Papulias e Hollande urojnë Nishanin:Të gatshëm për bashkëpunim

Presidentit të zgjedhur të Republikës, Bujar Nishani i kanë mbërritur mesazhe urimi nga Presidenti i Republikës së Greqisë, Karolos Papulias dhe Presidenti i Republikës së Francës, François Hollande.
Duke e uruar me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të rëndësishme, në letrën e tij për Presidentin Nishani, Presidenti Papulias shpreh angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe të bashkëpunimit në kuadrin rajonal për të çuar më përpara stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë.
“Minoriteti grek në vendin tuaj dhe qytetarët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi do të vazhdojnë të jenë urë e fortë miqësie dhe komunikimi mes dy popujve tanë. Greqia është dhe do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e perspektivës europiane të Shqipërisë, por edhe e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ne presim që Shqipëria të marrë sa më shpejt që të jetë e mundur statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për kryerjen e reformave që kërkohen në kuadrin e procedurave të integrimit”,-shprehet në letrën e tij Presidenti i Republikës së Greqisë, Karolos Papulias.
Në mesazhin e urimit për Presidentin Nishani, Presidenti i Republikës së Francës, François Hollande ndër të tjera shprehet:
“Ju uroj sukses të plotë në misionin tuaj të lartë. Shpresoj në veçanti që gjatë mandatit tuaj qeveria shqiptare të vazhdojë reformat e nevojshme për afrimin e Shqipërisë me Europën. Mund të keni besim në mbështetjen e Francës për t`ju ndihmuar në realizimin me sukses të këtij qëllimi. Do të kemi rastin të punojmë së bashku me qëllim që marrëdhëniet e vjetra dhe miqësore që ekzistojnë mes Francës dhe Shqipërisë të zhvillohen më tej. Unë jam i vendosur nga ana ime të veproj me vendosmëri në këtë drejtim” shkruan Hollande.