E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastriot Islami: PS të ndalë bojkotin, mesazhi i Brukselit është që debati të zhvillohet në Parlament

16-06-2011 / Gazeta 55

Deputeti socialist Kastriot Islami përsëriti sot thirrjen drejtuar kolegëve të Partisë Socialiste të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, pasi në këtë mënyrë u japin mesazh të qartë ndërkombëtareve mbi rolin e rëndësishëm të opozitës në funksionimin e institucioneve demokratike.


Pak para se të niste seanca plenare, Islami tha në një komunikim me gazetarët se prezencën e tij në parlament është përgjigje e mesazhit që Brukseli përcolli për opozitën për të ndërprerë bojkotin e parlamentin.


Islami e quajti prezencën e tij “një mënyrë simbolike për të thyer një vendim të padrejtë të PS-së”. “Ky moment i sotëm është një reflektim dhe një rezonim edhe me mesazhin që u dha dje në Bruksel gjatë takimit të delegacionit shqiptar me Parlamentin Europian. U dhanë mesazhe shumë të qarta për ndërprerjen e bojkotit dhe vendosjen e një bashkëveprimi dhe negocimi mes forcave politike sidomos në funksion të integrimit në BE”- nënvizoi deputeti socialist.


Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, tha se shpresonte se shumë shpejt kolegët e tij socialist do të thyenin bojkotin për të qenë një forcë politike që e shpalos veprimin e saj opozitar në mënyrë inteligjente institucionale.


“Është një moment i rëndësishëm dhe unë kam shpresë se shumë shpejt të 66 deputetët socialistë do të jenë në Parlamentin shqiptar për të kryer atë detyrë që kanë marrë përsipër gjatë marrjes së mandatit nga votuesit e majtë, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm, qoftë gjatë zgjedhjeve të 2009, qoftë gjatë zgjedhjeve të 2011. Ata duan që PS ashtu si gjithmonë të jetë një forcë politike që e shpalos veprimin e saj opozitar në mënyrë inteligjente institucionale në Parlament por njëkohësisht nëpërmjet mënyrave të tjera si protestimi, por thelbi është që ka një opozitë të fuqishme që duhet ta thotë fjalën e saj në Parlament sidomos në funksion të integrimit të vendit në BE”- tha më tej ai.


Që prej zgjedhjeve të 2009 deputetët socialistë vazhdojnë të bojkotojnë votimin e pr/ligjeve në Parlament, (pavarësisht apeleve të ndërkombëtarëve) duke akuzuar qeverinë se vodhi zgjedhjet. Me nisjen e punimeve të Kuvendit, (me 2 qershor) të ndërprera për shkak të zgjedhjeve lokale të 8 majit, deputetët e grupit parlamentar të PS vijuan qëndrimin bojkotues si veprim kontestues ndaj vendimeve të KQZ-së për bashkinë e Tiranës.


Të vetmit deputetë që kanë thyer bojkotin janë Kastriot Islami dhe Andis Harasani. Ky i fundit në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›