Papandreu: Qëndrimi grek ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë
Qëndrimi i Greqisë është që të krijohet një ambient i sigurtë dhe prosperues për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb, kështu ka deklaruar kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Papandreou. i pyetur nëse është ushtruar presion mbi Greqinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe nëse qëndrimi i Greqisë do të ndryshojë në këtë drejtim, Papandreou në një intervistë për Vecernje Novosti, ka thënë se stabiliteti i rajonit dhe e drejta ndërkombëtare janë baza e politikës greke. "Qëndrimi i Greqisë për këtë çështje është i njohur mirë dhe nuk do të ndryshojë. Stabiliteti i rajonit dhe e drejta ndërkombëtare janë bazë e politikës tonë. Jemi të përkushtuar në tentativat e krijimit të një ambienti të sigurt dhe prosperues për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb"- shtoi më tej papandreu. "Më lejoni të shtoj se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe asaj fetare në Kosovë, ka rëndësi të madhe për ne, dhe angazhimi ynë në rajon tregon përkushtimin tonë për këto qëllime. Kjo do të thotë se ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe është prioritet i lartë për të gjithë ne në BE", ka thënë Papandreu.