Papërgjegjshmëria e Elvana Hanës, 30 të sëmurë me leuçemi rrezikojnë jetënNga TemaDrejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, me papërgjegjshmërinë e vet ka vënë në rrezik jetën e 30 pacientëve që kurohen nga leuçemia
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Papërgjegjshmëria e Elvana Hanës, 30 të sëmurë me leuçemi rrezikojnë jetënNga TemaDrejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, me papërgjegjshmërinë e vet ka vënë në rrezik jetën e 30 pacientëve që kurohen nga leuçemia. Kjo e fundit nuk ka lëvruar fondin për të blerë medikamentet për kurimin e pacientëve, edhe pse qeveria vendosi rreth dy muaj më parë që ato duhet të rimbursoheshin nga ana e ISKSH. Pacientët, të cilët nuk duan të identifikohen nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, thonë se e kanë të pamundur që ta përballojnë vetë blerjen e medikamentit, pasi ai kushton rreth 2600 euro për pacient në një muaj. Nëse ata nuk kurohen me këtë ilaç, me emrin Glivec (Imatinib), gjendja e pacientëve me leuçemi do të përkeqësohet ndjeshëm, duke rrezikuar kështu seriozisht jetën e tyre. Burime pranë ISKSH thonë se gjithë sorollatja e pacientëve vjen prej bllokimit nga ana e Elvana Hanës, e cila nuk firmos blerjen e medikamenteve.
Problemi
Hyrja në fuqi e listës së re të barnave të rimbursuara në datën një qershor të këtij viti, pas vendimit zyrtar të Këshillit të Ministrave, u duk se do ishte fundi i vuajtjes dhe ankthit për një pjesë të mirë të të sëmurëve me leuçemi kronike. Vetë drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, deklaroi para medieve rimbursimin 100% të vlerës për medikamentin Glivec (Imatinib), që përdoret prej pacientëve me leuçemi dhe që ka një kosto të papërballueshme për xhepat e tyre, duke qenë se duhet ta marrin çdo ditë për gjithë jetën. Kostoja e këtij medikamenti në farmaci është rreth 2600 euro për pacient në një muaj, gjë që sipas këtyre të fundit është krejt e papërballueshme nga pacientët. Por, që nga hyrja në fuqi e vendimit të qeverisë më një qershor, e deri më sot, pacientëve nuk u është dhënë asnjë kokërr Glivec nga ana e ISKSH. Në fakt, deri më datën katër korrik, disa javë para shfaqjes së gripit të derrit në Shqipëri, rreth 15 pacientë kanë vazhduar të marrin falas kutitë e fundit të medikamentit, të mbetura prej tenderit të QSUT të vitit 2008, ndërsa 15 pacientë të tjerë kanë qenë në të ashtuquajturën listë pritjeje, (të diagnostikuar me leuçemi kronike, por që nuk kanë mundësi të marrin Glivec, për shkak të sasisë të pamjaftueshme të medikamentit nga tenderi i vitit 2008). Situata e krijuar, sipas mjekëve, është shumë e rrezikshme për shëndetin dhe jetën e pacientëve, sepse ndërprerja e medikamentit, qoftë dhe për intervale disaditore, mund të sjellë rikthim të leuçemisë në formën agresive akute të pakthyeshme. Pacientët dhe familjarët e tyre, por dhe doktorët që i kurojnë ata, shprehen tepër të shqetësuar, sepse ishte pikërisht furnizimi i pandërprerë me këtë medikament, ajo që ata kërkonin nga QSUT dhe që në fakt nuk mund të sigurohej nga procedurat e komplikuara të tenderëve të kësaj të fundit. Ishte kjo arsyeja që i shtynte ata të kërkonin rimbursimin e medikamentit nga ISKSH. Gjë që në fakt është arritur, pas vendimit të një qershorit nga ana e Këshillit të Ministrave, por që nuk po vihet në zbatim si pasojë e papërgjegjshmërisë së drejtoreshës së ISKSH, Elvana Hana, e cila me mosveprimin e vet ka vënë në rrezik jetën e 30 pacientëve.
Arsyet
Pacientët dhe personeli mjekësor në QSUT, ku dhe kurohen të sëmurët me leuçemi, përfshirë këtu edhe punonjës të ISKSH, të cilët nuk guxojnë të identifikohen, si pasojë e frikës nga ndonjë hakmarrje e mundshme, thonë se shkaku i kësaj situate dhe sorollatja e pacientëve, jeta e të cilëve tashmë është vënë në rrezik, vjen për shkak të bllokimi nga Elvana Hana të procedurave rutinë të furnizimit me medikamente. Burimet e mësipërme thonë se, në fillim u mendua se vonesa e këtyre procedurave, të cilat kanë vënë seriozisht në rrezik jetën e pacientëve me leuçemi, ishte për shkak të pushimeve të Elvana Hanës gjatë muajit korrik në kryeqytetin francez, Paris. Por, pas kthimit të saj nga pushimet, sipas tyre, u bë e qartë se vonesa ishte e qëllimshme. Këto burime thonë se, duke vonuar qoftë dhe për disa muaj blerjen e medikamentit, Elvana Hana synon që të forcojë fondet jo aq të shëndosha të ISKSH në planin afatshkurtër, por qëllimi i saj, sipas tyre, mund të jetë edhe më mizor dhe afatgjatë. Duke lënë për disa muaj pacientët me leuçemi kronike pa medikamente, ka shumë të ngjarë që për shkak të përparimit të sëmundjes, numri i tyre të pakësohet aq shumë, sa nuk do jetë nevoja të harxhohen fare pará për këta të sëmurë, të cilët kanë një kosto të lartë për financat e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Burimet e mësipërme thonë se kjo është një shkelje e qëllimshme financiare, që Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të hetojë, sepse për 15 të sëmurë që iu ndërpre mjekimi më datën katër korrik, (mjekim që filloi nga tenderi i QSUT rreth 2 vjet më parë, në verë të vitit 2007), janë harxhuar nga buxheti i shtetit afërsisht rreth 1 milion euro. Në momentin që këtyre pacientëve iu ndërpritet mjekimi dhe lihen qëllimisht të vdesin, pasi nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti i mosblerjes së medikamentit për kurimin e tyre, edhe pse për këtë ka një vendin qeverie, këto një milion euro quhen të shpërdoruara, sepse nuk shërbyen për asgjë. “Kjo situatë tregon qartë se sa shumë fuqi e pamerituar i është dhënë kësaj zonje të plotfuqishme, që sfidon vendimet e Këshillit të Ministrave, e që mos flasim pastaj për vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat Elvana Hana nuk i merr në konsideratë”, - shprehen punonjës të QSUT, të cilët janë të shqetësuar për fatin e 30 pacientëve të tyre, të cilët, nëse nuk marrin medikamentin Glivec (Imatinib), rrezikojnë seriozisht që të humbasin jetën.