E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njolla e gjakut zbulon gjurmën e lubisë

16-06-2011 / Nga Lavdrim Lita

Drejtësia vonon, por nuk harron. Edhe pse kanë kaluar pothuajse 5 muaj nga ngjarjet e dhunshme të 21 janarit në bulevardin kryesor të kryeqytetit, vetëm një pjesë shumë e vogël e organizatorëve po përballen me drejtësinë, duke marrë kështu edhe ndëshkimet e parashikuara në kodin penal. Janë shumë pamje filmike të mediave, imazhe të fotografëve profesionistë dhe amatorë, por edhe filmimet e kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit që kanë identifikuar një numër të konsiderueshëm personash, që kanë dhunuar barbarisht mbi uniformat blu, një pjesë e mirë e të cilëve janë ende nën hetim.
Ndërsa shkruaj ndëshkimi i ligjit ka ardhur së pari për dy demonstrues, të cilët akuzohen për goditje dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë që ishin me shërbim përreth Kryeministrisë. Militantët e PS-së Jetmir P. dhe Lefter M. janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Tiranës dhe janë dënuar respektivisht me burg dhe gjobë. Paralelisht me këto dy vendime, Gjykata e Tiranës vijon procesin gjyqësor edhe për të paktën 8 demonstrues të dhunshëm, për të cilët Prokuroria  tashmë ka përfunduar hetimet. Kurse 140 demonstrues të tjerë janë ende duke u hetuar për ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër persona dhe 7 të tjerë u plagosën me armë zjarri. Të gjithë të dyshuarit janë filmuar duke goditur me sende të forta dhe gurë uniformat blu, të cilat ishin rreshtuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë.
Kujtojmë se demonstrata e 21 janarit në Tiranë përfundoi ashtu siç ishte parashikuar: tragjikisht. Mjerisht 4 qytetarë të pafajshëm humbën jetën, shumë të tjerë plagosën. 87 policë u dhunuan barbarisht. Këta të fundit bënë maksimalen e mundshme për të mbrojtur rendin Kushtetues. Garda e Republikës mbrojti Institucionin e Kryeministrisë. Një gardist është në arrest me burg. Të vrarën nuk kthehen më në jetë. Të plagosurit janë rikthyer në normalitet. Kryeqyteti, Tirana, qytetarët  u kthyen në normalitet, për aq sa mund të ishte normale një ditë pas furtunës. Demonstruesit paqësorë, që ndaluan tek ura e lanës, u kthyen në shtëpi. Ata më të dhunshmit u identifikuan dhe ndoca u arrestuan. Organizatorët janë në liri.
Mirëpo çështja më e rëndësishme është se këto demonstrues kanë pasur nxitës kolonelë dhe gjeneralë, që i orientonin me zë nga turma dhe me mesazhe telefonike nga kulla e Fidelit. Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë informacion të hollësishëm dhe të bollshëm rreth organizatorëve të tentativës së marrjes së kryeministrisë me hekur dhe zjarr.
Afërmendsh, sulmuesit guerrilas ndaj institucioni kushtetues nuk mund të dalin të pa prekur nga kjo histori. Sa për 4 viktimat e pafajshme të 21 janarit, gjithmonë e me patjetër duhet një hetim i specializuar i policisë gjyqësore, për të nxjerrë përgjegjësitë penale të individëve të akuzuar. Zbardhja vrasjeve është një domosdoshmëri jo vetëm ligjore, por edhe morale e qytetare. Mirëpo në çdo skenë luhet një skenar. Dhe skenarin e kishin përgatitur organizatorët publicistë, të cilët në mbrëmjen e  20 janarit thoshin se “populli mund të tejkalojë opozitën”, mund të mos e dëgjojë opozitën, populli mund të bëjë atë që bën” dhe se “s’mund të kapërcejmë mbi të vdekurit”. Mbi të vdekurit? Cilët të vdekur kur data ishte 20 janar. Dhe të vdekurit do të jenë me demonstratën e 21 janarit. Shthurja e gjuhës, çoroditja e mendimit nga kërcënimet, mallkimet, kërcitjet dhëmbëve, thirrjet për dyluftim, të gjitha këto prodhuan hyrjen në skenë të apostujve të rremë. Inskenimi i dhunës erdhi jo vetëm si frymëzim për  marrjen e pushtetit, por edhe pse Egoarkut i duhesh një tjetër kauzë që të zëvendësonte rutinën e hapjes së kutisë. Me 21 janar u gjet kauza e “gjakut”. Gjaku lau duart nga kauza e hapjes së kutisë. Ndonëse larja e duarve nuk lan dot ndërgjegjen e atyre, që i thirrën njerëzit, militantët dhe turmën dhe i braktisën në mëshirë e një grupi me sjellje paramilitare. Njolla e gjakut do t’i përndjekë organizatorët e turpit më të madh të bërë në dekadën e fundit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›