E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu vendos që të rrijë i ngjitur pas karriges qeverisëse së bashku me krizën ekonomike

16-06-2011 / Gazeta 55

Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, është shprehur se nuk do të japë dorëheqjen, duke i hedhur kështu poshtë aludimet e krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar, pa të kryeministër. Papandreu ka thënë se do të bëjë disa ndryshime në kabinetin e tij qeverisës, ndryshime këto që pritet të ndodhin sot, si dhe do të kërkojë votëbesim në Parlament 

Policia greke dhe protestuesit u përleshën ndërkohë që mijëra njerëz mbushën dje sheshin qendror të Athinës për të protestuar ndaj masave për shkurtimet e shpenzimeve. Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se politikanët grekë duhet të shkurtojnë shpenzimet nëse duan të marrin ndihma të tjera ekonomike. Policia greke përdori gaz lotsjellës për të mos lejuar protestuesit të bllokonin sot ndërtesën e parlamentit në Athinë, para debatit për shkurtime të tjera, që do të bëjnë të mundur sigurimin e kredive ndërkombëtare për ta shpëtuar Greqinë nga kriza financiare. Përleshje pati mes policisë dhe grupeve të vogla të demonstruesve ndërkohë që mbi 20 mijë protestues u mblodhën në qendrën e kryeqytetit.
Policia mbylli një pjesë të madhe të rrugëve në qendër të Athinës për trafikun dhe këmbësorët për të lejuar ligjvënësit të arrinin me makina deri tek parlamenti.

Qeveria e kryeministrit Jorgo Papandreu duhet të miratojë këtë muaj një program masash të rrepta shkurtimesh prej 28 miliard eurosh për të mos rrezikuar humbjen e financimit nga paketa 110 miliardë eurosh e kredisë së dhënë nga vendet evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për t’iu përmbajtur kushteve, socialistët e zotit Papandreu e braktisën premtimin për mosvënien e taksave të reja dhe përgatitën një program privatizimi katër-vjeçar me vlerë prej 50 miliardë eurosh, duke nxitur edhe më tej protestat kundër shkurtimeve nga grupet e prekura prej tyre. Votimi i programit, që do t’i sigurojë vendit kredinë shtesë prej mbi 100 miliardë eurosh dhe evitimin e falimentimit, vlerësohet si një sprovë e madhe për socialistët grekë që nuk mund të garantojnë as votën e deputetëve të tyre. Analistët e shohin programin si katalizatorin e ndryshimeve të thella të skenës politike të gjeneruara nga kriza e thellë që ka kapluar vendin. Parulla, si “Hajdutë, hajdutë”,“Borxhe unë/borxhe gjyshja ime/por jo në borxhe që pa lindur dhe fëmija ime” sundonin pankartat e protestuesve.

Rrogëtarët, pensionistët dhe punonjësit në profesion të lirë viktimat e para të cunamit fiskal

Fillimisht, se më pas do të bashkohen të gjithë në sheshin Sintagma, aty ku që në mëngjes të revoltuarit kanë vërshuar nga tri pika të ndryshme dhe kanë rrethuar në mënyrë simbolike parlamentin i cili dje pasdite filloi diskutimin  e programit afatmesëm 3-vjeçar. “Sindikatat shkojnë në Sintagma dhe takohen me lëvizjen e të revoltuarve. Ndërtojmë një lëvizje rezistence dhe suspendimi që të mos kalojë programi afatmesëm”- thotë sindikalisti i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë Jorgos Gavrilis për masat fiskale prej 28 miliardë eurosh, ose cunamin fiskal siç thuhet rëndom, që do të godasë kryesisht “kafshët e zakonshëm të ngarkesës”: rrogëtarët, pensionistët dhe punonjësit në profesion të lirë. Veç uljes së pagave, që për nëpunësit shtetërorë do të arrijë në 40%, taksapaguesit do të paguajnë dhe tatim të jashtëzakonshëm solidariteti për katër vjet dhe që shumëkujt i kujton haraçin otoman.

