Papunësia, 3 projekte për të punësuar 1600 persona
Të gjithë të interesuarit për një vend pune, më parë duhet të regjistrohen pranë zyrave të punës. Kështu, duke filluar nga muaji shkurt, këto zyra do të jenë në dispozicion për të regjistruar të gjithë të papunët. Zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka pohon se për vitin 2008 do të zbatohen 3 programe punësimi dhe për këtë janë vënë në dispozicion 200 milionë lekë. Sipas tij, programet do të përfshijnë disa kategori të papunësh, duke filluar nga të paarsimuarit deri tek personat që kanë arsim të lartë dhe numri i përfituesve do të jetë rreth 1600.
Programi i parë
Nga programi i parë i Ministrisë së Punës pritet të punësohen rreth 500 të papunë. Kështu, vendimi “Për përcaktimin e masës dhe kriteret e programeve të nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë në vështirësi”, synon që të integrojë në tregun e punës punëkërkues të papunë në vështirësi, të tillë si, punëkërkuesit e papunë afatgjatë, ata që trajtohen me pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike. Madje, zv/ministstri Sulka tha se ky projekt do mbështesë edhe ata që hyjnë për herë të parë në tregun e punës (mosha 18-25 vjeç), personat mbi 45-vjeç, komuniteti rom dhe personat me aftësi të kufizuar - kontigjent që përbën edhe numrin më të madh të të papunëve të regjistruar në zyrat e punësimit.
Programi i dytë
Programi tjetër, “Për nxitjen e punësimit nëpërmjet formimit në punë”, është bazuar në statistikat e Zyrave të Punësimit, ku rezulton se shumica e punëkërkuesve të papunë të regjistruar janë plotësisht ose pjesërisht të pakualifikuar dhe kanë shumë vështirësi për t’u integruar në tregun e punës. “Nisur nga kjo situatë, si dhe nga përvoja dhe kontaktet e marra me biznesin, rezulton që punëdhënësit kanë kapacitetet e nevojshme për të trajnuar punëkërkuesit e papunë, në ambientet e tyre”,- pohon Sulka, duke shtuar se nga ky program pritet të përfitojnë 500 të papaunë. Ndërkohë ai pohon se programi mbështet financiarisht punëdhënësit që organizojnë trajnim të përgjithshëm nëpërmjet punës në masën 70% të kostos së trajnimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe 50% të kostove të trajnimit, për ndërmarrjet e mëdha. “Kohëzgjatja e programit do të jetë për një periudhë deri në 6 muaj, kohë e mjaftueshme për të siguruar një krah pune të përshtatshëm dhe të kualifikuar. Punëdhënësit janë të detyruar që pas përfundimit të periudhës së formimit, të punësojnë jo më pak se 50% të të trajnuarve”,- thotë Sulka. Programi i tretë
Një mundësi punësimi për të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë, do t’u ofrojë programi i tretë i Ministrisë së Punës. Sipas zv/ministrit Sulka, këtë vit, fondet e vëna në dispozicion të këtij programi do të jenë 40 milionë lekë dhe programi do të shtrihet në të gjithë vendin. Nga zbatimi i projektit mendohet të përfitojnë mbi 600 të rinj. Ndërkohë, Sulka pohon se “Programi i Praktikave Profesionale për Studentët”, i prezantuar dhe aplikuar për herë të parë gjatë vitit të kaluar, krijon mundësi reale për punësimin e të rinjve, veçanërisht atyre që kanë mbaruar arsimin e lartë, brenda apo jashtë vendit.
40 milionë lekë është fondi për “Programin e Praktikave Profesionale për Studentët” nga i cili do të përfitojnë 600 të rinj
50 milionë lekë janë vënë në dispozicion, për “Për Nxitjen e Punësimit Nëpërmjet Formimit në Punë”
50 milionë lekë janë vënë në dispozicion, për punësimin e punëkërkuesve të papunë në vështirësi
200 milionë lekë janë vënë në dispozicion për punëkërkuesit për vitin 2008, nga Ministra e Punës