E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterplani i jugut, PD sulm klaneve në PS



Kuvendi debatoi dje në lidhje me masterplanin e jugut, ku deputetët e mazhorancës akuzuan eksponentë të opozitës se janë të lidhur me klane të caktuara ekonomike. Gjatë debatit të lirë, deputetët e mazhorancës deklaruan se klane të caktuara nuk kërkojnë zhvillimin e bregdetit. Ata mbrojtën projektin e ri të zhvillimit. “Ky projekt nuk është zhvilluar mbi bazën e klientelizmit, por në përputhje të plotë me kriteret dhe standardet evropiane të zhvillimit. Akuzat e opozitës janë të pabaza, të gjitha akuzat e opozitës ndaj këtij projekti, i cili ka prishur njollat që ka përcaktuar projekti i 2005”, - tha deputeti i PD-së, Osman Metalla. Ai tha më tej se me planin e vjetër kishte njolla që nënkuptonin se vetëm në zona të caktuara mund të kishte mundësi shfrytëzimi, ndërsa në zona të tjera, nuk lejohej pasi nuk ishin në zotërim të tyre. Deputeti tjetër i PD-së, Gjok Vuksani, tha se “deputetët e PS-së po mbrojnë firma ndërtimi të lidhura me kryetarin e partisë, Edi Rama. Projekti i Bankës Botërore paraqet zonat ku mund të ndërhyhet, por edhe ato që duhet të ruhen si pasojë e vlerave mjedisore, ndërkohë që këto zona u lihen në dispozicion njësive të qeverisjes vendore. Me akuzat e saj për këtë projekt, PS-ja dhe një pjesë e grupit të saj parlamentar, janë kthyer në avokatë të firmave ndërtuese të zotit Rama”, - tha Vuksani. Ndërkohë, deputeti i opozitës, Taulant Balla, akuzoi qeverinë, duke e cilësuar masterplanin e jugut si klientelist.

Kuvendi miraton ligjin, nga 1 maji, sigurimet 15%

Kuvendi miratoi dje projektligjin e qeverisë për uljen e sigurimeve shoqërore, duke bërë të mundur që nga data 1 maj e këtij viti, bizneset të mos paguajnë më shumë se 15 për qind të pagës. Kjo ulje është 50 për qind më e ulët në krahasim se më parë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se kjo ulje do të bëjë të mundur uljen e kostove për bizneset si dhe rritjen e kontribuuesve. Ai hodhi poshtë dyshimet e opozitës se kjo ulje mund të çojë në kolaps skemën e pensioneve. Bode tha se ndonëse në këto vite taksa u ul me 10 për qind, tatimet arritën të mblidhnim 20 miliardë lekë më shumë se në kohën e qeverisjes së PS-së. “Duke filluar nga data 1 maj e vitit 2009 ata do të paguajnë vetëm 15 për qind mbi pagën. Kjo përbën një nga arritjet më të mëdha në fushën e politikave fiskale për të nxitur punësimin në sektorin privat, për të mënjanuar informalitetin tepër të përhapur që ka pasur tregu i punës", - tha Bode. Por deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, tha se kjo ulje mund të sjellë probleme. “Dikush nga qeverisja aktuale thotë se puna e zezë duhet trajtuar si vepër penale. Mendoj se kjo nuk është rruga e duhur, sepse sigurimet shoqërore kanë karakter të dyfishtë. Ato janë një detyrim fiskal, por në thelb të gjithë duhet të kuptojnë se ato janë kursime që secili prej nesh lë për pension, kur të vijë mosha e tij”, - tha Meksi. Bode u kundërpërgjigj duke thënë se në kohën e PS-së kjo taksë ishte më e larta në rajon. “Një taksë e padrejtë, më e larta në të gjithë rajonin, e keni pasur 30 për qind kur keni qenë në pushtet. Më gjeni një vend në rajon që e ka mbi 17 për qind”, - tha Bode.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›