Zoti Balla, ju kërkova thjesht të thoni të vërtetën!
Zoti deputet,
Ju drejtpërdrejt dhe unë indirekt, kemi disa kohë që debatojmë me njëri-tjetrin. Ju me deklarata në media dhe nga foltorja e Kuvendit, unë nëpërmjet institucioneve, Komisionit të Jashtëm dhe grupit parlamentar të PS-së. Ju për qëllime politike, megjithëse unë kam gati katër vjet i shkëputur nga politika dhe i rikthyer në Shërbimin e Jashtëm; unë me qëllimin dashamirës, t’Ju orientoj drejt të vërtetës dhe besueshmërisë (edhe për shkak se mosha ime është sa dyfishi i moshës tuaj). Kam më shumë se gjysmën e moshës suaj që merrem me politikë dhe diplomaci dhe do të vazhdoj të jem aktiv deri sa shëndeti të ma lejojë. Kam folur më shumë se dhjetë vjet në atë foltore, ku ju sapo keni filluar, me parimin që politika ka moral, ka ndershmëri, njeh respekt, etikë dhe tolerancë. E vërteta, integriteti dhe besueshmëria të mbajnë gjatë në politikë. Ju siguroj që këto rregulla i kanë zbatuar shumë nga kolegët e grupit ku bëni pjesë dhe prandaj ata kanë mbijetuar kaq gjatë në politikë dhe nuk janë keqpërdorur nga ish apo aktualisht drejtuesit e partisë. Mbaj mend që në politikë ju rekomandoi një politikan që e respektoj, si të tillë. Ai bëri atë që e bëjnë të gjithë politikanët largpamës, rigjenerimin me potenciale të reja të forcës politike. Por në këto rekomandime, disa dalin edhe skarco. Unë p.sh. rekomandova disa ish-diplomatë karriere që të punonin në stafin tim. Por me ndonjë edhe dështova dhe u detyrova të kërkoja largimin nga misioni se ishte i korruptuar. Jam i sigurt që edhe ish-drejtuesi juaj i parë është i zhgënjyer me ndonjë që në pak kohë është keqpërdorur dhe konsumuar, për shkak të mungesës së disa prej cilësive që përmenda më lart, pra mungesës së moralit, të edukatës, të etikës, të besimit dhe të keqpërdorimit të së vërtetës. Asnjë nuk është zotërues i të vërtetës. Ne kërkojmë të marrim informacione, por ka edhe prej atyre vullnetarëve që e servirin ashtu siç na pëlqen neve të jetë, pra jo gjithnjë i mbështetur në fakte të vërteta. Në këtë rast, ne që duam të vërtetën, rriskojmë. Dua edhe unë të më mirëkuptoni për të sqaruar këtë radhë jo indirekt siç bëra më parë, nga dëshira për t’ju ndihmuar, që të sqaroj disa nga ato që ju i paraqitët publikisht dhe që unë mendoj se ju kanë keqinformuar:
Keni shumë të drejtë kur thatë se ka rënie buxheti të shtetit nga të ardhurat e shërbimit konsullor në ambasadën shqiptare në Athinë. Ju thatë që shkaku është i përvetësimit të të ardhurave të buxhetit nga stafi diplomatik apo titullari. Nuk ka asnjë mekanizëm veç asaj që të grabitet banka ku paguhen taksat për shërbimet konsullore, sepse ka mbi një vit që asgjë nuk paguhet në ambasadë. Jua kam renditur sipas mendimit tim arsyet e rënies së të ardhurave dhe mund të them që këto janë rezultate të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve dhe popujve, por edhe meritë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi.