Gëbels, gjykimi i njeriut
Premiera në Tiranë e dokumentarit “Eksperimenti Gëbels”. Flet drejtori i fotografisë Hajo Schomerus: Për brezin tim ky është një problem i madh, që njerëzit që janë përfshirë në krimet e luftës, Hitleri, Gëbels nuk janë gjykuar si qenie njerëzore.”
Kur kishte ndjekur për muaj me radhë në Gjykatën e Hagës dëshmitë për krime lufte në ish -Jugosllavi, shkrimtarja kroate Slavenka Drakuliç del në përfundimin se kriminelët e luftës “nuk do t’i bënin kurrë keq një mize”, duke hedhur këtë tezë sa të frikshme për embrionin e krimit tek njeriu aq dhe paralajmëruese për diktaturat. Në vitin 2005 një film dokumentar na vjen nga Gjermania, mbi portretin e njeriut dhe të transformimit të tij jo prej etheve të “luftës totale”, por prej paranojës dhe emocioneve frenetike për të qenë qendra e botës. Një portret i jashtëzakontë për bashkëpunëtorin e krimeve të nazizmit, Jozef Gëbels (1897-1945), ministri i propaganës dhe ithtar i Adolf Hitlerit. “Eksperimenti Gëbels” u shfaq për herë të parë në Tiranë më 31 janar në Shkollën e Filmit dhe të Multimedias “Marubi”. Dokumentari i regjisorit gjerman Lutz Hachmeister dhe shkrimtarit Michael Kloft, bën që Gëbels të flasë me gojën e vet nëpërmjet ditareve që ka mbajtur në vitet 1924-1945, të cilat të lexuara ilustrohen nga kronikat arkivore gjermane dhe të BBC.
Bashkëprodhimi gjermano-britanik (2005) u prezantua nga drejtori i fotografisë Hajo Schomerus i cili ndodhej për një workshop në Shkollën “Marubi”.
Ai njihet vetëm si “ithtari më i talentuar i Hitlerit” një gjeni i pashoq për manipulimin e suksesshëm të opinionit politik të masës. Emri i tij u bë sinonim i propagandës pasi nazistët erdhën në pushtet më 1933, kohë kur ai u emërua ministër i Rajhut.
Deri këtu është pjesa që dihet. Të tjera zbulojnë pjesët e ditareve të Gëbelsit që u zbuluan në Moskë më 1992. Mbi to është ngritur filmi dhe siç tha para spektatorëve Schomerus, kjo mënyrë të ndërtuari e personazhit Gëbels ishte për autorët e filmit një eksperiment më vete. Filmi ka skena, pasazhe teksti ironike, rrëqethëse për faktin se dëshmojnë tronditjet dhe lëkundjet e rënda emocionale, mendore të këtij njeriu që eksiton turmat vetëmme dorën e thatë, që lëviz si për qepje apo qëndisje.
“E pëlqej atë, e dua” thotë për udhëheqësin e tij. Më vonë bëhet xheloz që Fyhreri “i tij” është më ngushtë i lidhur me komandantë si Geringu apo Himleri. Magda është dashuria më e madhe e jetës së tij, sigurisht pas partisë, ndërsa partia është kisha e tij. Kështu dhe ushtarët e kësaj lufte totale, sipas tij “duhet të shkojnë në luftë sikur hyjnë në një kishë.”
Ky karakter, siç pëlqen Hajo Schomerus ta cilësojë në filmin “Eksperimenti Gëbels”, u vetëvra me të shoqen, pasi helmoi fëmijët, në bunkerin e Hitlerit më 1945, zgjedhje e pashmangshme duket kjo edhe për ata shikues të dokumentarit që rindërton një jetë e përfshirë në historinë e shekullit të njëzetë.
Ndërtimin në këtë formë i personazhit, Schomerus i cili ka bashkëpunuar për filmin “Syri magjik” me regjisorin shqiptar Kujtim Çashku, na e komenton në intervistë si një nevojë të brezit të tij për ta parë historinë përtej fakteve, për të kuptuar përtej edukatës morale për çfarë ka ndodhur në faqen më të zezë të historisë së popullit gjerman.
Në filmat shqiptarë të viteve të fundit kanë marrë rëndësi të posaçme drejtori i huaj i fotografisë. Pse kjo kërkesë për një industri filmike jo të zhvilluar si e jona? Si ishte përvoja juaj me “Syrin magjik” të Kujtim Çashkut?
Bashkëpunimi me Kujtim Çashkun më solli për herë të parë në Shqipëri dhe ky ishte kontakti im i parë me këtë vend. Kur erdha pesë vite të shkuara në Tiranë për mua ishte njëlloj sikur po vizitoja fundin e botës. Nuk e dija se çfarë duhet të prisja prej këtij vendi, ashtu sikurse për shumë gjermanë ky ende mbetet një mister, një vend magjik i fshehur në Ballkan.
