E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu-Metës: Do bëj realitet premtimet për emigrantët

Meta tha pas takimit, se Kryeministri Papandreu i ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Kryeministri grek i është referuar iniciativës së Athinës për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE brenda vitit 20143, që shënohet 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore, iniciativë që, sipas zotit Meta, "synon të përmbushë ato angazhime që mori Bashkimi Europian ndaj Ballkanit në samitin e Selanikut të vitit 2003".

Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe, që u cilësuan si të shkëlqyera, ka dominuar bisedën e dy politikanëve fqinjë, që u fokusua në çështjen e integrimit të mëtejshëm të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi. Meta ka përsëritur kërkesën e Kryeministrit Berisha, gjatë takimit të pati me kryeministrin grek, fundjavën e kaluar në Prespë, për njohjen e patentave të emigrantëve shqiptarë, si një masë që do të ndihmojë lëvizjen e lirë të tyre.

Një tjetër kërkesë shumë e rëndësishme që parashtroi Meta dhe që përbën një problem jetik për emigrantët, ishte ajo për nënshkrimin e një marrëveshjeje për sigurimet shoqërore. Sipas Metës, kryeministri grek theksoi vendosmërinë e tij për të bërë realitet gjithë premtimet elektorale lidhur me integrimin e emigrantëve, ku përfshihet dhënie e nënshtetësisë për brezin e dytë, si dhe dhënia e të drejtës së votës për zgjedhjet lokale emigrantëve. 

Gjatë takimit u ra dakord që komisioni dypalësh i bashkëpunimit ekonomik të mblidhet sa më shpejt dhe të intensifikojë punën e tij për implementimin e projekteve të përbashkëta.  Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi një numër takimesh me homologë të tij nga vende të ndryshme. Më vonë gjatë ditës ai do të takohet edhe me ministrin e Jashtëm suedez, Karl Bildt, që ka kryesimin e radhës të Bashkimit Europian, ndërsa nesër veçohet takimi i tij me ministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Sergej Lavrov.

Takimi i ministrave të Jashtëm të OSBE-së, që i përfundon nesër punimet, synon të dalë me një deklaratë të përbashkët për çështjen e sigurisë rajonale, çka nuk ka qenë e mundur të bëhet në takimet e fundit.  Në këtë takim marrin pjesë 57 delegacione, 45 prej të cilave kryesohen nga ministrat e jashtëm.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›