E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bëj art, jo luftë

Regjisorja amerikane, Linda Hattendorf, e ka bërë të njohur në të gjithë botën historinë e artistit 85-vjeçar nga Japonia, Jimmy Tsutomu Mirikitani. Duke besuar se historia e çdo njeriu, në vetvete përmban filozofinë e kohës ku ai ka jetuar, ajo vendosi një mbrëmje të ndalonte në cepin e rrugës ku Mirikitani kishte vendosur strehën e tij, dhe t‘i lutej që ai t‘i tregonte të shkuarën. Fytyra e imët e burrit që tashmë i kishte kaluar të 80-at dhe gjatë gjithë jetës së tij kishte besuar që ishte një artist, bëhej e butë sa herë që dikush ndalej të shihte vizatimet e tij. Mirikitani e dhuronte fare lehtë një vizatim. Mjafton që ai që e merrte të bënte një fotografi të atij vizatimi dhe më pas t‘ia jepte atij. Ky film është shfaqur në ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut që po mbahet në shkollën e filmit "Marubi". "Bëj art, jo luftë", është motoja e këtij prodhimi kinematografik amerikan, realizuar në vitin 2007, kushtuar Mirikitanit, një artisti që ka mundur t‘i mbijetojë traumës së Luftës së Dytë Botërore me kampe internimi, Hiroshimës dhe faktit të të qenurit i pastrehë, nëpërmjet artit që ai krijonte. Regjisorja Hattendorf do ta merrte në apartamentin e saj Mirikitanin dhe të dy do të nisin hulumtimin në të kaluarën e tij, për ta sjellë në filmin "Macet e Mirikitanit", një prodhim i vlerësuar për mesazhin për mbart. Jimmy Tsutomu Mirikitani lindi në Sacramento, në vitin 1920. Në moshën 18-vjeçare ai udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për të vazhduar më tej artin e tij. Ai jetoi për disa kohë me të motrën, Kazuko, dhe familjen e saj në Siatëll, ku japonezët u sulmuan në vitin 1941. Urdhri ekzekutiv 9066 e detyroi Jimmy-n dhe të motrën që të largoheshin nga shtëpia dhe të vendoseshin në kampe internimi. Kazuko u vendos në kampin Minidoka në Idaho, ndërsa Jimmy u dërgua në Tule, në Kaliforni. Për tri vjet, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Mirikitanit për t‘u larguar nga kampi dhe për të nisur jetën e një artisti të lirë, autoritetet nuk e lanë. Për më shumë se 50 vjet, Mirikitani tashmë një artist që endej rrugëve të Nju Jorkut, nuk do të dijë asgjë për fatin e së motrës, apo të kushërinjve. Por Japonia, Hiroshima ku patën jetuar të afërmit e tij, do të ishin me të çdo ditë nëpërmjet vizatimeve. Mirikitani vizatonte kampin ku kishte jetuar, të motrën, bombën e Hiroshimës dhe nuk ëndërronte të kthehej në Japoni.

Në një mënyrë shumë të qartë, Linda Hattendorf na çon nëpërmjet imazheve, për më shumë se një orë, të shohim jetën e Mirikitanit, të këtij artisti tashmë në moshë.

Nëse nuk do të kishte qenë Lufta e Dytë Botërore, apo Hiroshima, vizatimet e tij, ndoshta do të kishin qenë ndryshe. Jo vetëm macet do të kishin fytyrë të qeshur, por dhe Japonia e tij. Ky film është një himn për jetën e këtij njeriu që luftërat nuk e lanë të realizonte ëndrrën, si dhe një mesazh për kohërat që jetojmë, për konfliktet që çdo ditë kërcënojnë botën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›