte rënë dakort gjatë negociatave për krijimin e qeverisë së përkohshme. 

Kur u pyet mbi ecurinë e shkëmbimit të bonove, përgjigja ishte e shkurtër, se "shenjat janë të mira", pa u zgjeruar më tej.

Konferenca për shtyp e kryeministrit grek filloi të transmetohej “live”, edhe pse punonjësit e TV shtetëror ERT ishin në grevë. 

Drejtori ekzekutiv i lajmeve kishte urdhëruar transmetimit të intervistës, pavarësisht grevës, duke pasur parasysh rëndësinë e zhvillimeve në Samit, por pas disa minutash rreth 200 punonjës të televizionit, shkuan në sallën e transmetimit dhe e ndërprenë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›