Berisha-Mignon: Presidenca e KiE-së, përgjegjësi e lartë

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Strasburg, u takua sot në Pallatin e Europës, me Presidentin e Asamblesë Parlamentare Jean-Claude Mignon.
Kryeministri Berisha, pasi bëri me dije prioritetet se ku do të fokusohet presidenca shqiptare, theksoi se Shqipëria e sheh këtë si përgjegjësi të lartë, të cilën ajo do ta përmbushë me sukses të plotë, në bashkëpunim të ngushtë me Asamblenë Parlamentare dhe vendet anëtare.
“Shqipëria është vend i vogël, por e ka marrë me përgjegjësi të madhe kryesinë e Këshillit të Evropës. Ne besojmë se çështjet e zgjedhura janë të një rëndësie krejtësisht të veçantë. “Të bashkuar në diversitet” është motoja e kryesimit tonë, ashtu siç është i pasur vendi ynë, rajoni ynë, kontinenti ynë me diversitet. Do të bëjmë gjithçka për ta konsoliduar, garantuar dhe respektuar sepse, sipas mendimit tim, kjo është më e mira për paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe të ardhmen” theksoi Berisha.
Kryeministri Berisha e ftoi zotin Mignon në Shqipëri, për të marrë pjesë në kremtimet për 100 vjetorin e pavarësisë.
Nga ana e tij Jean-Claude Mignon theksoi se Shqipëria është një vend si shumë të tjerë që janë anëtarësuar në Këshillin e Europës, të cilat janë demokraci të vërteta dhe që kanë qenë të gatshme të mësojnë se ç`është shteti i së drejtës. Këtyre vendeve nuk mund t`u kërkonim qysh vitet e para të ishin shembull udhëheqës në fushën e demokracisë, pasi këto gjëra mësohen me ngadalë. Por janë vende që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe fundit të diktaturave shfaqen një dëshirë të fortë të bëheshin anëtare të klubit të vendeve që mbahen si demokraci të mëdha. Besoj se i duhet dhënë pak kohë cilitdo vend, deri sa të bëhet demokraci e madhe, sepse kështu nuk bëhesh menjëherë, nga sot nesër. Edhe ne qe e quajmë veten demokraci të mëdha, a nuk na është dashur kohë? Prandaj për ne, në Këshillin e Europës ka disa gjëra shumë të rëndësishme që janë modestia, toleranca dhe respekti. Besoj se duhet t`i pranojmë ndryshimet mes nesh, të pranojmë njëri-tjetrin, ashtu si jemi dhe t’i kalojmë njëri-tjetrit njohuritë që kemi” shtoi ai.
I pyetur nëse Shqipëria përbën një rast të veçantë të marrjes së presidencës së KiE-së, Mignon ka theksuar se: “Shqipëria nuk përbën aspak rast të veçantë, nuk përbën aspak problem, madje është një vend i madh, që sot mban kryesinë e Komitetit të Ministrave. Shqipëria është një vend që angazhohet të vazhdojë me cilësi atë që nisi gjatë kryesisë së shkuar një demokraci tjetër e madhe, siç është Mbretëria e Bashkuar. Jam i lumtur që Shqipëria sot ka rastin të vijojë linjat kryesore të programit të Britanisë”.