Po të marrim rastin e filmit “Magic eye” për të cilin unë kam bashkëpunuar me Kujtim Çashkun, ishte e rëndësishme, ja sepse. Çdo shqiptar ka një përvojë me vitin 1997 dhe shumëkush e di se çfarë ishte ky vit, e ka të qartë një imazh të asaj që ka parë në realitet apo në televizion. Për mua perceptimi i atij viti nuk është aq nga një sy i huaj po nga një sy që nuk ka përvojë për atë kohë, nuk ka dhe aq kujtime, imazhe. Pra ishte një fillim i ri, një sy i freskët, një perspektivë e re e diçkaje për të cilën njerëzit kanë një imazh të fiksuar tashmë, një përfytyrim të caktuar.
Sigurisht ishte ide e Kujtim Çashkut, ai donte dikë të tregonte në një formë të re.
Për të njëjtën arsye, për të treguar në një formë të re duhet të ketë lindur dhe dokumentari “Eksperimenti Gëbels”?
Si çdo film edhe ky nisi si një ide. Regjisori Lutz Hachmeister dhe unë, bashkë kemi punuar për disa filma. Që kur e kisha njohur Hachmeister-in, më kishte folur për këtë ide, për këtë njeri, ministër i propagandës të cilin njerëzit e kishin cilësuar gjeni, shpikës të propagandës, por nga ana tjetër ai kishte një personalitet shumë kompleks. Pra ai më fliste gjithmonë për Jozef Gëbels. Lutz Hachmeister është gazetar gjithashtu dhe është shumë i interesuar në fushën e shkencës së komunikimit, edhe në këtë këndvështrim ai ishte i interesuar për Gëbels. Me kalimin e kohës ishim gati të bënim një film thjesht duke shfrytëzuar ditaret e tij.
Nuk është ide e re të bësh një film për atë kohë, për një nga personazhet e nazizmit, atëherë ku donit të dilnit duke shfrytëzuar ditaret?
Së pari gjëja që nuk donim të bënim ishte një film kostum (tradicional). Në Gjermani janë bërë shumë filma që flasin për atë që ka ndodhur gjatë nazizmit. nuk donim të bënim një film artistik me kostume, me uniforma naziste, nuk donim një film historik, por psikologjik. Ishim të interesuar për njeriun. Për këtë arsye filmit i “mungojnë” shumë fakte. Nëse nuk dini asgjë për nazizmin, nëse nuk dini se si Hitleri erdhi në pushtet, se kush ishin njerëzit aftër tij, ka të ngjarë që të humbisni në film. Këto fakte mungojnë për arsye se jemi fokusuar më shumë tek karakteri ynë, Jozef Gëbels.
Ju pohuat se ky është një “soft” film, çfarë nënkuptuat?
Me “soft” doja të nënkuptoja delikat. Përderisa nuk merresh aq me faktet historike ke nevojë të kuptosh se cili ishte ky njeri, se si ky karakter do të ndryshojë në vite, se cili ishte ai qysh prej fillimit. E theksova edhe dje që ai ishte një njeri shumë emocionalme ulje-ngritje dhe këtë ju e patë kur shumë herë ai ndryshonte drejtim, ndryshonte ide, ndryshonte mendje, se si luftonte madje dhe mes vetë nazistëve. Për shembull emri i Geringut, komandant i forcave ajrore, është përmendur shpesh në ditarin e Gëbelsit, nga njëra anë ai ankohet duke e sharë “çfarë njeri idiot”, herës tjetër mban një qëndrim tjetër. Ai është njeri që përpiqet lart e poshtë, ka nevojë ta vlerësojnë, të tërheqë vëmendje. Kjo është ajo që unë e quaj “delikate”, diçka që zhvillohet shumë ngadalë, që kërkon kohë. Ndoshta nga ky film ju nuk merrni atë që prisni nga një film për nazizmin, për historinë.
Për brezin tim ky është një problem i madh, që njerëzit që janë përfshirë në atë valë, Hitleri, Gëbels nuk janë gjykuar si qenie njerëzore.
Nuk dimë asgjë për përmbajtjen e ditareve, por hapja e filmit tuaj thotë shumë: meditimet e Gëbelsit të ri për vdekjen dhe fundi me një vetëvrasje makabre.