I vendosur për të kapërcyer Rubikonin Papandreu

Aprovimi i një programi të tillë nuk ishte aspak i lehtë për Papandreun që kishte përballë tij protestuesit dhe të revoltuarit e shesheve, krerët opozitarë që flasin për “rrugë të gabuar dhe pa krye” dhe deputetë të partisë së tij në krizë nervore nga presioni edhe i elektoratit të zonave të tyre për të votuar kundër.  “Në qoftë se do ta durojmë tani dhimbjen, me masat korrigjuese të viteve të ardhshme të programit, jo vetëm do të kemi një Greqi tjetër por do të kemi zgjidhur dhe për brezat e ardhshëm problemin e madh të borxhit” është motoja e kryeministrit që duket i vendosur për të kaluar Rubikonin. Deputetët do të shkojnë në votim të trembur, por do të thonë më në fund po. Konsensusin kombëtar mund ta ketë marrë lumi, por e  keqja është se edhe vota e deputetëve të grupimit socialist në pushtet, që mjafton për të siguruar 151 votat e mundshme në seancën plenare të 28 qershorit, shfaqet si një eventualitet torturues për Papandreun dhe ekipin e tij. Një deputet u pavarësua dhe një tjetër deklaroi se do të votojë kundër.“Do shkojnë në votim të trembur, por do të thonë më në fund po. Deputetët deklarojnë se nuk janë dakord, se duan diçka tjetër, por e votuan vjet Memorandumin do ta votojnë edhe sivjet” thotë gazetari dhe analisti i së përditshmes së madhe greke “Elefterotipia” Vangjelis Delipetros, i cili të keqen më të madhe e sheh ndërkohë tek  “rruga pa krye” e masave shtrënguese që rrënojnë ekonominë dhe njerëzit dhe nuk sjellin rimëkëmbjen e premtuar të ekonomisë.  “Pas dy vjetësh do të kemi me sa duket ristrukturim dhe masa të reja” thotë Delipetros me një shqetësim të dukshëm për “gjendjen dëshpëruese dhe klimën eksplozive të krijuar në vend”. “Mendoj se problemi më i madh është se Greqia është një kazan që zien në këto momente: Perspektivë nuk ka, lidhjet koherente janë duke u shpërbërë dhe kjo fsheh edhe rrezikun më të madh” thotë Delipetros, tejet kritik ndaj klasës politike, të cilën e quan të papërgjegjshme dhe korruptuese dhe i faturon “falimentimin de fakto të vendit”. “Të gjithë kanë faj, por kurrë ata që kanë timonin e vendit, të cilët fjalën falje e kanë hequr nga fjalori i tyre” thotë analisti grek.

Qeveria e ka të vështirë ta përballojë peshën e përpjekjes titanike të programit afatmesëm
 
Votë me “gjysëm zemre” të deputetëve socialistë sheh edhe analisti Tasos Papas, i cili nuk përjashton që të shtohet numri i deputetëve që nuk do të votojnë siç ndodhi me dy deputetët të martën, njëri prej të cilëve u pavarësua. “Sidoqoftë kostoja do të jetë serioze. Mund të mos bjerë qeveria por do të bjerë mjaft autoriteti i saj” thotë Papas për kabinetin socialist, i cili me problemet që ka në grupin parlamentar “zor se do të ngrejë peshën e përpjekjes titanike” të programit afatmesëm. Kështu mund të jetë larguar makthi i falimentimit të vendit, të paktën deri në vitin 2015, por jo edhe ai i dekompozimit të skenës politike të dominuar nga sistemi dypartiak dhe dinastitë politike familjare.

 I pakuptueshëm demonizimi i zgjedhjeve

“Tani se ku mund të çojë kjo krizë asnjë nuk mund të jetë i sigurt. Me gjërat njerëzore kurrë nuk mund të jesh i sigurt, por besoj se pas disa vitesh asgjë nuk do të ngjajë si sot. Mund të krijohen parti të reja, mund të shpërbëhen partitë aktuale, mund të rinovohen nga themelet partitë e sotme. Mos harrojmë se nuk ka precedent historik që të ketë mbetur i pacenuar një vend ku ka penetruar Fondi Monetar Ndërkombëtar” thotë analisti grek, që ndërkohë nuk përjashton edhe zgjedhjet e parakohshme. “Nuk e kuptoj pse janë demonizur zgjedhjet. Zgjedhje janë mbajtur në Portugali dhe Irlandë që kanë të njëjtat probleme me ne, por nuk janë rrënuar. Përpos kësaj zgjedhjet janë e vetmja rrugëdalje demokratike në raste krizash”- shton analisti grek, i cili ndërkohë formimin e një qeverie personalitetesh, të paralajmëruar nga vetë Papandreu, e vlerëson si preludin e ndryshimeve më të thella politike të gjeneruara nga kriza e paparë ekonomike.

Kryeministri Papandreu nuk do të japë dorëheqjen, por do të reformojë qeverinë

Aludimi se kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, gjatë një takimi që kishte zhvilluar pasditen e djeshme me kreun e opozitës, Andonis Samaras, kishte vendosur të jepte dorëheqjen për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar, ka mbetur në kuadrin e aludimit, pasi kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, ka vendosur që të mos japë dorëheqjen. Ai ka thënë se do të bëjë disa ndryshime në kabinetin e tij qeverisës dhe do të kërkojë votëbesim në Parlament. 

Ndihma financiare për Greqinë, Ministrat e Financave të BE s`bien dakord

Ministrat e financave të Eurozonës nuk ranë dakord gjatë takimit në Bruksel për paketën e re të ndihmës prej miliarda dollarë për Greqinë e zhytur në borxhe. Diskutime pati për kërkesën e veçantë të Gjermanisë, që edhe kreditorët privatë të Greqisë, si bankat dhe kompanitë e sigurimeve duhet të jepnin kontribut. Sipas propozimit të ministrit gjerman të Financave, Ëolfgang Schauble, ata duhet të shkëmbejnë borxhet e tyre në bono me vlerë për një afat të gjatë kohor. Disa vende të eurozonës dhe Banka Qendrore Europiane e hodhën poshtë këtë plan, për shkak të rreziqeve potenciale në tregjet financiare. Greqia vazhdon të ketë probleme financiare, me gjithë se në 2010 nga BE, vendet e eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mori një paketë ndihme prej 110 miliardë eurosh. Sipas vlerësimeve Athinës i nevojiten edhe 90 deri në 120 miliardë euro të tjera. Ministrat e financave të zonës euro do të takohen për këtë temë përsëri ditën e dielë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›