Kur njerëzit janë të përgatitur për të parë një film për nazizmin ata presin fakte, presin një lloj morali, diçka në formën: shiko po ju themi diçka që duhet ta dini, po ju themi të vërtetën. Fillimi i filmit është shumë i rëndësishëm. Duhet ta befasosh spektatorin, me qëllim që ta përgatisësh për diçka tjetër që do të ndodhë. Fillimi është një lloj dije dhe mënyre tjetër informimi. Prandaj zgjodhëm si skena hapjeje skenat shokuese, si trupat e vdekur, me qëllim që ta përgatisim spektatorin se ky nuk është një film ku dikush do t’ju thotë juve se çfarë duhet të mendoni, por shikuesi duhet të fillojë e të mendojë vetë.
Autorët kanë rikrijuar një njeri që kishte një siguri së jashtmi, por së brendshmi bota e tij është aq e tronditur sa hyrja në politikë dhe në krim duket një rrugë fatale pa kthim.
Edhe në film, edhe nëpërmjet leximit të ditareve ti kupton se ai ishte një njeri i përfshirë totalisht në veten e vetë. Nga ditaret kuptohet se ai nuk i shkruan për veten e vetë, po për përjetësinë. Qysh në krye, qysh i ri, mendoj se ai kishte këtë ide që ai ishte më i mirë që ai po i shkruante ato ditare për brezat e të ardhmes. Kjo kuptohet nga mënyra se si ai shkruan, duke menduar për audiencën, sikur po qëndron para një publiku ku mban fjalim duke u thënë: e pra unë po shkruaj ditare për ju.
Hap pas hapi ju kuptoni se ai nuk është aq shumë i përfshirë në politikën naziste, ai nuk përmend holokaustin, kampet e përqendrimit. Sigurisht ai i njihte këto punë që ç’ke me të, por nuk ishte pjesë e politikës si qëllim i tij në vetvete.
Ai mundohet të kërkojë dhe të gjejë diçka të rëndësishme për veten. Prandaj mendonte se ministria e propagandës ishte qendra e botës.
Kur bëhet fjalë për nazizmin nuk përjashtohet antisemitizmi, ndërsa në rastin e “Eksperimentit Gëbels” kjo nuk ndodh.
Mendoj se ai nuk ishte i interesuar, sepse ai nuk i përkiste më as vetes. Sigurisht që ai ishte antisemit dhe si gjithë nazistët që i mallkonin hebrejtë, por ama nuk e shihte se ishte një person me rëndësi për t’u marrë me çështjen. Ai kishte një pikëvështrim të ngushtë për interesat, ku vetja e tij ishte qendra e gjithçkaje dhe ç’mbetej ishte bota.
Sidomos ironia nuk i mungon?
Është plot me ironi. Ndërsa punonim me filmin ne qeshnim gjithë kohës. Gëbels nuk pëlqen asnjë njeri rrotull tij, ai është qendra e botës, ai kërkon të jetë në qendër të vëmendjes. Nëse e sheh me kujdes gjen tek ai gjëra kaq të çuditshme, ironike. Mund të shihni se sa karakter mendjemadh ishte.
Si është pritur filmi në Gjermani?
Është pritur mirë, me idenë se ka ardhur koha për të parë këtë lloj filmi. Mendoj se 15 vjet më përpara nuk do ishte e mundur të bëje filma për nazizmin vetëm duke përdorur fjalë të nazizmit pa një qëllim të pastër edukativ për t’iu shpjeguar audiencës. Më bëri përshtypje dikush që tha në sallë se në Shqipëri nuk do guxonte kush të bënte një film për Enver Hoxhën. Megjithatë mund të them se edhe njëzet vjet më parë në Gjermani kushdo do kishte thënë ne s’mund të bëjmë një film si ky për Gëbelsin.
Unë i përkas një brezi të ri dhe për mua koha e nazizmit është histori gjithashtu. Por unë nuk kam përvojë me atë kohë, nuk kam qenë atje, prandaj përpiqem të kërkoj mënyra për të kuptuar pse ka ndodhur, si ka ndodhur, i bëj pyetjen vetes pse një milionë gjermanë e bënë këtë. Shumë njerëz të brezit tim, madje edhe njerëz që e duan këtë lloj reflektimi, mendoj se e kanë kaluar atë fazë kur kërkohej që dikush t’u tregonte dhe t’u thoshte çfarë ishte e keqja. Ne duam të kuptojmë më shumë. Çështja është më komplekse se kaq.
Cili është projekti juaj aktual?
Po punoj për një film dokumentar, këtë herë do ta drejtoj vetë. Është një film për kishën që quhet Varri i Shenjtë, në Jeruzalem, që është dhe qendra e krishtërimit. Është varri i Jezu Krishtit, një vend i çuditshëm, një vend ironik, si një lloj disneyland religjioz, shumë njerëz shkojnë aty, fotografojnë, grinden për ta pasur këtë varr.
Është një temë shumë serioze po aq edhe ironike, por është e dobishme. Nëse ke mundësi për t’u kthyer mbrapsht, të krijosh një distancë për të parë ndryshe.